Prishtinë, 5 tetor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) njofton se nisma legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës ka hyrë në fazën përfundimtare të mbledhjes së nënshkrimeve.
Përmes kësaj nisme, IKD propozon që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale, si dhe të sanksionohet penalisht përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Pas aktiviteteve të zhvilluara në komunat e Kosovës dhe mbështetjes së marrë nga qytetarët, në ditët e fundit të procesit IKD do të zhvillojë një seri aktivitetesh me studentët. Qëllimi është që, përveç mundësisë për ta mbështetur nismën me nënshkrim, studentët të njihen më hollësisht me përmbajtjen e saj, arsyet që kanë çuar në inicimin e ndryshimeve të propozuara dhe rëndësinë e nismës legjislative qytetare si instrument i pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në procesin ligjvënës.
Më 6 tetor, nga ora 13:00 deri në 14:00, IKD do të zhvillojë ligjëratë me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Më 7 tetor, nga ora 11:00 deri në 12:00, aktiviteti do të vazhdojë në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Më 10 tetor, nga ora 10:00 deri në 12:00, ligjërata do të mbahet në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB.
Krahas ligjëratave, më 7, 8 dhe 9 tetor, IKD do të jetë e pranishme edhe në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku përfaqësuesit e Institutit do të bashkëbisedojnë me studentët për nismën, do t’u përgjigjen pyetjeve të tyre dhe do t’u mundësojnë atyre që dëshirojnë ta mbështesin nismën përmes nënshkrimit.
IKD falënderon qytetarët që deri më tani e kanë mbështetur nismën dhe i fton studentët dhe qytetarët që ende nuk e kanë nënshkruar atë që ta bëjnë këtë gjatë fazës përfundimtare të procesit.
Pas përfundimit të mbledhjes dhe verifikimit të dokumentacionit, nënshkrimet dhe nisma legjislative do t’i dorëzohen Kuvendit të Republikës së Kosovës për procedim të mëtejmë sipas legjislacionit në fuqi.
