Vetingu në Kosovë pas Opinionit të Komisionit të Venecias  

Vetingu në Kosovë pas Opinionit të Komisionit të Venecias  

Vetingu në Kosovë pas Opinionit të Komisionit të Venecias  

Shkruan: Jeton HASANI

Komisioni i Venecias nuk e konsideroi të arsyeshëm dhe proporcional vetingun e tërësishëm në sistemin e drejtësisë në këtë kohë, duke përkrahur vetëm një veting të pjesërishëm. Por, pas një kohe, po qe se ndiqen rekomandimet e dhëna në Opinion dhe po qe se do të shihet i nevojshëm, vetingu në sistemin e drejtësisë në Kosovë do të mund të zhvillohet i plotë, ashtu siç ishte synuar nga pushteti ekzekutiv.  

Zhvillimi i vetingut të tërësishëm në sistemin e drejtësisë ishte ndër premtimet kyçe elektorale të partisë në pushtet gjatë zgjedhjeve të vitit 2021. Për të përmbushur këtë premtim, Ministria e Drejtësisë ndërmori një sërë veprimesh përgjatë kësaj periudhe. Ndër to veçojmë hartimin e Koncept-dokumentit për Zhvillimin e Procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, hartimin e amendamenteve kushtetuese lidhur me këtë proces, si dhe dërgimin e Koncept-dokumentit dhe amendamenteve kushtetuese në Komision të Venecias, për të vlerësuar se sa iniciativa e ndërmarrë respekton Kushtetutën e vendit dhe standardet ndërkombëtare.

Opsionet e diskutuara për zhvillimin e vetingut në Kosovë varionin nga thjeshtë përforcimi i mekanizmave ekzistues, e deri te vetingu tërësor në sistemin e drejtësisë përmes ndryshimeve kushtetuese. Në fund, Qeveria u pozicionua për vetingun tërësor dhe të përkohshëm, që në Koncept-dokument prezantohet si opsioni i pestë. Sipas këtij opsioni, përmes ndryshimeve kushtetuese, fillimisht do të krijohej një mekanizëm i jashtëm për zhvillimin e vetingut fillestar, kurse më pastaj vlerësimi i vazhdueshëm do të bëhej nga Këshilli Gjyqësor (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial (KPK). Subjekte të vetingut do ishin anëtarët e KGJK dhe KPK, Kryeprokurori i Shtetit, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, administratorët e gjykatave, drejtorët e sekretariateve të Këshillave, etj.

Iniciativa e Qeverisë për veting të tillë të tërësishëm në sistemin e drejtësisë nuk gjeti përkrahje në Komisionin e Venecias. Komisioni përkrahi vetëm një veting të pjesshëm. Në opinionin CDL(2022)020 të datës 20 qershor 2022, Komisioni i Venecias konsideroi se vetingu në tërë sistemin e drejtësisë momentalisht nuk është i arsyeshëm.

Argument kyç i Komisionit për të dhënë këtë konkluzion ishte fakti se, sipas vlerësimit të raportuesve, niveli i korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë nuk ishte aq i lartë sa të arsyetonte zhvillimin e vetingut ndaj tërë sistemit të drejtësisë (sikurse në shtetet tjera ku korrupsioni i skajshëm e bënte vetingun në shkallë të gjerë të domosdoshëm).

Megjithatë, edhe pse Komisioni i Venecias nuk përkrahi vetingun e plotë aktualisht, duke e parë atë si masë tejet të rëndë, ndjekja e rekomandimeve të dhëna nga Komisioni mund të sjellë ndërkohë vetingun e synuar nga Qeveria e Kosovës—po qe se do të jetë i nevojshëm—megjithëse mbase me shtyrje të caktuara në aspektin kohor.

Përkatësisht, sipas Komisionit të Venecias, para se të mund të ndodhë vetingu në shkallë të gjerë ashtu siç është synuar, nevojitet që të eksplorohen masa tjera (më të buta) të reformimit të sistemit të drejtësisë. (Se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë të theksuar për reformim nuk kontestohet fare.) Po qe se, pas një kohe të arsyeshme, këto masa dalin të jenë të pamjaftueshme për të siguruar integritetin e duhur në sistemin e drejtësisë, atëherë mund të vazhdohet me vetingun e tërësishëm.

Këto masa më të buta të rekomanduara kryesisht përfshijnë çështjen e përforcimit të sistemit kontrollues të deklarimeve të pasurisë si dhe përforcimin e njësive vlerësuese përbrenda Këshillave. Krahas kësaj, duhet pritur edhe rezultatet e reformave të caktuara të ndërmarra në drejtësi, si për shembull ndryshimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial si dhe krijimin e mekanizmit të konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme.

Krahas pritjes së efekteve të këtyre masave, Komisioni i Venecias e sheh të pranueshëm dhe proporcional zhvillimin e vetingut ad hoc për subjekte të caktuara të sistemit të drejtësisë: për anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, kryetarët e gjykatave si dhe kryeprokurorët.

Ideja në rastin e anëtarëve të Këshillave është që t’i nënshtrohen vetingut aktorët përgjegjës për disiplinimin e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që pastaj vlerësimi i vazhdueshëm nga ana e tyre të jetë adekuat. Natyrisht, një veting i tillë mund të ndodhë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.

Rrjedhimisht, deri në kohën kur të përcaktohet niveli i suksesit të masave më të buta, subjekte të caktuara të sistemit të drejtësisë mund t’i nënshtrohen vetingut. Pastaj, po qe se pas një kohe krijohet bindja se reformat më të buta nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara në ngritjen e integritetit në drejtësi, atëherë vetingu do të ishte proporcional edhe po qe se do zgjerohej tutje për të përfshirë subjektet tjera të sistemit të drejtësisë, në veçanti të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.

Një gjë e tillë nuk është shumë larg synimeve fillestare të Qeverisë siç përshkruhen në Koncept-dokument, ku ishte paraparë që vetingu në Këshilla të ndodhte para vetingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të rëndomtë.

Si përfundim, megjithëse Komisioni i Venecias nuk përkrahi vetingun e tërësishëm në sistemin e drejtësisë momentalisht, në një të ardhme jo aq të largët, po qe se do të jetë i nevojshëm, do të jetë i mundur në aspektin juridik zhvillimi i vetingut në Republikën e Kosovës ashtu siç ishte synuar—me kusht që ndërkohë do të zbatohen rekomandimet e dhëna në Opinion.

 

Autori është hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).