Prishtinë, 24 shtator 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot raportin “(Mos)kushtëzimi i dënimit me kusht”, i cili trajton zbatimin e dënimit me kusht në praktikën gjyqësore në Kosovë, me fokus të veçantë te detyrimet specifike që mund t’i caktohen të dënuarit gjatë periudhës së verifikimit.
Anesa Hoxha nga IKD, theksoi se dënimi me kusht nuk duhet të kuptohet vetëm si pezullim i ekzekutimit të dënimit me burgim, por si mekanizëm që duhet t’i shërbejë rehabilitimit të kryesit, parandalimit të veprave të reja penale dhe, kur është e mundur, adresimit të pasojave ndaj viktimës.
Sipas saj, detyrimet specifike i japin përmbajtje dënimit me kusht dhe e bëjnë atë më të matshëm, më të kontrollueshëm dhe më të lidhur me rrethanat konkrete të rastit. Hoxha theksoi se raporti nuk synon të kontestojë rëndësinë e dënimit me kusht si dënim alternativ, por të tregojë se ky dënim mund të jetë më efektiv kur shqiptohet pas një vlerësimi të mirëfilltë dhe kur, aty ku është e nevojshme, shoqërohet me detyrime të qarta, të arsyetuara dhe të zbatueshme.
Gjetjet kryesore të raportit u prezantuan nga Gzim Shala nga IKD. Ai theksoi se IKD ka analizuar 300 aktgjykime të viteve 2023, 2024 dhe 2025, në të cilat janë identifikuar gjithsej 320 dënime me kusht. Sipas tij, gjetja kryesore është se detyrimet specifike përdoren shumë rrallë në praktikën gjyqësore.
Nga 320 dënime me kusht, gjykatat kanë shqiptuar vetëm 17 detyrime specifike, ndërsa vetëm 12 nga 300 aktgjykimet e analizuara kanë përmbajtur ndonjë detyrim. Edhe pse Kodi Penal parasheh 15 lloje të detyrimeve, në rastet e analizuara janë përdorur vetëm gjashtë prej tyre, kryesisht kompensimi i viktimës, ndalimi i përdorimit të alkoolit apo drogës dhe trajtimi mjekësor ose rehabilitues.
Shala theksoi se një ndër problemet kryesore mbetet mungesa e arsyetimit. Në 288 aktgjykime ku është shqiptuar dënim me kusht pa ndonjë detyrim specifik, gjykatat nuk kanë shpjeguar pse në rastin konkret nuk ka qenë i nevojshëm ndonjë detyrim. Sipas IKD-së, kjo pamundëson të kuptohet nëse gjykata e ka shqyrtuar fare mundësinë e shqiptimit të detyrimeve specifike.
Raporti trajton edhe rolin e Shërbimit Sprovues. Në 23 raste është urdhëruar mbikëqyrja nga ky shërbim, por në 18 prej tyre nuk është përcaktuar ndonjë detyrim konkret që duhet të mbikëqyret. Sipas IKD-së, kjo krijon paqartësi mbi përmbajtjen reale të mbikëqyrjes dhe rrezikon që ajo të mbetet vetëm formale.
Një gjetje tjetër lidhet me recidivizmin. Në gjysmën e aktgjykimeve të analizuara, gjykatat nuk kanë evidentuar nëse personi ka qenë apo jo i dënuar më parë. Ndërkaq, në 28 raste ku vetë aktgjykimi evidentonte se personi kishte të kaluar penale, gjykata sërish ka shqiptuar dënim me kusht, në disa raste edhe kur bëhej fjalë për përsëritje të së njëjtës apo të një vepre të ngjashme penale.
IKD rekomandon që gjykatat të japin arsyetime më të plota lidhur me shqiptimin e dënimit me kusht dhe mosshqiptimin e detyrimeve specifike, prokurorët të jenë më aktivë në propozimin e këtyre detyrimeve, Shërbimi Sprovues të përfshihet në mënyrë më të qartë, ndërsa kjo çështje të trajtohet më shumë përmes trajnimeve dhe udhëzimeve praktike.
Sipas IKD-së, dënimi me kusht duhet të jetë alternativë reale ndaj burgimit: jo “kusht pa kushte”, por dënim që rehabiliton, mbron viktimën dhe parandalon përsëritjen e veprës penale.
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link
