Prishtinë, 10 shkurt 2023: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund (RBF) ka mbajtur konferencë për media ku është prezantuar raporti me titull “Planifikimi (Jo) adekuat i Qeverisë”.
Në hapje të konferencës për media, Drejtori Ekzekutiv i IKD, Ehat Miftaraj, ka thënë se ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me përmbushjen e Programit Legjislativ për vitin 2022.
Gjatë konferencës për media, Naim Jaka, autor i raportit, ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka përmbushur planin e saj në lidhje me miratimin e koncept dokumenteve.
“Qeveria ka miratuar 21 Koncept Dokumente nga 71 sa kishte planifikuar, apo më pak se 30% të planifikimeve. Përballë mos zbatimit të planifikimit të bërë, Qeveria ka miratuar dy koncept dokumente të tjera të cilat nuk kanë qenë të planifikuara. Në gjashtë raste, IKD ka gjetur se me rastin e draftimit të këtyre dokumenteve, nuk janë respektuar obligimet lidhur me konsultimet publike” ka deklaruar Jakaj.
Sipaj tij, numrin më të madh të (projekt) koncept dokumenteve të dërguara dhe miratuar në Qeveri e ka MBPZhR me 5 (projekt) koncept dokumente të dërguara dhe të miratuara në Qeveri, pasuar nga MD dhe MKRS me nga tre sosh. Pesë ministri gjatë vitit 2022 nuk kanë proceduar asnjë projekt koncept dokument për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Në mungesë të një planifikimi adekuat, po gjatë vitit 2022, Qeveria e ndryshoi dhe plotësoi programin legjislativ plot nëntë herë. Kështu, gjatë vitit 2022, Qeveria më tepër pati plan mujor se sa vjetor” ka deklaruar Jakaj.
Tutje Jakaj nga IKD, ka deklaruar se Qeveria nuk ka përmbushur as gjysmën e planit të saj legjislativ, përkundër faktit se gjatë vitit 2022, Qeveria më tepër kishte plan mujor se sa vjetor.
“Përkundër ndryshimeve të shpeshta, Qeveria gjatë vitit 2022 nuk ka arritur që të miratojë as gjysmën e projektligjeve të planifikuara, duke përmbushur agjendën legjislative vetëm 41.5%, përkatësisht duke miratuar 71 nga 171 projektligjet e planifikuara. Për më tepër, 32 projektligje u miratuar jashtë afatit të planifikuar. Ndërsa, përkundër faktit se Qeveria ndryshoj plot nëntë herë agjendën legjislative, të cilën e përmbushi vetëm 41.5%, në tri raste ajo e injoroj këtë agjendë, duke miratuar projektligje të pa planifikuara” ka shtuar Jakaj.
Sipas Jakaj nga 48 projektligjet për të cilat Qeveria ka qenë e obliguar që të zhvillojë konsultime publike, Qeveria e ka përmbushur këtë detyrim në 29 raste, derisa këtë nuk e ka bërë në 19 raste. Shprehur në përqindje, Qeveria nuk e ka përmbushur këtë obligim në afërsisht 40% të rasteve.
Sipas raportit të publikuar nga IKD, sa i përket projektligjeve të miratuara sipas Programit Legjislativ për vitin 2022 dhe të proceduara në Kuvendin e Kosovës, ky i fundit ka arritur të miratojë 36 nga 71 apo 50,7% e projektligjeve. Kështu, mos efikasiteti i Qeverisë ka vazhduar edhe në Kuvend.
Krahasimisht me numrin e projektligjeve që Qeveria ka planifikuar të miratojë, Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të dytë vetëm 21.05% të tyre. Kështu, pjesa tjetër e projektligjeve të miratuara në Qeveri të cilat nuk janë miratuar nga Kuvendi, konsiderohen të përfunduara në Qeveri, por se miratimi i tyre nuk ka ndodhur ende.
Në anën tjetër, Eranda Zekaj, hulumtuese në IKD ka thënë se gjatë vitit 2022, IKD ka gjetur se shtatë nga 71 projektligjet e procedura nga ana e Qeverisë kanë pasur probleme kushtetuese, për të cilat IKD kishte reaguar në vazhdimësi gjatë vitit 2022. Fatkeqësisht, në disa raste, pa u adresuar problemet kushtetuese , Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar këto projektligje. Disa nga këto Projektligje janë duke u trajtuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit derisa një ligj është duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Për më tepër, gjeni bashkangjitur Raportin e IKD-së me titull “Planifikimi (Jo) adekuat i Qeverisë“