Drejtuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

Drejtuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

Drejtuesit e IKD-së avokojnë për zbatimin e rekomandimeve tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

Prishtinë, 22 nëntor 2019 – Drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj dhe Betim Musliu, të hënën, kanë takuar menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosvës, me në krye Drejtorin e Përgjithshëm, Rashit Qalaj, me qëllim që t’ia dorëzojnë raportet e monitorimit dhe hulumtimit sistematik të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në vend si dhe për të avokuar për zbatimin e rekomandimeve të IKD-së. “Në kuadër të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, kemi zhvilluar një takim të dobishëm me Drejtorin e Policisë, z. Rashit Qalaj, të cilit ja kemi dorëzuar në kopje fizike raportet e IKD-së të publikuara gjatë vitit 2019. Kemi diskutuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet kryesore të këtyre raporteve të IKD-së, për të cilat kemi marrë zotimin e kreut të policisë, se do të shqyrtohen seriozisht për t’i zbatuar Policia e Kosovës në kuadër të mandatit të saj”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së.

Miftaraj ka ngritur për diskutim disa prej raporteve specifike në kuadër të mandatit të Policisë së Kosovës, për të cilat ka kërkuar nga menaxhmenti i Policisë që të shqyrtojnë gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e IKD-së. “Ndër temat me interes që kemi diskutuar në këtë takim është problematika e trajtuar nga IKD në raportin “Vërtetimi për të kaluarën kriminale – cenim i sigurisë juridike”, pra kemi avokuar që të ndërmerren hapa konkret nga Policia e Kosvës në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor që të zbatohet korniza ligjore sa i përket këtyre dokumenteve”, tha Miftaraj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka vlerësuar punën e IKD-së në monitorimin dhe hulumtimin e temave me rëndësi në fushën e drejtësisë dhe policisë, të cilat sipas tij, pasqyrojnë gjendjen reale të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në vend. “Me IKD-në kemi një bashkëpunim të ngushtë në kuptim të angazhimit profesional dhe në procesin e monitorimit dhe hulumtimit të kësaj organizate, ne si Polici e Kosovës me kënaqësi kemi ofruar bashkëpunim dhe qasje të plotë që mundësohet nga ligji për ta skanuar sa më mirë realitetin e funksionimit dhe rezultateve të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë”, tha Qalaj.

Në këtë drejtim, Drejtori Qalaj, theksoi se ai dhe Policia e Kosovës vazhdimisht kanë shqyrtuar me prioritet gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet që kanë dalë nga raportet e IKD-së për të përmirësuar performancën e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë. “IKD ka dëshmuar se kritikat i bazon në hulumtime të pavarura dhe profesionale, prandaj si të tilla ato medoemos pranohen nga ne sepse përmes tyre dhe rekomandimeve konkrete na ndihmojnë neve si Polici e Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve tona në ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe luftimin e të gjitha llojeve të kriminalitetit në vend.”

IKD në vazhdimësi ka avokuar tek të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, duke dërguar të gjitha raportet me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete si dhe duke takuar zyrtarët përgjegjës në të gjitha institucionet me rëndësi për të shtyrë përpara politikat që rritin efikasitetin dhe efektivitetin e punës së sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, për të mundësuar realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe qasjen e tyre në drejtësi.