Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë muajit prill 2022 ka miratuar tre projektligje të cilat kanë qenë të parapara të vendosen në rend të ditës në muajin maj dhe qershor 2022.
Projektligjet e miratuara janë:
- Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore
- Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-066 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2022
- Projektligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes
Për më tepër, me 13.04.2022, në mbledhjen e 69-të, Qeveria e Kosovës mori vendimin për ta ndryshuar dhe plotësuar Programin Legjislativ për vitin 2022, sipas të cilit shtohen nëntë projektligje, 12 (dymbëdhjetë) projektligjeve u ndryshohet afati i aprovimit të tyre në Qeveri ndërkaq një projektligji, atij për Avokaturën Shtetërore i ndryshohet emërtimi në Projektligjin për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedurat gjyqësore dhe arbitrazh.