Dy vite pa llogaridhënie

Dy vite pa llogaridhënie

Dy vite pa llogaridhënie

Prishtinë, 26 dhjetor 2025 – Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë raportim të rregullt gjashtëmujor dhe vjetor, si mekanizëm thelbësor për transparencë, monitorim dhe llogaridhënie të institucioneve. Ky raportim është pjesë përbërëse e arkitekturës së zbatimit të Strategjisë dhe parakusht për vlerësimin e progresit në reformat e sundimit të ligjit.

Megjithatë, gjatë viteve 2024 dhe 2025, ky detyrim strategjik nuk është respektuar. Nuk është publikuar asnjë raport për vitin 2024, as raport gjashtëmujor dhe as raport vjetor. Po ashtu, nuk ka pasur raportim as për gjashtëmujorin e vitit 2025, duke krijuar një ndërprerje të plotë të raportimit për dy vite rresht.

Mungesa e raportimit nuk përbën vetëm shkelje procedurale, por cenon drejtpërdrejt mekanizmat e llogaridhënies së institucioneve. Pa raporte zyrtare, institucionet publike mbesin pa mbikëqyrje reale, ndërsa publiku dhe shoqëria civile privohen nga e drejta për të vlerësuar se çfarë është realizuar dhe çfarë ka dështuar në zbatimin e Strategjisë.

Si pasojë, monitorimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është ndërprerë de facto. Transparenca institucionale është cenuar, ndërsa dështimet dhe vonesat në zbatim kanë mbetur pa adresim dhe pa përgjegjësi.

Mungesa e raportimit për vitet 2024 dhe 2025 bie drejtpërdrejt në kundërshtim me Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe e bën monitorimin dhe llogaridhënien institucionalisht të pamundura. Pa raportim të rregullt, Strategjia rrezikon të mbetet një dokument formal, pa ndikim real në përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.