“Java Kundër Korrupsionit 2025” mbyllet me një aktivitet konceptual kushtuar pasojave të krimit të organizuar dhe korrupsionit

“Java Kundër Korrupsionit 2025” mbyllet me një aktivitet konceptual kushtuar pasojave të krimit të organizuar dhe korrupsionit

“Java Kundër Korrupsionit 2025” mbyllet me një aktivitet konceptual kushtuar pasojave të krimit të organizuar dhe korrupsionit

Prishtinë, 12 dhjetor 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të premten ka organizuar një aktivitet konceptual me frymë juridike, që ekspozon pasojat e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.

Aktiviteti u konceptua si pjesë e përmbylljes së “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, me synimin që të ofrojë një qasje të re, vizuale dhe ndërvepruese të komunikimit publik, përmes së cilës bëhen të dukshme pasojat reale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke zhvendosur debatin nga niveli abstrakt në përjetimin konkret të kostos që këto dukuri i shkaktojnë jetës së përditshme të qytetarëve dhe funksionimit të shtetit.

Në fjalën e saj, Hulumtuesja e Lartë Ligjore në IKD dhe Koordinatorja e Qendrës për Ndihmë Juridike e IKD-së, Arrita Rezniqi ka thënë se këtë vit kanë zgjedhur komunikimin publik ta realizojnë ndryshe, pra me një formë më të drejtpërdrejtë, me vizuale dhe me të prekshme.

Ky aktivitet konceptual, sipas saj është ilustruar nga dy sfida serioze të vazhdueshme të shoqërisë e që janë krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Përmes këtij aktiviteti konceptual kemi synuar të dalim përtej diskutimeve tradicionale dhe të ofrojmë një përvojë konkrete, vizuale dhe ndërvepruese, e cila e bën të dukshme koston reale që këto dukuri i shkaktojnë jetës së përditshme të qytetarëve”, tha ajo.
Rezniqi tregoi më shumë edhe për konceptin për të cilin tha se pasqyron krimin e organizuar dhe korrupsionin në jetën e përditshme, qeverisje, funksionim të institucioneve publike e po ashtu edhe në sistemin e drejtësisë.

“Koncepti që shihni sot është ndërtuar rreth katër stacioneve tematike, të cilat pasqyrojnë ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në jetën e përditshme, në qeverisje dhe funksionimin e institucioneve publike, në sistemin e drejtësisë, si dhe në stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Secili stacion trajton një dimension të veçantë, duke kombinuar elementë analitikë me paraqitje vizuale, për ta shndërruar korrupsionin nga një nocion abstrakt në një realitet konkret dhe të prekshëm”, tha ajo.

Më tutje, Rezniqi tha se sistemi i drejtësisë mbetet hallka me e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur funksionon siç duhet, ai krijon mekanizmat e nevojshëm për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre fenomeneve. Megjithatë, ndikimi i korrupsionit mund të cenojë edhe vetë funksionimin e drejtësisë, duke e shndërruar atë nga instrument i drejtësisë në burim të padrejtësisë”, tha ajo.

Të gjitha këto pasoja që kanë dalur, sipas Rezniqit qojnë në dobësimin e perspektives së shtetit dhe humbjen e shpresës për zhvillim, punësim dhe jetë dinjitoze.

Ky aktivitet ka shënuar edhe përmbylljen e “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, e cila ka filluar të hënën më 8 dhjetor 2025, me moton “bashkë kundër korrupsionit”.

Gjatë kësaj jave, koalicioni i organizatave joqeveritare IKD-FOL-INPO ka realizuar një sërë aktivitetesh, përfshirë konferenca për medie, tryeza të diskutimit, publikimin e raporteve analitike, podcast, aktivitete publike dhe video sensibilizuese në rrjete sociale, duke ndikuar kështu në rritjen e vetëdijes publike rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucione.