IKD diskuton me studentët në Mitrovicë për Nismën Legjislative Qytetare

IKD diskuton me studentët në Mitrovicë për Nismën Legjislative Qytetare

IKD diskuton me studentët në Mitrovicë për Nismën Legjislative Qytetare

Mitrovicë, 12 tetor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur sot ligjëratë dhe takim diskutues me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, në kuadër të prezantimit të Nismës Legjislative Qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ligjërata u mbajt nga Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i IKD-së, Gzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD, dhe Naim Jakaj, Hulumtues i Lartë në IKD. Përfaqësuesit e IKD-së prezantuan të drejtën e qytetarëve për nismë legjislative, procedurën përmes së cilës qytetarët mund të propozojnë ndryshime ligjore, si dhe përmbajtjen dhe arsyetimin e propozimeve të kësaj nisme.

Në fokus të diskutimit ishin dy propozimet e nismës: sanksionimi penal i moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sanksionimi penal i përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Gjatë ligjëratës u zhvillua diskutim i hapur me studentët rreth nevojës për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, rasteve dhe argumenteve që kanë nxitur nismën, si dhe rëndësisë së pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin ligjvënës.

Në përfundim të aktivitetit, studentët patën mundësi edhe të mbështesin me nënshkrimin e tyre Nismën Legjislative Qytetare.

IKD falënderon Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, stafin akademik dhe studentët për pritjen, bashkëpunimin dhe interesimin e treguar ndaj nismës.