Publikohet raporti “Reforma në ngërç”: Zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2025–2026 dhe Planit të Veprimit për vitin 2025

Publikohet raporti “Reforma në ngërç”: Zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2025–2026 dhe Planit të Veprimit për vitin 2025

Publikohet raporti “Reforma në ngërç”: Zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2025–2026 dhe Planit të Veprimit për vitin 2025

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED), ka publikuar sot raportin lidhur me zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2025–2026 dhe Planit të Veprimit për vitin 2025, në një tryezë të mbajtur në Hotel Sirius në Prishtinë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në hapje të tryezës, Hulumtuesi i Lartë IKD-së, Qemajl Marmullakaj, prezantoi gjetjet kryesore të raportit, duke theksuar se progresi në zbatimin e Strategjisë gjatë vitit 2025 ka qenë i kufizuar dhe se reforma në sundimin e ligjit ka mbetur në ngërç për shkak të krizave politike, mungesës së koordinimit institucional dhe mosfunksionalizimit të mekanizmave kyç të zbatimit. Sipas tij, Strategjia për Sundimin e Ligjit ka funksionuar për më shumë se një vit pa plan operacional funksional, duke ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e aktiviteteve të parapara.

Z. Marmullakaj theksoi se ekzistenca e shumë strategjive në vetvete nuk përbën problem, por se shqetësuese mbetet mënyra se si ato hartohen dhe zbatohen në praktikë. Sipas tij, strategjitë shpesh përgatiten pa analiza të mirëfillta paraprake, pa koordinim të mjaftueshëm dhe pa një planifikim realist të aktiviteteve dhe pa ndërlidhje me kornizën buxhetor. Ai shtoi se dokumentet strategjike duhet të bazohen në nevojat reale të sistemit dhe të hartohen përmes një procesi gjithëpërfshirës, në mënyrë që të shmangen përsëritjet, mbivendosjet dhe mungesa e rezultateve konkrete në zbatim.

Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se moszbatimi i aktiviteteve të parapara me Strategjinë për Sundimin e Ligjit paraqet mosrespektim ndaj partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur vazhdimisht reformat në sektorin e drejtësisë. Ai shtoi se institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi më të madhe në raport me obligimet që kanë marrë përsipër, me theks të veçant në zbatimin e kësaj strategjie ku pritjet për të kanë qenë shumë të mëdha.

Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, tha se KGJK-ja ka përdorur mekanizma të brendshëm me qëllim që objektivat strategjike të mos mbesin vetëm deklarative, duke potencuar rëndësinë e koordinimit dhe monitorimit të vazhdueshëm të reformave në drejtësi.

Ndërkaq, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, u shpreh se institucionet janë të vetëdijshme që ende ka shumë punë për t’u bërë dhe se reforma në drejtësi është proces i vazhdueshëm dhe duhet të matet me efekte të prekshme në mirëqenien e qytetarit dhe jo me raporte statistikore, duke shtuar se përparimi kërkon angazhim të qëndrueshëm institucional.

Nga Ministria e Drejtësisë, Selvije Elezaj tha se zgjedhjet e shpeshta dhe zhvillimet politike kanë ndikuar negativisht në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit, duke vështirësuar funksionimin normal të institucioneve dhe realizimin e aktiviteteve të parapara dhe rrjedhimisht në realizimin e aktiviteteve të parapara.

Poashtu, përfaqësuesi i KDI, Vullnet Bugaqku, e cilësoi absurd faktin që Strategjia për Sundimin e Ligjit është rishikuar pa ekzistuar një Strategji funksionale dhe e miratuar Kundër Korrupsionit, duke shtuar se mungesa e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit vazhdon të mbetet shqetësuese.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i UNMIK në Kosovë, Andrea Lako, theksoi se detyra e partnerëve ndërkombëtarë është të jenë më të zëshëm aty ku identifikohen probleme dhe mungesë progresi në zbatimin e reformave.

Ndërsa, përfaqësuesi i Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës, Mehdi Reshani, deklaroi se mungesa e buxhetit dhe mbështetjes institucionale ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin dhe kapacitetet e institucioneve të përfshira në zbatimin e reformave në sundimin e ligjit.

Në fund të tryezës, IKD theksoi nevojën për koordinim më të madh ndërinstitucional, funksionalizim të plotë të mekanizmave të monitorimit dhe prioritizim të reformave që nuk varen nga zhvillimet politike apo proceset legjislative, me qëllim që Strategjia për Sundimin e Ligjit të prodhojë rezultate konkrete dhe të matshme për qytetarët.

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link