Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL), më 9 dhjetor 2024, organizoi takim diskutimi, me temën: “Sfida e reformës në drejtësi”, ku u publikua raporti me titull “Dështimi i Reformës në Drejtësi”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2024”, e organizuar nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile (IKD, FOL dhe INPO) me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”.
Raporti u prezantua nga hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, i cili kritikoi dështimin e Qeverisë për të nisur dhe zbatuar reformat e premtuara në drejtësi, veçanërisht procesin e vetingut, i cili ishte premtuar si shtyllë kryesore për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Sipas raportit, procesi i vetingut u përfshi në programin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e vitit 2021 dhe në Programin e Qeverisë për vitet 2021-2025, por, në realitet, asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë për zbatimin e tij. Shala theksoi se, sipas Koncept-Dokumentit të vitit 2021, vetingu duhej të ishte në fazat finale, por deri tani as nuk ka filluar.
“Qeveria ka dështuar të bindë Komisionin e Venecias për nevojën e zhvillimit të vetingut të plotë për gjithë sistemin e drejtësisë, duke treguar mungesë serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje jetike për sundimin e ligjit,” tha Shala.
Shala vuri në dukje se edhe një formë e kufizuar e vetingut, e fokusuar vetëm te nivelet e larta të drejtuesve të sistemit të drejtësisë, nuk ka gjetur zbatim, megjithëse konsiderohet më e menaxhueshme dhe më e shpejtë për t’u realizuar.
Tutje, raporti kritikoi edhe dështimin e Qeverisë për të realizuar reformat në institucionet e tjera të rendit dhe sigurisë, si Policia e Kosovës. Shala theksoi se premtimet për veting në nivelin e lartë drejtues të policisë janë shmangur heshturazi, duke mos ndërmarrë asnjë veprim konkret.
“Vetingu në polici ishte një premtim i qartë i Qeverisë, por kjo iniciativë u braktis pa zhurmë, duke dëshmuar mungesë vullneti dhe përgjegjësie,” tha Shala.
Raporti gjithashtu sipas Shalës adreson eksperimente të dëmshme në sistemin e drejtësisë, përfshirë ndryshimet e propozuara në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilat sipas IKD rrezikojnë të politizojnë këtë institucion dhe bien ndesh me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Poashtu hulumtuesi i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, gjatë prezantimit të raportit me titull “Dështimi i Reformës në Drejtësi”, tha se miratimit për herë të dytë nga Kuvendi, ngjallë dyshime për përdorim të këtij Ligji për qëllime elektorale.
“Mënyra e veprimit të Qeverisë dhe Kuvendit në raport me Ligjin për Byronë, ku Projektligji në fjalë nuk trajtohet për afër tre muaj dhe pastaj miratohet në të njëjtën ditë në të dy leximet, krijon përceptimin e përdorimit të Ligjit për Byronë si mjet për qëllime elektorale dhe jo si veprim për të avancuar sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Shala.
Tutje, Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke diskutuar për sfidat në reformën në drejtësi, tha se Qeveria përmes ligjeve kanë tentuar kapjen e shtetit.
Tahiri tha se në historinë e Kosovës, kjo Qeveri është ajo që ka fituar besimin e plotë, 50% për të udhëhequr vetë. Andaj, sipas tij, edhe si opozitë kanë pritur që temat e drejtësisë të trajtohen me seriozitet, por që asnjëherë nuk kanë parë diçka të tillë.
“Me u mundu që përmes ligjit me e kapë shtetin, unë me të vërtetë nuk kam has në diçka të tillë”, tha ai.
Kur flasim për luftën kundër korrupsionit, Tahiri pyeti se si ka mundësi që ende Qeveria nuk ka hartuar një Strategji kundër korrupsionit.
“A ka ndonjë arsyetim, arsye pse a qysh a tek”, tha tutje ai.
Përparim Gruda, tha që PDK është për veting të plotë, që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët duhet t’i nënshtrohen. Përmes vetingut, sipas PDK, Gruda tha që do të nderohen gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas Grudës, PDK do ta realizojë këtë veting, përmes ndryshimeve kushtetuese.
Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ka konfirmuar se Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Mundem me konfirmu se PDK, Ligjin për Byronë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese sepse shkeljet janë të qarta, nuk ka pasur konsultim publik”, tha ai.
Gruda tha se ky është një premtim i PDK-së, qysh në fillim se secili ligj që ka shkelje do të dërgohet në Kushtetuese.
Sipas tij, Qeveria nuk ka interes ta bëjë këtë ligj, por më qëllim bën gabime dhe harton ligjin me shkelje veç të thonë që opozita po e dërgon ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
IKD kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të nisur procesin e vetingut dhe të zbatojë standardet ndërkombëtare për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm.
Pjesëmarrësit në tryezë, përfshirë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, theksuan nevojën urgjente për të rivendosur kredibilitetin e sistemit të drejtësisë përmes reformave të mirëfillta dhe transparente.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të hënën ka organizuar tryezë diskutimi për sfidat e reformës në drejtësi si dhe ka publikuar raportin me titull “Dështimi i reformës në drejtësi”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2024”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”. /BetimipërDrejtësi
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.