Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Mitrovicë

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Mitrovicë

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Mitrovicë

Mitrovicë, 18 tetor – Seria e tryezave të diskutimit “Drejtësia në Zgjedhjet e 3 nëntorit” vazhdoi sot në rajonin e Mitrovicës, e cila u organizua në bashkëpunim me OJQ Mundësia. Këto tryeza janë duke u organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit në shtatë qendrat kryesore në Kosovë. Gjatë diskutimit në Mitrovicë kanë marrë pjesë 35 persona nga institucione të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, kandidatë të partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.

Me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 18 shtator 2013 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet 2013” në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim të suksesshëm të veprave penale kundër të drejtave të votimit duke përfshirë këtu, edhe parandalimin e këtyre veprave penale që bien ndesh me legjislacionin në fuqi. Si rezultat i këtij memorandumi Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Betim Musliu tha se IKD vitin e kaluar ka publikuar raportin “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”, në të cilën kishte bërë rekomandime konkrete rreth rolit proaktiv që duhet ta ketë Prokurori i Shtetit në rastet që ndëlidhen me veprat penale kundër të drejtav të votimit, gjë që po ndodh tani, por që ky rol duhet të monitorohet deri në përfundim të procesit të zgjedhjeve.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë proaktiv, pasi është nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe janë krijuar PSV. “Janë caktuar 50 prokuror në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që biesh ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit”. Pula theksoi se parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. “PSV-të ofrojnë mundësi që të reagojnë në të gjitha rastet me urgjencë. Pra, do të reagojmë dhe arrestojmë persona edhe në rastet kur kryhen veprat penale kundër të drejtave të votimit dhe nuk lajmërohen nga përgjegjësit që duhet ta bëjnë këtë… Poashtu, do të ndalojmë të gjithë personat që bombardojnë opinionin publik me informata të rrejshme, të cilat krijojnë opinion të gabuar për qëllime të caktuara”. Pula tha se tashmë janë disa raste nën hetime dhe ka masa të caktuara ndaj personave të dyshuar për këto zgjedhje, duke inkurajuar si Koordinatore Nacionale të gjithë qytetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve në polici dhe prokurori, sepse siç tha ajo, institucionet e drejtësisë do të jenë kujdestar gjatë gjithë procesit zgjedhor për të garantuar se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë me votën e qytetarëve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z.Shyqri Syla, tha se tashmë janë caktuar prokurorët kujdestar që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë për Rajonin e Mitrovicës. “Ne kemi caktuar prokurorët të cilët do të punojnë ngushtë me policinë për të vepruar me urgjencë ndaj të gjithë keqpërdoruesve, në përputhje me dispozitat ligjore dhe PSV-të, të cilat sigurojnë një efikasitet të shtuar të policisë dhe prokurorëve”.

Koordinatori për zgjedhje nga Policia e Kosovës, z. Rashit Qalaj, tha se Policia e Kosovës ka analizuar përvojat e zgjedhjeve të kaluara dhe ka përgatitur planet e veprimit, të cilat do të mundësojnë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorët, me të cilët si asnjëherë më parë do të sigurohet një zbatim efikas i PSV-ve. “Duhet ta dinë të gjithë që policia në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë me urgjencë për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve. Nuk ka pardon për askend, këtë duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët, partitë politike, komisionerët e tyre, zyrtarët apo kushdo tjetër që tenton të përfshihet në keqpërdorime”.

Gjykatësi në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, z. Beqir Halili, tha se Kodi Penal i Kosovës i ka kushtuar një kapitull të veçantë veprave penale kundër të drejtave të votimit dhe ka ashpërsuar dënimet, duke i kategorizuar si krime të rënda. Halili tha se Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka caktuar gjykatësin kujdestar, për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve që mund të paraqiten lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Pjesa e diskutimeve me të gjithë pjesëmarrësit nga partitë politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetarë, shoqëria civile dhe mediat ishte shumë aktive për tu informuar me rolin e institucioneve të drejtësisë. Pjesëmarrësit në diskutime kanë përgëzuar iniciativën dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth numrit të vogël, sipas tyre, të personave të akuzuar dhe dënuar për rajonin e Mitrovicës, rreth personave të burgosur të cilët votojnë, rreth pastrimit të listës së votuesve nga personat e vdekur etj.

Ky aktivitet do të është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në gjashtë qendrat tjera si në Ferizaj, Prishtinë dhe Gjilan.