Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Gjilan

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Gjilan

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Gjilan

Gjilan, 23 tetor – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë organizuar të mërkurën në Gjilan tryezën e shtatë dhe të fundit “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.

Z. Betim Musliu nga IKD, tha se qëllimi i kësaj tryeze është ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Ky rol proaktiv sivjet është bërë me inciativë të Kryeprokurori të Shtetit, i cili ka aktivizuar institucionet e drejtësisë, në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Musliu tha se ky rol proaktiv ishte rekomandim i dal nga raporti i IKD-së i publikuar vitin e kaluar “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”.

 

Sivjet me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 18 shtator 2013 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet 2013” në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Qëllimi i këtij memorandumi është ngritja e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim të suksesshëm të veprave penale kundër të drejtave të votimit duke përfshirë këtu, edhe parandalimin e këtyre veprave penale që bien ndesh me legjislacionin në fuqi. Si rezultat i këtij memorandumi Prokurori i Shetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) për të shtuar efikasitetin e veprimeve për veprat penale kundër të drejtave të votimit. IKD do ta monitorojë zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013”.

 

Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë keqpërdoruesve eventualë të votave që mund të ndodhin lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti. Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se institucionet e drejtësisë për zgjedhjet e 3 nëntorit janë përgatitur si asnjëherë më parë për të luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. Pula, tha se institucionet e drejtësisë kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013”, nga i cili Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV), që sigurojnë efikasitetit për luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. Pula theksoi se në të gjithë Kosovën do të jenë kujdestar 50 prokuror së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës. “Parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit”.

 

Pula tha se Kodi Penal me Kapitullin e kushtuar veprave penale kundër të drejtave të votimit ka ashpërsuar dënimet. Ajo tha se policia me prokurorët veçse kanë filluar hetimet në disa raste lidhur me këto zgjdhje si dhe janë shqiptuar disa masa ndaj personave të dyshuar. “Kjo tregon seriozitetin që kanë institucionet e drejtësisë për të ndjekur keqpërdoruesit e votave”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, z. Jetish Maloku, tha se prokurorët do të zbatojnë dispozitat ligjore dhe PSV-të që të mos lejojnë asnjë lloj të manipulimit më votat e qytetarëve. “Prokurorët e kësaj prokurorie në mënyrë aktive do të ndërmarrin aktivitete dhe masa gjatë tërë procesit të zgjedhjeve në hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre që bien ndesh me dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtës së votimit. Për këtë kemi caktuar prokurorët kujdestar në të gjitha komunat që i mbulon Prokuroria Themelore e Gjilanit”. Komandantja Rajonale për Gjilanin nga Policia e Kosovës, z. Elmina Mahmuti tha se policët përgjatë gjithë procesit zgjedhor do të jenë syqelë për t’iu përgjigjur të gjitha rastevve që ndërlidhen me zgjedhjet.

 

“Ne jemi përgatitur dhe kemi planet tona të veprimit… Policia do të mbuloj 117 pika në shtatë komunat e Rajonit të Gjilanit, ku do të angazhohen 22 hetues rajonalë më të mirët dhe që janë trajtuar për këtë çështje”. Mahmuti tha se bashkëpunimi me Prokurorin e Shtetit përmes PSV-ve vërtetë do të siguroj një efikasitet të shtuar të reagimeve të policëve dhe prokurorëve në të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penal kundër të drejtave të votimit. “Kërkojmë që të gjithë të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve që ndërlidhen me zgjedhjet, duke denoncuar ato në Policinë e Kosovës”.

 

Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, z. Zyhdi Haziri, tha se gjykatësit në Gjilan sa i përket zgjedhjeve të vitit 2010 kanë shqiptuar kryesisht dënime me burgim ndaj keqpërdoruesve të votave. “Sesa të rëndësishme janë zgjedhjet flasin edhe vendimet e gjykatësve, të cilët kanë vlerësuar dëmin e shkaktuar dhe kanë shqiptuar dënime kryesisht me burgim efektiv… Ndërsa, sivjet njëjtë sikurse policia dhe prokuroria edhe gjykatat kanë vendosur që të kenë gjykatësit kujdestar për t’iu përgjigjur me efikasitet rasteve që ndërlidhen me zgjedhjet. Haziri ka elaboruar disa prej veprave penale kundër të drejtave të votimit, duke theksuar se Kodi i ri Penal i ka ashpëruar dënimet.

Sikurse në debatet e kaluara, përfaqësuesit e partive politike, ku pjesa dërrmuese ishin kandidatë për kryetarë, kanë përgëzuar këtë iniciativë, duke u shprehur se këto aktivitete kanë munguar pikërisht në zgjedhjet e kaluara, ndërsa kanë ngritur shqetësime rreth çështjeve që ndërlidhen me zgjedhjet, duke filluar prej heqjes së posterëve, përfshirjes së komisionerëve nën hetime në zgjedhjet e 3 nëntorit, fotografimit të votave nga votuesit si dhe adresave se ku duhet të lajmërohen rastet e keqpërdorimit të zgjedhjeve, shtrimi i drekave dhe darkave në kohë fushate për qëllime politike etj.
Ky ishte aktiviteti i fundit në serinë e tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që janë zhvilluar në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që është përkrahur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.