Prishtinë, 04 maj 2022 – Studentët e Klinikës Ligjore të organizuar në kuadër të Qendrës për Edukim Profesional të Institutit të Kosovës për Drejtësi, janë aftësuar në fushën e së drejtës kushtetuese. Ata kanë pasur mundësi që në mënyrë praktike të shohin, mësojnë dhe praktikojnë hartimin e një kërkese drejtuar Gjykatës Kushtetuese, të diskutojnë raste reale të trajtuara nga kjo Gjykatë dhe të diskutojnë më tepër mbi rëndësinë e tyre. Ky trajnim praktik për studentët e Klinikës Ligjore është mbajtur nga ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesori universitar z. Enver Hasani. Për studentët pjesëmarrës në ditët në vijim do të mbahen edhe trajnime praktike nga e drejta ndërkombëtare, në mënyrë që të njëjtit të aftësohen edhe në këtë fushë. Kjo seri e trajnimeve është organizuar në kuadër të programit trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e akiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD. Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).