Prishtinë, 25 qershor 2026 – Zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit gjatë vitit 2025 ka shënuar progres të kufizuar në realizimin e aktiviteteve të parapara. Vetëm 42% e aktiviteteve janë zbatuar plotësisht, ndërsa 58% kanë mbetur pjesërisht të zbatuara ose të pazbatuara.
Niveli i zbatimit ka qenë i pabarabartë ndërmjet institucioneve. Performancën më të mirë e kanë shënuar Akademia e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës.
Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve kanë mbetur në fazën e hartimit të dokumenteve të politikave, konsultimeve publike dhe koordinimit ndërinstitucional.
Ministria e Drejtësisë ka pasur numrin më të madh të aktiviteteve të pazbatuara, me 59 nga 98 apo mbi 60% të aktiviteteve të parealizuara gjatë vitit 2025.
Kriza institucionale, përfshirë Qeverinë në detyrë dhe mosfunksionimin e Kuvendit, ka ndikuar drejtpërdrejt në vonesat në zbatimin e reformave.
Mungesa e planifikimit financiar mbetet një sfidë serioze, me 253 aktivitete pa buxhet të planifikuar. Pavarësisht kësaj, progres është shënuar në digjitalizim, themelimin e Gjykatës Administrative dhe trajnimet profesionale në sektorin e drejtësisë.
Për gjetjet, analizën dhe rekomandimet e plota mbi zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit gjatë vitit 2025, lexoni raportin e plotë.
