Mbi 28,000 qytetarë, angazhohen në procesin e ligjbërjes në Kuvendin e Kosovës

Mbi 28,000 qytetarë, angazhohen në procesin e ligjbërjes në Kuvendin e Kosovës

Mbi 28,000 qytetarë, angazhohen në procesin e ligjbërjes në Kuvendin e Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 15 shtator 2023, publikoi Doracakun për Nisma Legjislative nga qytetarët, me qëllim të udhëzimit të qytetarëve për mënyrën e procedimit të nismave legjislative. Doracaku kishte një ndikim të dukshëm brenda një viti, ku inspiroi disa organizata joqeveritare dhe Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, që duke u bazuar në të, të ndërmarrin iniciativa legjislative në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për Parandalimin e Vetëvrasjes, i mbështetur nga 10,034 qytetarë, i cili synon të sjellë shërbime klinike për parandalimin e vetëvrasjes dhe të integrojë këtë çështje në objektivat institucionale, ishte një nga nismat legjislative që kishte ndjekur rrugën e trasuar nga Doracaku për Nisma Legjislative nga qytetarët. Në këtë drejtim, pesëmbëdhjetë organizata kanë bashkuar forcat për të kërkuar miratimin e këtij ligji, duke përfshirë mekanizma për rritjen e profesionalizmit të mediave në raportimin e rasteve të vetëvrasjes dhe mbështetje sociale për individët me mendime vetëvrasëse.

Po ashtu, është mbledhur një numër mbresëlënës prej 18,144 nënshkrimesh për Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale. Kjo nismë, e iniciuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka për qëllim ndryshimin e Ligjit nr. 04/l-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, duke u fokusuar në periudhën e pagesës së kontributeve dhe periudhën nga largimi i dhunshëm nga puna deri në funksionalizimin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Propozimet e reja synojnë të bashkojnë periudhat e kontributeve me ato të largimit të dhunshëm, duke siguruar që periudha e largimit të konsiderohet si stazh kontributdhënës.

Këto nisma legjislative reflektojnë angazhim të qytetarëve dhe organizatave joqeveritare për të kontribuar në përmirësimin e legjislacionit dhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për të gjithë.

Procesi i ligjbërjes në Kuvendin e Kosovës po bëhet gjithnjë e më përfshirës, duke dëshmuar se zëri i qytetarëve është një faktor kyç në formësimin e politikave publike.

Aktivitetet janë realizuar në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, i cili zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë. IKD është partnere e KCSF në realizimin e këtij Programi.