Prishtinë, 28 shkurt 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikon raportin “Qasja e ekzekutivit në të dhënat penale të qytetarëve”, në të cilin analizohet Draft Udhëzimi Administrativ (Draft-UA) për përcaktimin e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë (MD) në Sistemin e Evidencës Penale (SEP). Kjo e fundit, paraqet databazën që përmban të dhëna mbi dënimet penale të qytetarëve dhe që sipas ligjit administrohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Fillimisht, IKD thekson se Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale (Ligji për SQEP) i njeh MD-së qasje në këtë sistem, por vetëm në raport me kompetencat që ajo ka. Sipas kompetencave që ka, qasja e MD-së në këtë sistem lidhet ekskluzivisht vetëm me shkëmbimin ndërkombëtar të të dhënave për persona të dënuar, sipas legjislacionit në fuqi. Kështu, përtej kësaj kompetence, sipas Ligjit për SQEP, MD nuk ka të drejtë të ketë forma tjera të qasjes në SEP.
Më tej, në raport thuhet edhe se Ligji për SQEP nuk e trajton “qasjen e plotë” si të drejtë të pakufizuar për hyrje në të dhënat penale të qytetarëve, por e ndërlidhë atë qartë me funksionet dhe kompetencat konkrete të MD-së. Pra, “qasja e plotë” nuk është literale, por funksionale, ajo ekziston vetëm në masën që i nevojitet MD-së për ushtrimin e detyrave të saj të përcaktuara me ligj. Draft-UA e shkëput këtë lidhje dhe e interpreton termin në kuptimin e tij literal, si të drejtë për qasje të përgjithshme në të dhënat penale të qytetarëve, duke e zgjeruar në praktikë përtej kufijve që parashikon ligji.
Ndërkaq, theksohet edhe se Draft-UA nuk kufizohet në rregullimin e hyrjes në sistem por sipas kufizimeve që Ligji cakton. Ky parasheh që MD mund të: tërheqë të dhëna nga SEP, krijojë kopje të tyre, përpunojë të dhëna individuale dhe masive, përdorë të dhënat për analiza dhe statistika, si dhe të ruajë regjistra të qasjes për periudha shumë të gjata, deri edhe përgjithmonë në rastin e qasjes në të dhëna masive.
Andaj, IKD vlerëson se në këtë mënyrë, roli i MD-së zhvendoset nga një përdorues sipas kompetencave që ka në fushën e shkëmbimit ndërkombëtar të të dhënave për personat e dënuar, në një qasje të pakufizuar në të dhënat e ndjeshme personale të qytetarëve.
Kështu, nga analiza e IKD-së rezulton se një qasje e tillë nuk gjen mbështetje në Ligj. Ligji për SQEP e lidh qasjen e MD-së me kompetencat e saj konkrete, ndërsa Draft-UA e shkëput këtë lidhje dhe krijon mundësi që të dhënat penale të tërhiqen, të kopjohen dhe të përpunohen jashtë kontrollit institucional të sistemit gjyqësor.
IKD thekson se të dhënat nga evidenca penale, sipas ligjit dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) janë të dhëna të ndjeshme personale dhe lidhen drejtpërdrejt me jetën private dhe reputacionin e qytetarëve. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përpunimi i tyre duhet të jetë i kufizuar dhe i domosdoshëm për një qëllim të caktuar. Draft-UA, përkundrazi, lejon përpunim masiv dhe përdorim analitik të tyre, si dhe ruajtje pa kufizime të qarta kohore, duke mundësuar përdorimin e tyre jashtë kompetencave që MD ka në këtë fushë.
Tutje, në raport sqarohet edhe se standardet e GjEDNj-së kërkojnë rregulla të qarta dhe kufij të saktë për mbledhjen, përdorimin dhe ruajtjen e të dhënave të ndjeshme. Kurse, Draft-UA krijon një hapësirë të gjerë diskrecioni për qasje dhe përpunim të të dhënave, përfshirë edhe përpunimin masiv dhe ruajtjen pa afat, pa garanci të mjaftueshme kundër përdorimit të tyre arbitrar.
Sipas IKD, në thelb, Draft-UA nuk rregullon vetëm qasjen e MD-së në evidencën penale, por krijon mundësi që të dhënat mbi dënimet penale të qytetarëve të dalin nga kontrolli i sistemit gjyqësor dhe të përdoren nga ekzekutivi. Kjo qasje është e kundërligjshme, cenon të dhënat e ndjeshme personale të qytetarëve. Për më tepër, kjo qasje hap mundësinë që këto të dhëna të ndjeshme të përdoren politikisht. Në një kontekst të tillë, evidenca penale rrezikon të mos mbetet vetëm një instrument i drejtësisë, por të shndërrohet në burim informacioni për përdorim arbitrar apo presion ndaj individëve, përfshirë ata me rol publik apo politik.
Në fund, IKD konsideron se për këto arsye, Draft-UA nuk mund të përmirësohet përmes ndryshimeve të pjesshme, por kërkon rishikim dhe ridraftim të plotë. Çdo qasje e MD-së në SEP duhet të kufizohet qartë në kompetencat që i njeh ligji, në mënyrë që të respektohet Ligji mbi bazën e të cilit nxjerrët ky UA dhe të mbrohen të dhënat e ndjeshme të qytetarëve. Në të kundërtën, nëse Draft-UA mbetët në formën aktuale, ai mund të perceptohet si tendencë për përdorim politik të të dhënave penale të qytetarëve.
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link
