KDI, IKD dhe Lëvizja FOL: Të dekretohet pa vonesë Kryeprokurori i ri i Shtetit

KDI, IKD dhe Lëvizja FOL: Të dekretohet pa vonesë Kryeprokurori i ri i Shtetit

KDI, IKD dhe Lëvizja FOL: Të dekretohet pa vonesë Kryeprokurori i ri i Shtetit

Prshtinë, 13 korrik 2026 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL mirëpresin vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, duke shënuar përfundimin e një procesi të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.

Gjatë gjithë këtij procesi, organizatat tona kanë monitoruar nga afër zhvillimin e procedurës së përzgjedhjes. Bazuar në monitorimin e realizuar, vlerësojmë se procesi është zhvilluar në përputhje me kornizën ligjore, me transparencë, me trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve dhe me respektim të parimeve të meritës. Në secilën fazë, kandidatëve u është garantuar mundësia e barabartë për të prezantuar vizionin e tyre dhe për t’iu nënshtruar një vlerësimi të njëjtë.

Në këtë fazë, mbetet që Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës apo Presidenti i ri, ta ushtrojë kompetencën e saj kushtetuese dhe ta dekretojë Kryeprokurorin e Shtetit, duke e përmbyllur pa vonesa këtë proces. Njëkohësisht ta fuqizojë zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokuror legjitim.

Organizatat tona bëjnë thirrje që ky proces të përmbyllet në frymën e Kushtetutës dhe ligjit, duke i dhënë fund një periudhe mbi 4 vjeçare, gjatë së cilës sistemi prokurorial ka funksionuar me ushtrues detyre.

Konsiderojmë se emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit është me rëndësi të veçantë për funksionimin e qëndrueshëm të sistemit prokurorial, forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

KDI, IKD dhe Lëvizja FOL do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet në sistemin e drejtësisë dhe të kontribuojnë për procese të bazuara në ligj, integritet, transparencë dhe meritokraci.