Prishtinë, 29 dhjetor 2022 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me organizatën CLARD, me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe UNMIK-ut, të enjten, ka mbajtur konferencë për media, gjatë së cilës është publikuar raporti: “Edhe Saime Domazeti u vra në duar të shtetit”.
Anton Nrecaj nga CLARD, ka thënë se gjetjet e kësaj analize flasin për përsëritje të rasteve të mostrajtimit adekuat të viktimave të dhunës në familje.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD tha se nisur nga rrethanat e rastit, Prokuroria Themelore në Prizren dhe Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave e ka ditur ose është dashur të dijë se ndaj tani të ndjerës ekziston një rrezik real vdekjeprurës. Një vrasje në këto rrethana nga jurisprudenca e GjEDNj-së cilësohet si shkelje e të drejtës në jetë, jurisprudencë kjo detyrimisht e aplikueshme në rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës.
“Sipas këtyre standardeve, vrasja e Saime Domazetit është rast tipik i shkeljes së të drejtës në jetë”, ka thënë Shala.
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD ka thënë se në rastin konkret institucionet shtetërore nuk kanë ofruar siguri dhe mbrojtje për viktimën edhe pse kanë qenë në dijeni se e njëjta është viktimë e dhunës në familje. Sipas saj, në këtë rast nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, nuk ka pasur kërkesë për caktimin e urdhrit mbrojtës, e as kërkesë për masë sigurie dhe se nga Qendra për Punë Sociale janë informuar se ky rast nuk është referuar në strehimore.
“Për një periudhë të gjatë kohore, nga 8 nëntori deri në momentin kur e njëjta ka vdekur, më 26 dhjetor, pra për gati dy muaj, institucionet nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje adekuate për viktimën e dhunës në familje, por e kanë lënë të njëjtën nën mëshirën e atyre që veçse akuzohen për veprën penale “dhunë në familje”, shtoi Rezniqi.
Ajo po ashtu tha se nga ajo që shihet sipas një vlerësimi të aktakuzës së siguruar nga IKD, rezulton se krahas trajtimit jo të duhur të rastit dhe mosveprimit institucional, edhe ato veprime të pamjaftueshme që janë ndërmarrë në këtë rast, evidentojnë një mosseriozitet të skajshëm.
“Pra, në pjesën e fundit të aktakuzës për dhunë në familje, prokurorja e rastit i referohet një të pandehuri dhe jo dy siç i ka rasti. Emri i të pandehurit të shkruar në aktakuzë nuk ka fare të bëjë me të pandehurit që dyshohen për kryerjen e veprës penale dhunë në familje, të cilët akuzohen me këtë aktakuzë. Pra, në pjesën në fund, emri i të pandehurit është me inicialet M.L., përderisa dy të pandehurit e rastit konkret janë Nazire Abdyli dhe Jeton Abdyli. Tutje, thuhet se prokuroria ka vlerësuar provat e siguruara dhe deklaratën e të dëmtuarit. Kurse, në rastin e të ndjerës Domazeti, në aktakuzë thuhet se deklarata e saj ka qenë e pamundur të merret, sepse e njëjta ka probleme mendore, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka probleme në të folur. Po ashtu, në pjesën e fundit të aktakuzës thuhet se prokuroria ka vlerësuar edhe provat në video-incizimin si dhe shkresat e tjera në lëndë, kurse në rastin konkret nuk ka pasur video-incizim, në shkresat e lëndës. Si provë në këtë rast janë prezantuar vetëm fotografi nga vendi i ngjarjes, të cilat janë realizuar nga zyrtarët policorë të Stacionit të Policisë në Dragash. Kjo dëshmon shumë mirë se sa joserioz kanë qenë Prokuroria Themelore në Prizren për trajtimin e këtij rasti, sepse këtë aktakuzë të dhunës në familje e ka ngritur me shumë gjasë duke përdorur shabllon të aktakuzave të tjera”, ka theksuar Rezniqi.
Sipas saj, e gjithë kjo tregon një trajtim joprofesional edhe në një dimension tjetër përtej gjithë neglizhencës që është bërë përgjatë gati dy muajve, ku e ndjera është lënë në të njëjtin vend me të akuzuarit dhe kjo e dëshmon më së miri trajtimin joadekuat të rastit.
Hulumtuesi i lartë Gzim Shala, po ashtu përmendi deklarimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, i cili në përgjigjet e tij për këtë rast ka treguar që është ngritur aktakuzë por nuk ka folur për mosveprimet tjera të kësaj prokurorie, pasi sipas tij, aktakuza nuk është masë mbrojtëse.
“Ka treguar që është ngritur një aktakuzë, ka abstrahuar faktin që të pandehurit janë liruar në mënyrë të rregullt, që nuk është caktuar masë mbrojtëse, është abstrahuar fakti që Zyra për Mbrojtje të Viktimave nuk ka caktua masa mbrojtëse”, është shprehur ndër të tjera Shala, duke shtuar se është shqetësuese së mundohet që përmes aktakuzës të zhvendoset vëmendja nga dështimet e kësaj prokurorie.
Në këtë drejtim, Shala ka kërkuar nga U.D. Kryeprokurori i Shtetit që në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të iniciojë procedurën disiplinore ndaj të gjithë akterëve të përfshirë në këtë rast, përfshirë edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Përveç kësaj, ai tha se për mosreferim të rastit në strehimore duhet të adresohet përgjegjësia e Qendrës për Punë Sociale. Edhe nga Avokati i Popullit u kërkua që të iniciojë hetim përkitazi me këtë rast dhe të dalë me opinion mbi mënyrën e trajtimit të këtij rasti nga institucionet kompetente. Po ashtu, Shala shtoi se Kuvendi i Kosovës duhet të ndajë mjete të mjaftueshme financiare për strehimin e viktimave të dhunës në familje, veçanërisht atyre me aftësi të kufizuara si dhe të trajtoj vetingun në sistemin e drejtësisë si prioritetin më të lartë.
Gjithashtu, në këtë konferencë Shala, tha se krahas të dyshuarës aktuale për vrasje të Saime Domazetit, Prokuroria Themelore në Prishtinë të hetojë mbi përgjegjësinë penale të të dyshuarit tjetër, i cili kishte qenë i përfshirë në dhunë ndaj viktimës.
Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin e IKD-së: “Edhe Saime Domazeti u vra në duar të shtetit”. Po ashtu, bashkangjitur gjeni edhe fotografite nga konferenca e mbajtur.