Degradimi i Gjyqesorit

Degradimi i Gjyqesorit

Degradimi i Gjyqesorit

17 korrik 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim rreth tendencave të vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv për të degraduar pushtetin gjyqësor. Në vitin 2011, me hyrjen në fuqi të dispozitave të caktuara të Ligjit për Gjykata dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, të cilat kanë mundësuar nivelizimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me ato të ekzekutivit, u shënua një hap i madh drejt barazisë të pushteteve dhe jetësimit të ndarjes së pushteteve ashtu siç garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Megjithatë, projekt-ligji për pagat e funksionarëve publikë në mënyrën se si është përpiluar kthen prapa progresin e arritur në krijimin e balancit ndërmjet pushteteve në Kosovë. Kategorizimi i ri i pagave sipas këtij projekt-ligji sërish zhvlerëson bartësit pushtetit gjyqësor ndaj pushteteve tjera, në kundërshtim me Parimet Themelore për Pavarësinë e Gjyqësorit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Me këtë rast, IKD përkrah fuqishëm Reagimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës ndaj Projektligjit të Ri për Pagat e Funksionarëve Publik, në të cilin theksohet se kategorizimi i tillë i të ardhurave shkel parimet e barazisë së pushteteve të garantuar me Kushtetutë, degradon pozitën dhe autoritetin e gjyqësorit dhe ul besimin publik ndaj administrimit të drejtësisë. 

Është e papranueshme që në vazhdimësi të krijohen politika dhe ligje pa konsultim dhe pa koordinim me organet e pushtetit gjyqësor, posaçërisht në rastet të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në këtë pushtet. Ndërmarrja e hapave të tillë nga ana e organeve qeveritare paraqet tendencë për të krijuar varësi dhe ndikime të tërthorta në pushtetin gjyqësor. Madje, tendenca për ta zhvlerësuar në tërësi pushtetin Gjyqësor është reflektuar në projekt-ligj i cili nuk e parasheh fare pozitën e të parit të pushtetit gjyqësor atë të Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pozitë kjo ekuivalente me atë të Kryeministrit. Përpiluesit e këtij projekt-ligji ose kanë qenë injorant të fushës juridike dhe njohjes së sistemit të drejtësisë ose një gjë të tillë e kanë ndërmarrë qëllimisht, pasi që përveç kësaj pozite të papërfshira kanë mbetur edhe disa pozita tjera tejet të rëndësishme përbrenda sistemit gjyqësor në Kosovë. 

IKD bën thirrje për riformulim të këtij kategorizimi ashtu që të pasqyrohet parimi i barazisë së pushteteve i garantuar me Kushtetutë. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përfshijnë në konsultime edhe pushtetin gjyqësor dhe të sigurojnë barazi të të gjitha pozitave ashtu siç janë edhe pushtetet. Në të kundërtën, përfundimisht tendencat e vazhdueshme do të formalizohen në degradim të skajshëm të pushtetit gjyqësor karshi dy pushteteve tjera. Në këtë mënyrë, edhe më tutje do të vazhdoj anatemimi i këtij pushteti i cili në vlugun e reformave do të përjetoj goditje të rëndë duke demotivuar bartësit e funksioneve gjyqësore.