Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Pejë

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Pejë

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Pejë

Pejë, 17 tetor – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, dhe Syri i Vizionit kanë organizuar të enjtën në Pejë tryezën “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.

Betim Musliu nga IKD, tha se qëllimi i kësaj tryeze është ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Ky rol proaktiv sivjet është bërë me inciativë të Kryeprokurori të Shtetit, i cili ka aktivizuar institucionet e drejtësisë, në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Musliu tha se ky rol proaktiv ishte rekomandim i dal nga raporti i IKD-së i publikuar vitin e kaluar “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se institucionet e drejtësisë për zgjedhjet e 3 nëntorit janë përgatitur si asnjëherë më parë për të luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. Pula, tha se ky bashkëpunim i ngushtë i institucioneve të drejtësisë është obligim ligjor, por poashtu buron fuqishëm edhe nga nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013”, nga i cili Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV), që sigurojnë efikasitetit për luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. “Në të gjithë Kosovën do të jenë kujdestar 50 prokuror së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës. Parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit”.

Pula tha se Kodi Penal me Kapitullin e kushtuar veprave penale kundër të drejtave të votimit ka ashpërsuar dënimet. Ndërsa, tha se ndjekja dhe hetimi i keqpërdoruesve të votave, do të bëhet në të gjitha rastet, përfshi ato raste specifike, kur veprat penale kundër të drejtave të votimit, kryhen nga komisionerët dhe nuk lajmërohen. “Prokurorët së bashku me policinë do të shfrytëzojnë dispozitat ligjore për të verifikuar dhe ndalur të gjithë personat e inkriminuar, të cilët do të ndalen dhe arrestohen me urgjencë. Deri tash ju njoftoj se kemi tri raste të iniciuara për këto zgjedhje, në dy raste kemi hetime në proces, ndërsa një personi i është caktuar arresti shtëpiak”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, z. Agron Galani, tha se kjo prokurori për zgjedhjet e vitit 2010, ka evidentuar 37 lëndë me gjithsej 247 persona. “Prej këtyre rasteve një lëndë është hedhur poshtë ndërsa janë ngritur 36 aktakuza, prej të cilave nga ana e gjykatës 22 aktakuza janë konfirmuar. Kemi 3 aktgjykime dënuese me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 90 ditëve, dhe për të tri këto aktgjykime kemi ushtruar ankesë”.

Kryeprokurori Galani tha se prokurorët e kësaj prokurorie në mënyrë aktive do të ndërmarrin aktivitete dhe masa gjatë tërë procesit të zgjedhjeve në hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre që bien ndesh me dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtës së votimit. Galani tha se Prokuroria Themelore e Pejës ka caktuar nga një prokuror kujdestar për komunën e Deçanit, Istogut, Klinës dhe Junikut, ndërsa për komunën e Pejës do të jenë dy prokurorë kujdestar. Koordinatori për zgjedhje nga Policia e Kosovës, Rashit Qalaj, tha se policët përgjatë gjithë procesit zgjedhor do të jenë syqelë për t’iu përgjigjur të gjitha rastevve që ndërlidhen me zgjedhjet. “Bashkëpunimi me Prokurorin e Shtetit përmes PSV-ve vërtetë do të siguroj një efikasitet të shtuar të reagimeve të policëve dhe prokurorëve në të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penal kundër të drejtave të votimit”.

Qalaj tha se bazuar në përvojat e kaluara të zgjedhjeve, Policia e Kosovës ka bërë analizat e veta, sipas të cilave ka përgatitur edhe planet e veta të veprimit. “Kemi mësuar shumë nga përvojat e kaluara prandaj bashkë me prokurorët jemi duke i zbatuar PSV-të në mënyrë të efektshme që askush të mos cenoj votën e lirë të qytetarëve. Ju inkurajoj që të lajmëroni çdo parregullësi në Policinë e Kosovës”.

Sikurse në debatet e kaluara, përfaqësuesit e partive politike, ku pjesa dërrmuese ishin kandidatë për kryetarë, kanë përgëzuar këtë iniciativë, duke u shprehur se këto aktivitete kanë munguar pikërisht në zgjedhjet e kaluara, ndërsa kanë ngritur shqetësime rreth çështjeve që ndërlidhen me zgjedhjet, duke filluar prej heqjes së posterëve, përfshirjes së komisionerëve nën hetime në zgjedhjet e 3 nëntorit, fotografimit të votave nga votuesit si dhe adresave se ku duhet të lajmërohen rastet e keqpërdorimit të zgjedhjeve. Sivjet me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 18 shtator 2013 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet 2013” në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Qëllimi i këtij memorandumi është ngritja e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim të suksesshëm të veprave penale kundër të drejtave të votimit duke përfshirë këtu, edhe parandalimin e këtyre veprave penale që bien ndesh me legjislacionin në fuqi. Si rezultat i këtij memorandumi Prokurori i Shetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Betim Musliu nga IKD tha se ky institut përmes monitoruesve të vet do të monitorojë zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013”.
Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në pesë qendrat tjera si në Mitrovicë, Ferizaj, Prishtinë dhe Gjilan.