Falja në Kosovë: Analizë e zbatimit të institutit të faljes dhe lirimit me kusht

Falja në Kosovë: Analizë e zbatimit të institutit të faljes dhe lirimit me kusht

Falja në Kosovë: Analizë e zbatimit të institutit të faljes dhe lirimit me kusht

Në Kosovë, falja paraqet një vendim të Presidentit përmes të cilit personat e caktuar lirohen plotësisht apo pjesërisht nga ekzekutimi i dënimit përfundimtar të gjykatës, apo zëvendësimi i tij me ndonjë dënim më të butë. Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe aprovimit të Ligjit për Faljen në vitin 2009, Presidenti kishte të drejtën diskrecionale të zbatoj instrumentin e faljes. Ligji i mangët dhe i përgjithshëm si për nga kriteret ashtu edhe nga procedurat e faljes nuk mundësoi zbatim të drejtë dhe me meritë të institutit të faljes.
Përkundër avantazhit të krijuar, zbatimi i këtij instituti ka ngritur polemika rreth rasteve skandaloze të falura në tri vite të zbatimit. Deri më tani, Presidentët i kanë falur pjesërisht dhe në tërësi mbi 236 vite për 227 të dënuar, vetëm dhjetë nga to femra. Në vitin 2010, Presidenti Fatmir Sejdiu kishte falur të dënuarën për Trafikim me Njerëz, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Ligjin për Faljen. Instituti i faljes ka pësuar zhvlerësim të vazhdueshëm pasi që deri më tani janë falur të dënuar për vrasje mizore, vrasje të rënda, krim të organizuar, vepra të ndërlidhura me narkotik, dhunim, si dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës. Është paradoks që të gjitha këto krime të falura nga Presidentët kanë qenë prioritete të luftës së institucioneve shtetërore kundër krimeve më të rrezikshme për shoqërinë, të cilat janë përfshirë në strategjitë nacionale sikurse Strategjitë dhe Planet e Veprimit Shtetëror kundër Krimit të Organizuar 2009-2012, Korrupsionit 2009-2011, Kundër Drogave 2009-2012, si dhe Strategjinë e Sigurisë për Kosovën. Pjesës dërrmuese të të falurve për kritere të ngjashme, përkatësisht 67% prej tyre, paraprakisht iu ishte refuzuar lirimi me kusht nga Paneli për Lirim me Kusht. Komisionet Ad hoc për Falje duke dështuar të bëjnë vlerësim të drejtë, të bazuar në kritere dhe të analizojnë vendimet e Panelit për Lirim me Kusht, kishin sugjeruar faljen e të dënuarve recidivist dhe me shkelje disiplinore. Falja e këtyre kategorive të të dënuarve recidivist, ligjërisht ndalohet dhe paraqet rrezik për shoqërinë. Fajet për këto anomali pjesërisht i bartin edhe ekipet e Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët përpilojnë raporte jo-profesionale dhe me mungesë të informatave kyçe.
Deri më tani, përfituesit më të mëdhenj të faljes janë të dënuarit për vrasje dhe vrasje të rëndë ku vetëm në vitin 2011, ushtruesi i detyrës të Presidentit Jakup Krasniqi kishte falur 135 vjet të dënuarve të këtyre kategorive. Në raste të faljeve masive për një kategori të caktuar të krimit, sikurse ka ndodhur, do të ishte më e preferuar të aplikohej amnistia. Andaj, ndryshimet kushtetuese duhet të reflektojnë mbi nevojën për të futur amnistinë si kategori kushtetuese, sikurse është në shtetet e tjera.
Institut tjetër i rëndësishëm i së drejtës është lirimi me kusht. Që nga fillimi i zbatimit të këtij instituti, ishte hapur një derë për të dënuarit që të blinin lirinë. Që nga viti 2007 deri më tani, zyrtarë të Panelit për Lirim me Kusht kanë qenë subjekt i hetimeve dhe gjykimeve për afera korruptive për lirim të të burgosurve. Përkundër raportimeve të shumta mediale, të cilat sugjerojnë se këto veprimtari janë kryer në grup dhe jo në suaza individuale, organet e hetuesisë kanë dështuar të zgjerojnë hetimet për ndjekje të krimit të organizuar. Fillimi i zbatimit të faljes veç sa ka vështirësuar vendimmarrjen e Panelit, pasi që falja praktikisht ka ndikuar që të falurit me automatizëm të lirohen me kusht.
Zbatimi i këtyre instituteve gjithnjë ka paraqitur sfidë për organet e zbatimit të tyre. Në mënyrë që Kosova të tejkaloj një sfidë të paraqitur në Raportin e Progresit për dy vitet e fundit, duhet që të synoj që instituti i faljes të zbatohet drejtë dhe me meritë. Andaj, Presidentja duhet të inicioj ndryshimin e Ligjit për Faljen, i cili do të saktësoj kriteret, procedurat, veprat penale, dhe mbi të gjitha të ndalojë faljen e të dënuarve që refuzohen nga Paneli për Lirim me Kusht. Tutje, Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të përjashtoj mundësinë e faljes tre muaj para përfundimit të mandatit të Presidentit, si dhe në tërësi për ushtruesin e detyrës së Presidentit.