Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Ferizaj

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Ferizaj

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Ferizaj

Ferizaj, 21 tetor – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe OJQ INPO, kanë organizuar të martën në Ferizaj tryezën e pestë me radhë “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.


Betim Musliu nga IKD, tha se qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Musliu, tha se manipulimi masiv që ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2010, ka përfshirë një numër enorm të komisionerëve të akuzuar për manipulimin e votave, duke kthyer Kosovën mbrapa në të gjitha proceset, duke nxjerrë institucione jo shumë legjitimite dhe duke dëmtuar imazhin e Kosovës në sy të botës. “Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në të cilat roli i organeve ndjekëse nuk ka qenë proaktiv, sivjet me inciativë të Kryeprokurori të Shtetit janë aktivizuar institucionet e drejtësisë, duke luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit”.

Ky rol proaktiv, ishte edhe rekomandim i dal nga raporti i IKD-së, “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”. Musliu tha se krijimi i Procedurave Standarde të Veprimit (PSV) do të obligojë policinë dhe prokurorinë që në secilin rast ku ka persona të përfshirë në krime të zgjedhjeve, të hetohen elementet e krimit të organizuar në zgjedhje. IKD do të monitorojë zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013, prej të cilave burojnë PSV-të. Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se Prokurori i Shtetit është shumë proaktiv, pasi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe ka krijuar PSV. Ajo theksoi se parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. “Do të reagojmë dhe arrestojmë persona edhe në rastet kur kryhen veprat penale kundër të drejtave të votimit dhe nuk lajmërohen nga përgjegjësit që duhet ta bëjnë këtë … Do të ndalojmë edhe ata persona që deklarojnë rrejshëm, të cilat krijojnë opinion të gabuar për qëllime të caktuara”. Pula tha se janë caktuar 50 prokuror në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që biesh ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Për zgjedhjet e 3 nëntorit, Pula tha se tashmë kanë inicuar disa raste të cilat janë nën hetime dhe kanë shqiptuar masa të caktuara ndaj personave të dyshuar për këto zgjedhje. Ajo ka inkurajuar të gjithë qytetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve në polici dhe prokurori, pasi siç tha ajo, institucionet e drejtësisë do të jenë kujdestar gjatë gjithë procesit zgjedhor për të garantuar se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë me votën e qytetarëve.


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Agron Qalaj, tha se kjo prokurori për zgjedhjet e vitit 2010 ka pranuar 47 lëndë me 268 persona, ndërsa prej tyre ka ngritur gjithsej 38 aktakuza me 251 persona. “Prej tyre 15 lëndë janë me aktgjykim kundër 85 personave, 16 lëndë janë konfirmuar, ndërsa 7 lëndë janë me aktakuzë”. Kryeprokurori Qalaj tha se janë caktuar prokurorët kujdestar që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë për Rajonin e Ferizajit. “Edhe sot janë po e shihni se janë të pranishëm prokurorët kujdestar prej të cilëve dy do të jenë kujdestar në Ferizaj dhe nga një në Shtime, Kaçanik, Shtërpc dhe Hani i Elezit”. Pra, të gjithë si asnjëherë deri tash do të jenë afër të gjitha zhvillimeve të procesit zgjedhor, për të reaguar me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet”. Ai tha se prokurorët do të punojnë ngushtë me policinë për të vepruar ndaj të gjithë keqpërdoruesve, në përputhje PSV-të që burojnë nga dispozitat ligjore, përmes të cilave do të sigurohet efikasitet i shtuar i policisë dhe prokurorëve.


Koordinatori për zgjedhje nga Policia e Kosovës, z. Rashit Qalaj, tha se organet policore si gjithmonë edhe këtë herë kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të siguruar procesin zgjedhor. “Policia e Kosovës edhe këtë herë ka analizuar përvojat e zgjedhjeve të kaluara dhe ka përgatitur planet e veprimit, të cilat do të mundësojnë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorët, me të cilët si asnjëherë më parë do të sigurohet një zbatim efikas i PSV-ve”. Koordinatori Qalaj, tha se të gjithë duhet ta dinë se policia në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë me urgjencë për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve. “Tashmë po besoj se partitë politike por edhe opinioni publik e ka kuptuar se nuk do të ketë pardon për askend, duhet ta dinë të gjithë se veprimet do të jenë urgjente në përputhje me ligjin për të luftuar çdo manipulim me votat”.


Gjykatësi në Gjykatën Themelore të Ferizajt, z. Sahit Krasniqi, tha se Kodi Penal i Kosovës i ka ashpërsuar dënimet për veprat penale kundër të drejtave të votimit, duke i kategorizuar ato si krime të rënda, në një kapitull të veçantë. Krasniqi, tha se Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shqiptuar dënime të ashpra ndaj të gjithë atyre për të cilët është vërtetuar se janë përfshirë në manipulime, duke iu caktuar dënime me burgim efektiv. “Gjykata jonë ka qenë ndër të parat që ka shqiptuar dënime me burgim për krimet e zgjedhjeve dhe kjo tregon se dënimet kanë qenë në përputhje me dëmin e shkaktuar nga manipuluesit e votave”.


Pjesa e diskutimeve me të gjithë pjesëmarrësit nga partitë politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetar, shefat e shtabeve zgjedhore, kandidat për asambleistë nga partitë politike, drejtorët e shkollave njëherësh menaxherët e vendvotimeve, shoqëria civile dhe mediat ishte shumë aktiv për tu informuar me rolin e institucioneve të drejtësisë. Pjesëmarrësit në diskutime kanë përgëzuar iniciativën dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth pastrimit të listës së votuesve nga personat e vdekur, menaxherëve të vendvotimeve, problemet e Rajonit të Ferizajit me thirrjet telefonike në numrin e Policisë së Kosovës 192, ndaljen e rrymës në kohën kur fillon procesi i numërimit të votave, etj. Ky aktivitet do të është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në Prishtinë (e martë 22 tetor) dhe Gjilan (e mërkurë, 23 tetor).