Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka propozuar 29 kandidatë për gjyqtarë për dekretim te Presidentja. Në mesin e tyre janë tre ish-hulumtuesit ligjorë të Institutit të Kosovës për Drejtësi
Tre të propozuarit për gjyqtarë kanë qenë pjesë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Ata janë në mesin e 29 kandidatëve të propozuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të ndarë drejtësinë nëpër gjykatat e Kosovës.
Nga 2017-ta deri më 2022, Leotrim Gashi ka punuar monitorues, hulumtues ligjor dhe menaxher i Programit Antikorrupsion në kuadër të Institutit të Kosovës për Drejtësi. Tash është propozuar për gjyqtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dega Vushtrri.
Driton Nocaj ka punuar hulumtues ligjor dhe monitorues i sistemit të drejtësisë në IKD derisa tash është propozuar për gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë. Ai ka qenë pjesë e IKD-së nga 2018-ta deri në nëntor të 2022-ës.
Avni Berisha ka mbajtur pozitën e hulumtuesit dhe monitoruesit ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi prej gushti 2018 deri në prillin e 2022-së, ndërsa tash është propozuar për gjyqtar në Gjykatën Themelore të Gjakovës, dega Rahovec.
Avni Berisha, Driton Nocaj dhe Leotrim Gashi kanë punuar në Institutin e Kosovës për Drejtësi hulumtues ligjorë, kanë bërë hulumtime të politikave publike që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kanë bërë analiza cilësore dhe krahasuese të ligjeve dhe politikave publike.
Tre hulumtuesit sa ishin në IKD kanë monitoruar mbarëvajtjen dhe funksionimin e sistemit të sundimit të ligjit, informimin e qytetarëve për këtë sistem, funksionimin dhe reformimin e tij, me fokus të veçantë përmirësimin e qasjes në drejtësi.
Driton Nocaj, Avni Berisha dhe Leotrim Gashi kanë marrë pjesë në monitorimin sistematik dhe ishin pjesë e hartimit të raporteve periodike për punën e institucioneve të sundimit të ligjit.
Si hulumtues të IKD-së, Gashi, Berisha dhe Nocaj kanë marrë pjesë nëpër debate për çështjet të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor. /BetimipërDrejtësi