IKD kërkon filtrimin e kandidatëve për gjykatës dhe prokuror

IKD kërkon filtrimin e kandidatëve për gjykatës dhe prokuror

IKD kërkon filtrimin e kandidatëve për gjykatës dhe prokuror

16 dhjetor 2011 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tash tre vite ka përcjellë me kujdes procesin e ri-emërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë. Përkundër të metave të identifikuara gjatë këtij procesi, kryesisht të natyrës administrative, ky proces ka rezultuar me forcim të sundimit te ligjit dhe ngritje të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë në vend.

Ky proces ka qenë tejet i nevojshëm dhe i rëndësishëm për të filtruar gjykatësit dhe prokurorët të cilët në veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë krijuar një sistem i cili më së paku ka shërbyer për të ndarë drejtësi për qytetarët. Besimi i qytetarëve kishte rënë në shkallën më të ultë të mundshme si rrjedhojë e përgjigjes së dobët të këtij sistemi në kërkesat e tyre si dhe vlerësimeve të bëra nga organizata vendore e ndërkombëtare. Duke parë rëndësinë e kësaj problematike shoqërore, bashkësia ndërkombëtare dhe shoqëria civile në Kosovë kanë investuar në këtë proces mjete financiare, kapacitete humane dhe kohë që ky proces të përmbyllet me sukses.

Pas përfundimit të këtij procesi në tetor 2010, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë vazhduar me rekrutimin e gjykatësve dhe prokurorëve për pozitat e paplotësuara dhe vendet e reja të shpallura në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Së fundi, IKD ka vërejtur tendencën e kthimit në sistemin e drejtësisë, të prokurorëve apo gjykatësve, të cilët pas procesit të ri-emërimit nuk kanë qenë të denjë të qëndrojnë në pozita të gjyqësorit për shkak të shkeljeve të vërtetuara nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial. Madje, kanë qenë pikërisht këta gjykatës dhe prokurorë disa nga ata që kanë kontribuar në mos luftimin e fenomeneve të dëmshme për shoqërinë kosovare dhe edhe më keq se kaq, është vërtetuar se po të njëjtit kanë kontribuar drejtpërdrejt në fenomene të tilla.

IKD kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që të mos ndërmarrin veprime që dëmtojnë tutje kredibilitetin e sistemit gjyqësor dhe prokurial në Kosovë. Në vazhdim të përzgjedhjes së kandidatëve, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial duhet të jenë syçelë dhe të filtrojnë të gjithë kandidatët në mënyrë që të eliminohen ata që janë shpallur të padenjë për t’u ri-emëruar. Në këtë mënyrë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial duhet t’i tregojnë hapur shoqërisë kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare se ndryshimet në sistemin e drejtësisë janë thelbësore dhe nuk janë vetëm ndryshime kozmetike. Ky është një moment kyç për të treguar se vendorët janë të denjë për të udhëhequr dhe administruar procese të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë, sidomos tani pasi që personeli ndërkombëtar është larguar nga këto procese.

IKD beson se në rast se institucionet e Kosovës kanë bazë të fuqishme të dyshimit dhe disponojnë me argumente se gjatë procesit të ri-emërimit dhe emërimit janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut, duhet të vihet në shqyrtim i gjithë procesi. Prandaj, duke pasur në konsideratë të gjitha përpjekjet dhe arritjet që janë bërë në procesin e ri-emërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, IKD kërkon që të eliminohen kandidatët e dëshmuar njëherë si të padenjë, në mënyrë që mos të rrezikohen investimet milionëshe dhe rezultatet e këtij procesi, për krijimin e një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë në shërbim të sundimit të ligjit në Kosovë.