Politika në Gjyqësor

Politika në Gjyqësor

Politika në Gjyqësor

Prishtinë, 23 mars 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mirëpritur dekretimin e sotëm të gjykatësve për Gjykatat e Qarkut në sistemin gjyqësor të Kosovës. Në mesin e të dekretuarve gjendet edhe njëri prej katër kandidatëve, të cilët në tetor 2010 ishin eliminuar dhe nuk ishin dekretuar nga ish-ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi. Mos dekretimi i tyre ishte bërë pa dhënë arsyetime për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe mbarë opinionin, duke i lënë hije të keqe procesit të riemërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, i vlerësuar me të drejtë si procesi më i rëndësishëm i reformës në sistemin e drejtësisë që nga përfundimi i luftës. 

IKD në gusht të vitit 2011, në raportin “Procesi i ri-emërimit, pavarësia dhe ndikimet”, këtë veprim të ish-ushtruesit të detyrës së Presidentit, z. Jakup Krasniqi, e ka vlerësuar si ndërhyrje politike në këtë proces të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend. Padyshim, se kjo nuk ka kaluar pa u theksuar në shumë raporte të organizatave dhe institucioneve më kredibile si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, përfshi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. 

Dekretimi i sotëm nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga i njërit prej kandidatëve të eliminuar nga paraardhësi i saj, dëshmon për ndërhyrjet e pastra politike që janë bërë në procesin e riemërimit dhe emërimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë. Fakti që një President nuk emëron një kandidat për nivelin e Gjykatës Komunale, dhe më vonë një President tjetër e emëron të njëjtin kandidatë, por këtë herë për nivelin e Gjykatës së Qarkut, tregon për një dështim të institucionit të Presidentit, për të krijuar një proces të drejtë, meritor dhe të pandikuar politikisht.

Është e papranueshme që presidentët në rastet e mosemërimit të kandidatëve të heshtin dhe të mos japin arsyetime para Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe opinionit publik, siç ka ndodhur në të kaluarën. Pa ndërtimin e një sistemi të drejtësisë të mirëfilltë, të pavarur dhe të paanshëm, Kosova do të vazhdoj të ketë probleme serioze, në zgjidhjen e problemeve të shumta të qytetarëve të saj si dhe në rrugëtimin drejt proceseve të rëndësishme siç janë liberalizimi i vizave dhe proceset tjera intergruese në familjen evropiane, të cilat varen drejtpërdrejt nga shkalla e respektimit të sundimit të ligjit në vend.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës dhe institucionet tjera të vendit, duhet të kuptojnë rolin dhe rëndësinë e pavarësisë së sistemit gjyqësor në Kosovë. Ndërhyrjet në këtë sistem në asnjë mënyrë nuk mund të lejohen, njëkohësisht vetë përfaqësuesit e gjyqësorit assesi nuk duhet të ndikohen nga politika, në të kundërtën do të krijojnë një sistem të drejtësisë, në të cilin do të kemi përfaqësues të komprometuar për të ndarë drejtësi. IKD kërkon nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, që për shkak të ndjeshmërisë së madhe dhe rëndësisë së veçantë të zhvillojnë procesin e emërimeve me kontroll të shtuar dhe përgjegjësi të plotë, në mënyrë që të eliminohet çdo mundësi që pjesë e propozimeve për emërime të jenë kandidatët e padenjë.

Gjithashtu, këto dy institucione duhet të kërkojnë përgjegjësi dhe të mbikëqyrin efikasitetin e secilit bartës të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, përfshi edhe të sapoemëruarit nga Presidentja Jahjaga. Në këtë mënyrë do të ndërtojmë një sistem të pavarur dhe të fuqishëm gjyqësor dhe prokurorial, të cilin do ta përjetojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke realizuar në kohë dhe me arsyeshmëri të drejtat e tyre që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit.