Më 14 qershor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe partneri i tij, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), e prezantuan “Raportin e Dytë për Monitorimin e seancave gjyqësore nga qytetarët: Drejtësia në sytë e qytetarëve”.
Ky raport është pjesë e projektit të EULEX-it “Ndërtimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe përmirësimi i realizimit të drejtave të njeriut përmes monitorimit laik të gjykimeve”, i përqendruar në parimin që shqyrtimi gjyqësor të mbahet në gjykim të hapur, siç parashihet me legjislacionin e Kosovës.
Raporti i Dytë për Monitorimin e seancave gjyqësore nga qytetarët i paraqet gjetjet kryesore të monitorimit të 500 gjykimeve penale të mbajtura në mbarë Kosovën në periudhën ndërmjet muajve janar-shkurt 2022 nga 20 vëzhgues laikë, krahas rekomandimeve të IKD-së për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Përmes këtij aktiviteti monitorues, monitoruesit laikë – të përzgjedhur nga radhët e qytetarëve pa përvojë të mëparshme juridike dhe të trajnuar nga IKD-ja dhe EULEX-i për konceptet kryesore të procedurave gjyqësore dhe monitorimit të gjykimeve – e kanë ushtruar të drejtën e çdo qytetari në Kosovë për të marrë pjesë në seanca publike, duke e parë drejtpërdrejtë se si funksionojnë institucionet e drejtësisë.
Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve -it, Hubert van Eck Koster, e theksoi rëndësinë e kësaj nisme për ta rritur llogaridhënien institucionale dhe për ta ndërtuar besimin e njerëzve në sistemin e drejtësisë. “Thelbi i këtij projekti është mundësia e zvogëlimit të hendekut mes qytetarëve dhe gjyqësorit, ndërsa gjykimet publike janë një element thelbësor i parimit të një gjykimi të drejtë, i cili përfundimisht çon tek një llogaridhënie dhe transparencë të përmirësuar të sistemit gjyqësor”, tha Van Eck Koster.
Duke i prezantuar rekomandimet e raportit, Drejtuesi i Programeve/Hulumtues i Lartë Ligjor në KLI, Gzim Shala, e theksoi rëndësinë e fuqizimit të monitorimit të gjyqësorit, duke spikatur se sa: “është e rëndësishme që të vazhdohet rritja e ndërgjegjësimit për të drejtën, jo vetëm të mediave dhe shoqërisë civile, por edhe të qytetarëve laikë për ta monitoruar sistemin e drejtësisë. Ndërsa e ushtrojnë këtë të drejtë thelbësore, qytetarët në fakt japin një kontribut jetik për llogaridhënien e gjyqësorit ndaj tërë shoqërisë”.
Gjetjet kryesore nga monitorimi laik tregojnë se në fushën penale, gjykatat e Kosovës janë pothuajse tërësisht transparente. Për më tepër, shumica e monitoruesve laikë e vlerësuan përvojën si pozitive dhe konfirmuan se ajo kishte një ndikim pozitiv në opinionin e tyre për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Duke e parë personalisht se si respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë gjykimeve, u mundësoi atyre që të fitojnë besim në mënyrën se si funksionon gjyqësori.
Monitorimi gjyqësor është kryer në Gjykatat Themelore të Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit, si dhe në dy degët në Shtërpcë dhe Lipjan .
Nga këto 500 seanca gjyqësore janë mbajtur dhe monitoruar 417 seanca të gjykimeve penale, ndërsa janë akuzuar gjithsej 1053 të dyshuar për 661 vepra të ndryshme penale.
Në maj të vitit 2020, IKD ka nxjerrë raportin “Drejtësia në sytë e qytetarëve” si pjesë e fazës së parë të projektit të financuar nga EULEX-i, i cili është zbatuar nga tetori 2019 deri në mars 2020.