Prishtinë, 30 janar 2020 – Paneli Këshillëdhënës i Ekspertëve Ligjor në Republikën e Kosovës (LEAP Kosova), të enjten, së bashku me anëtarët e LEAP-it holandez, dy gjyqtarë holandez dhe përfaqësues nga Fair Trials dhe Komitetin e Helsinkit vizituan disa nga akterët kryesor të sundimit të ligjit në Kosovë.
Gjatë vizitës ata u takuan me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës z. Enver Peci, Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj. Afërdita Bytyqi dhe disa gjyqtarë të tjerë, ku diskutuan lidhur me caktimin e avokatëve mbrojtës sipas detyrës zyrtare si dhe krijimin e praktikave të vizitave më të shpeshta në qendrat korrektuese dhe në ato të paraburgimit, nga ana e kryetarëve të Gjykatave Themelore.
Gjatë këtyre vizitave po ashtu u diskutua në detaje lidhur me interpretimin e nenit 58 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), “Mbrojtësi me shpenzime publike, kur mbrojtja nuk është e detyruar”, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) kur marrin vendime lidhur me “interesin e drejtësisë” që ndikojnë në të drejtat e të pandehurit sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Tutje, anëtaret e LEAP-it në Kosovë, anëtarët e LEAP-it holandez, dy gjyqtarë holandez dhe përfaqësues nga Fair Trials dhe Komitetin e Helsinkit u takuan me përfaqësues të Policisë së Kosovës, ku diskutuan më shumë lidhur me të drejtat e të akuzuarve dhe dyshuarve në procedura penale, gjegjësisht të drejtat e tyre për të pasur përfaqësim ligjor, parandalimin e dhunës në qendra të paraburgimit dhe qendra korrektuese, si dhe të drejtat e personave të privuar nga liria. Të njëjtit diskutuan edhe për rëndësinë e shpjegimit të pasojave të heqjes dorë nga përfaqësimi ligjor gjatë procedurave penale.
Të pranishëm në këto takime ishin z. Tomasz Kodrzycki, z. Tom van Assendelft de Coningh dhe znj. Gwen Jansen, avokatë të fushës penale dhe anëtare të LEAP-it holandez, z. Kees van der Weide dhe znj. Katerien Witteman, gjyqtarë në Holandë dhe dikur gjyqtarë në Kosovë, znj Annemiek van Goor nga Komiteti i Helsinkit dhe znj. Ilze Tralmaka nga Fair Trials.
Kurse, nga LEAP Kosova pjesëmarrës në takime ishin z. Ehat Miftaraj dhe z. Anton Ndrecaj nga organizatat e shoqërisë civile, znj. Luljeta Plakolli-Kasumi, znj. Gjylbehare Murati dhe znj. Albulena Ukimeri nga fusha akademike si dhe z. Kushtrim Palushi nga avokatia.
Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me CLARD, Fair Trials Europe dhe Komitetin e Helsinkit, janë në proces të zbatimit të projektit “Avancimi i të drejtave të pandehurve në procedurë penale”, mbështetur nga Ambasada Holandeze në Prishtinë përmes Projektit MATRA.
Qëllimi i këtij projekti është promovimi i të drejtave të të pandehurve për një proces gjyqësor të drejtë në Kosovë. IKD përmes këtij projekti në bashkëpunim me CLARD, Fair Trials Europe dhe Komitetin e Helsinkit kanë themeluar Panelin Këshillëdhënës të Ekspertëve Ligjor në Republikën e Kosovës (LEAP Kosova), i cili është në proces të anëtarësimit në Rrjetin e Ekspertëve Ligjor Evropian të Fair Trials (LEAP)