IKD: Rasti i ngacmimit online ndaj Flutura Kusarit, më i madhi ndaj një aktivisteje të shoqërisë civile

IKD: Rasti i ngacmimit online ndaj Flutura Kusarit, më i madhi ndaj një aktivisteje të shoqërisë civile

IKD: Rasti i ngacmimit online ndaj Flutura Kusarit, më i madhi ndaj një aktivisteje të shoqërisë civile

Prishtinë, 20 qershor 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) mbështetë reagimin e aktivistes së shoqërisë civile, Flutura Kusari, e cila ka njoftuar se ka ngritur kallëzim penal ndaj Mentor Llugaliut për ngacmim online.

IKD thekson se liria e shprehjes dhe mendimit nuk duhet të shfrytëzohet për të inicuar fushata linçuese ndaj aktivisteve të shoqërisë civile dhe familjarëve të tyre, duke kaluar kështu në sferën penale të ngacmimit.

Kallëzimi penal është ngritur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës kundër Llugaliut, i cili njihet si një përkrahës publik i Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak të një fushate të vazhdueshme ngacmimi online që, sipas Kusarit, ka zgjatur më shumë se tri vite dhe ka përfshirë përmbajtje denigruese, seksiste e kërcënuese.

Kjo fushatë nuk ka përfshirë vetëm Kusarin, por edhe anëtarë të familjes së saj të ngushtë. Në këtë drejtim, IKD ka ndihmuar aktivisten Kusari në përgatitjen e kallëzimit penal, duke vlerësuar njëkohësisht se ky rast është rasti më i madh i ngacmimit online ndaj një aktivisteje të shoqërisë civile.

IKD pret nga organi i akuzës që këtë rast ta trajtojë me prioritet, profesionalizëm dhe integritet, duke siguruar një hetim të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Në mbështetje të aktivistes Kusari kundër kësaj forme të ngacmimit online kanë dalë shumica e organizatave ndërkombëtare dhe vendore, duke kërkuar nga organet e drejtësisë trajtim të rastit me prioritet dhe profesionalizëm.