Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas shqyrtimit të 16355 ankesave ka refuzuar si të pabazuara 10419 sosh, përderisa ka miratuar si të bazuara 5458 apele. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është detyruar t’i fusë në listën zgjedhore, edhe pas certifikimit të kësaj liste, rreth 6 mijë votues serbë, të cilët janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të cilat ky i fundit i ka vlerësuar pozitive.
Zyrtarë të KQZ-së vlerësojnë se vendimi për t’i aprovuar aplikacionet e ardhura nga Serbia është vendim politik dhe në funksion të kërkesave dhe të interesave të Serbisë për rritjen e numrit të votuesve në katër komunat veriore të Kosovës.
Sipas tyre, kur dështuan t’i aprovojnë këto aplikacione në KQZ një gjë të tillë po e arrijnë përmes PZAP-it me ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës dhe të OSBE-së.