Prishtinë, 5 shtator – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të premten, ka mbajtur tryezën “Vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit”, e cila ka shërbyer për të diskutuar zbatimin e këtij Plani të Veprimit, i cili ka përfunduar me 30 qershor 2014.
Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, z.Betim Musliu, ka prezantuar raportin “Korrupsioni në Kosovë 2: Raport vlerësues gjithëpërfshirës mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”, i cili përmban gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet për zbatimin e Planit të Veprimit. Musliu gjatë prezantimit të raportit, tha se prokuroritë nuk kanë arritur të përmbushin objektivat e Planit të Veprimit për t’i zgjidhur rastet e korrupsionit. “As gjysma e rasteve të korrupsionit që kanë qenë të regjistruara deri më 4 nëntor 2013 apo deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Plani të Veprimit nuk kanë arritur të zgjidhen, pra janë zgjidhur vetëm 41 % të këtyre rasteve”. Musliu tha se ka prokurori që kanë dështuar në masë të madhe t’i përgjigjen obligimeve për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, sikundër që ka prokurori që kanë arritur t’i zgjidhin të gjitha rastet e vjetra. “Ajo që është më shqetësuesja në zbatimin e këtij Plani është mos respektimi dhe mos zbatimi i vendimeve të Këshillit Prokurorial madje as nga vetë Këshilli Prokurorial”.
Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, në fjalën hyrëse të saj në këtë tryezë, ka vlerësuar raportin e IKD-së, i cili sipas saj, në mënyrë të detajuar jep vlerësimet për punën dhe rezultatet e institucioneve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Përmbledhjet e tilla gjithsesi se janë të vlefshme për të gjithë mekanizmat e thirrur për luftimin e dukurive negative në vend, në veçanti për luftën kundër korrupsionit, sepse ato mëtojnë të japin një pasqyrë të praktikave të suksesshme dhe sfidave që institucionet, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës duhet t’i adresojnë për të përmbushur vizionin e ndërtimit të shtetit të së drejtës, të integruar në familjen euroatlantike”. Presidentja Jahjaga, tha se ka shumë kohë që shoqëria në Kosovë ka dëgjuar prej të gjithë udhëheqësve të institucioneve të shtetit, por edhe prej mekanizmave të thirrur për luftimin e këtyre fenomeneve, zotime për tolerancën zero ndaj korrupsionit. “Korrupsioni dëmton proceset demokratike dhe në veçanti godet sundimin e ligjit. Korrupsioni e prek cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, shkatërron qelizat kryesore të shoqërisë dhe çon drejt fenomeneve të tjera të rrezikshme. Ai gjithashtu mund të godas rëndë edhe vlerat më të rëndësishme të saj”.
Më tej, Presidentja Jahjaga, tha se lufta kundër korrupsionit bëhet në çdo nivel edhe atë qendror edhe komunal. “Lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e copëzuar, selektive dhe e pakryer. Ajo është gjithëpërfshirëse, sepse korrupsioni po e han çdo segment të jetës. Pra, një luftë e plotë, e përditshme dhe e bashkërenduar nga të gjithë mekanizmat institucional. Duhet të dëshmojmë së bashku, që të marrim përgjegjësinë tonë në luftën kundër korrupsionit. Ne duam që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm, sikur edhe qytetarët e tjerë të këtij rajoni, në vendet e BE-së. Dhe ky proces i liberalizimit të vizave varet nga ne, edhe nga udhëheqësit e institucioneve, nga ju prokurorë, nga ju gjykatës. Korrupsioni nuk mund ta pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, po aq sa nuk mund të ndalojë procesin e integrimit në BE”.
Zëvendës Ambasadorja e Ambasadës Britanike në Kosovës, znj. Louise Taylor, tha se Kosova ka nevojë të shënojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni nuk është problem specifik vetëm për Kosovën, apo për Balkanin. Mirëpo, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në një mënyrë që njerëzit e Kosovës të ndjejnë se Kosova po ecë përpara, Kosova duhet të jep dëshmi konkrete të rezultateve”. Taylor tha se ky projekt i mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë është dizajnuar që të përmirësojë llogaridhënien dhe transparencen e makanizmave gjyqësor në luftimin e korrupsionit. “Raporti i dytë për vlerësimin e implementimit të Planit të Veprimit për rritjen e efikasitetit të veprimit prokurorial në luftimin e korrupsionit tregon që ka pas disa hapa që janë bërë, mirëpo gjithashtu tregon edhe një stagnim brengosës të përparimit, p.sh, po mungesa e inplementimit të Planit të Veprimit, ndryshimit të vogël në numrin e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit dhe mungesën e komunikimit ndërmjet prokurorëve dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit”. Ajo ka thënë se EULEX-in duhet shfrytëzuar për të luftuar korrupsionin, por ka theksuar se ky mision nuk do të mbetet gjithmonë në Kosovë dhe se institucionet vendore një ditë do të marrin mbi supe përgjegjësitë e plota në këtë fushë.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Sylë Hoxha, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me IKD-në, me qëllim të monitorimit të jashtëm të Planit të Veprimit lidhur me ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit. Kryeprokurori Hoxha, tha se zbatimi i këtij plani mbetet udhërrëfyes për të gjithë, që edhe më tutje, të mbeten të përkushtuar për të ngritur rezultatet në luftimin e korrupsionit, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë dhe institucionet tjera që e zbatojnë ligjin në Kosovë.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, ka vlerësuar raportin e IKD-së, duke theksuar se raporti “ka me qenë një shtytje e mëtutjeshme e të gjitha organeve të zbatimit të ligjit që të procedojnë me rastet e korrupsionit”. Peci tha se edhe gjyqësori ka vendosur të trajtojë me prioritet zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, përkundër vështirësive që ka dhe numrit të madh të rasteve që ka në punë.
Duke vlerësuar lartë raportin e IKD-së pjesëmarrësit kanë diskutuar për gjetjet dhe vlerësimet rreth zbatimit të Planit të Veprimit. Fjalimet për vlerësimin e raportit dhe zbatimin e Planit të Veprimit kanë vazhduar me Koordinatoren Nacionale kundër Korrupsionit, znj. Laura Pula, ushtruesen e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, znj. Sevdije Morina, të gjithë Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore në Kosovë, Drejtorin e Hetimeve në Policinë e Kosovës, z. Riza Shillova, Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Hasan Preteni. Pjesëmarrës në tryezë dhe diskutime poashtu ishin edhe përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Shoqërisë Civile, Ambasadës Amerikane në Kosovë, Zyrës së BE-së në Kosovë, dhe EULEX-it.
Raporti i IKD-së thekson se në të gjitha prokuroritë janë angazhuar 42 prokurorë në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit. Gjendja e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit nëpër prokurori vazhdon të mbetet pothuajse e njëjtë sikurse ishte në fillim të zbatimit të Planit të Veprimit. Derisa në fillim të planit më 4 nëntor 2013, ishin 516 raste të pazgjidhura me 1682 persona, në fund të planit më 30 qershor 2014, kanë mbetur 548 raste të pazgjidhura me 1488 persona. Pra vërehet një ulje e vogël të numrit të personave në rastet e pazgjidhura në fund prej 12% apo 194 persona më pak se në fillim. Nëse analizohet numri i rasteve në fillim më 4 nëntor 2013 dhe numri i rasteve të pranuara gjatë Planit të Veprimit, rezulton se prokuroritë kanë pasur në punë 866 raste me 2307 persona. Prej këtij numri të përgjithshëm prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 321 raste me 839 persona apo 36% të numrit të përgjithshëm. IKD vlerëson se në përgjithësi kjo është një performancë e dobët e prokurorëve në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit.
Ndërsa, për të bërë matjen e realizimit të Planit të Veprimit, IKD ka vendosur indikatorë, të bazuar në detyrimet e dala nga Plani i Veprimit. IKD ka vendosur të bëjë matjen e realizimit të planit, bazuar në rastet e zgjidhura të korrupsionit, të cilat kanë qenë të regjistruara deri me datën 4 nëntor 2013.
Sipas këtij indikatori, rezulton se as gjysma e objektivave të Planit të Veprimit nuk janë zbatuar. Me hyrjen në fuqi të planit më 4 nëntor 2013, prokuroritë kanë pasur në punë 516 raste me 1682 persona të pazgjidhura. Prej hyrjes në fuqi të planit deri në fund të afatit me 30 qershor 2014, prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 224 raste me 685 persona apo gjithsejt 41%. Prej të gjitha këtyre rasteve të zgjidhura, rezulton se më shumë se ndaj gjysmës së personave janë hudhur poshtë kallëzimet penale apo janë pushuar rastet e korrupsionit. Ndaj 379 personave apo 55% të atyre që janë zgjidhur janë hudhur kallëzimet penale apo janë pushuar rastet, ndërsa ndaj 306 personave apo 45% të tyre janë ngritur aktakuza.
Mënyra e zgjidhjes së rasteve është një tregues i mirë edhe për parashtruesit e kallëzimeve penale, disa prej të cilëve duhet analizuar nga institucionet përkatëse për të vlerësuar performancën e cilësisë së punës së tyre. Prokuroria që ka dështuar më së shumti në zbatimin e Planit të Veprimit mbetet PTh në Prishtinë, e cila ka arritur të zgjidhë rastet me vetëm 13% të personave apo 98 prej 777 personave, të cilët kanë qenë të regjistruar në fillim të planit. Kjo edhe për faktin se një numër i madh i lëndëve, ishin trashëguar në këtë prokurori nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë dhe ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë si dhe për shkak të numrit të vogël të prokurorëve. Pas Prishtinës, pason PTh në Mitrovicë, e cila ka arritur që të zgjidhë rastet e ngritura ndaj 26% të personave apo 36 prej 141 personave, të cilët kanë qenë të regjistruar në fillim të planit. Gjithsesi për këto rezultate të dobëta në PTh në Mitrovicë kanë ndikuar edhe arsyet objektive të kushteve të punës, në të cilat punojnë prokurorët e kësaj prokurorie. PSRK nuk ka arritur të zgjidhë as rastet me gjysmën e personave të regjistruar në fillim në Planin e Veprimit. Prej rasteve me 232 persona sa i ka pasur në punë, PSRK i ka zgjidhur rastet për 107 apo 46% të personave. Rastet me mbi gjysmën e personave ka arritur t’i zgjidh PTh në Ferizaj, e cila prej 126 personave, i ka zgjidhur rastet ndaj 81 apo 64% të personave. PTh në Gjakovë ka pasur një progres në zgjidhjen e rasteve, ku prej 64 personave, ka arritur t’i zgjidh 52 apo 81% të tyre. PTh në Prizren gjithashtu ka arritur të zgjidh 85% të personave, duke i zgjidhur 149 persona prej 175 sa i kishte pasur në punë në fillim të Planit të Veprimit. PTh në Pejë ka arritur të zgjidh 94% të personave apo 81 prej 86 personave sa kishte pasur në fillim të planit. Ndërsa, prokuroria e cila ka arritur të zbatojë 100% Planin e Veprimit përsa i përket zgjidhjes së rasteve të regjistruara deri me 4 nëntor 2013 është PTh në Gjilan, e cila ka zgjidhur të gjitha rastet, përkatësisht 23 raste me 81 persona. IKD bazuar në monitorimin e këtij plani, vlerëson se i njëjti plan nuk është trajtuar si çështje e përcaktuar me prioritet absolut në të gjitha prokuroritë dhe kjo vërehet në bazë të rezultateve të arritura, të cilat janë paraqitur në këtë raport.
Përveç zgjidhjes së rasteve, Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit dhe Kryeprokurorët kanë pasur një varg obligimesh tjera, të cilat nuk i kanë përmbushura po i kanë përmbushur minimalisht. Shembull në rastet e parashkrimit të rasteve të korrupsionit është dashur të përpilohen raporte të veçanta për secilën lëndë, por kjo nuk është bërë nga Kryeprokurorët.
Raporti i IKD-së shpreh shqetësim për kulturën e mosndëshkueshmërisë për përgjegjësit e dështimeve të identifikuar në sistemin prokurorial. IKD shpreh shqetësimin e dyfishtë për Kryeprokurorët, që nuk e kanë zbatuar vendimet e organit më të lartë në sistemin prokurorial, Këshillit Prokurorial, por gjithashtu shpreh shqetësim të madh për moszbatimin e vendimeve nga vetë Këshilli Prokurorial, për t’i ndëshkuar Kryeprokurorët në rast se ata nuk i ndëshkojnë punonjësit e tyre për shkeljet e evidentuara.
Raporti përmban 17 rekomandime konkrete për të gjitha institucionet përgjegjëse se si duhet të përmirësohen në mënyrë që të zgjidhen rastet e korrupsionit, rrjedhimisht të zbatohet si duhet Plani i Veprimit.
Plani i Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit është si rezultat i zbatimit të Planit Strategjik për Bashkëpunim ndër-institucional në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. KPK më 27 dhjetor 2013, ka lidhur Memorandum Bashkëpunimi me Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili e monitoron sistemin prokurorial në zbatimin e këtij plani.
Për më tepër shihni video-xhirimin e plotë të kësaj tryeze. Kliko këtu https://www.youtube.com/watch?v=wUR6V-y_h1I&feature=youtu.be