Prishtinë, 28 prill 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës njoftimin për fillimin e nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo nismë ndërmerret në mbështetje të nenit 79 të Kushtetutës dhe Ligjit për Nisma Legjislative, duke synuar mobilizimin e së paku 10.000 qytetarëve për të propozuar ndryshime ligjore në dy fusha kyçe për rendin kushtetues dhe integritetin e proceseve demokratike.
Fusha e parë e ndërhyrjes lidhet me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht, Kodi Penal në nenin 394 kriminalizon mosekzekutimin e vendimeve të gjykatave, por nuk përfshin në mënyrë të qartë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky boshllëk normativ krijon hapësirë për shmangie të përgjegjësisë, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 116 të Kushtetutës, janë detyruese për të gjitha institucionet dhe personat në Republikën e Kosovës.
Përmes kësaj nisme, IKD synon të adresojë këtë mangësi duke propozuar që të kriminalizohet refuzimi i qëllimshëm, mosveprimi i pajustifikuar apo shmangia e vetëdijshme nga zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga personat përgjegjës. Qëllimi nuk është penalizimi i çdo vonese teknike apo vështirësie objektive, por vendosja e një mekanizmi efektiv mbrojtës për rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit.
Fusha e dytë e nismës ka të bëjë me kriminalizimin e keqpërdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore. IKD vlerëson se praktikat e shpërndarjes së ndihmave, subvencioneve apo përfitimeve financiare në mënyrë AdHoc nga institucionet publike, me qëllim ndikimin në votë, cenojnë rëndë barazinë në garën zgjedhore dhe besimin në procesin demokratik.
Ndryshimet e propozuara nuk synojnë të kufizojnë politikat e rregullta sociale apo pagesat që burojnë nga ligji dhe buxheti i miratuar, por të ndalojnë përdorimin e parasë publike si instrument elektoral. Dispozita e re do të ndërtohet në mënyrë të tillë që të përfshijë elementin e qëllimit elektoral, periudhën relevante dhe natyrën selektive të përfitimeve, duke përjashtuar rastet e emergjencave, fatkeqësive natyrore dhe obligimeve ligjore.
Në thelb, kjo nismë synon të sigurojë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të zbatohen në mënyrë efektive dhe që buxheti i shtetit të mos përdoret për të deformuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Përmes kësaj ndërhyrjeje, IKD synon të kontribuojë në forcimin e rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe demokracisë në vend.
Publiku do të njoftohet në ditët në vijim për fillimin e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve për këtë nismë legjislative qytetare. IKD do të angazhohet që të informojë dhe përfshijë në këtë proces grupe të ndryshme sociale, organizata të shoqërisë civile, komunitete profesionale dhe grupe të interesit, me qëllim sigurimin e një mbështetjeje sa më të gjerë qytetare për këto ndryshime të rëndësishme ligjore.
