Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endoëment for Democracy, më 29 tetor 2024, organizuan takim diskutues me përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe përfaqësuesit e Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, ku gjithashtu u publikua edhe raporti “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”.
Raporti me titull “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”, u prezantua nga hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, i cili kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj sindikatave.
Sipas Jakajt i cili shpalosi gjetjet e raportit, Lëvizja VETËVENDOSJE!, në opozitë dhe në programin elektoral të vitit 2021 kishte premtuar se do të fuqizonte bashkëpunimin me sindikatat dhe do të ndihmonte në organizimin sindikal në të gjitha nivelet e punësimit.
“Por me ardhjen në pushtet, ata kaluan në një qasje krejtësisht tjetër, duke nisur një luftë ndaj rolit sindikal dhe duke dëmtuar këtë bashkëpunim të rëndësishëm”, tha Jakaj, duke shtuar se kjo qasje nxiti pakënaqësi të thella mes sindikalistëve dhe qeverisë.
Më tutje, ai tha se LVV-ja gjatë legjislaturës së VIII-të, filloi luftimin dhe minimin e bashkimit dhe rolit sindikal, duke vazhduar me nënçmimin dhe injorimin në publik ndaj sindikatave dhe përfaqësuesve të tyre.
“Sindikatat dhe përfaqësuesit e tyre ishin cak i sulmeve të vazhdueshme si nga Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe eksponentë të partisë në pushtet”, shtoi Jakaj.
Poashtu autori i këtij raporti tha që në Kosovë asnjë punëtor nuk mbrohet nga kontratat kolektive.
“Aktualisht, në Kosovë nuk ka një punëtor që mbrohet nga kontratat kolektive, gjë që është një situatë e pashembullt dhe tepër shqetësuese,” theksoi ai, duke shtuar se kjo gjendje pengon ndjeshëm sigurinë dhe drejtësinë sociale në vend.
Tutje, si gjetje të këtij raporti, hulumtuesi i lartë në IKD tha se Sindikatat po përballen me sulme të vazhdueshme nga qeveritarët.
“Në vend që të ndërtohet besim me punëtorët dhe të përkrahet bashkëpunimi sindikal, përfaqësuesit e sindikatave gjatë kësaj legjislature kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë sulme të vazhdueshme publike nga vetë udhëheqësit qeveritarë, të cilët, në vend që të inkurajojnë dialogun, po shfaqin qasje përçarëse edhe të papërshtatshme”, u shpreh Jakaj.
Sipas Jakajt, mbi 90% e projektligjeve që lidhen me mbrojtjen sociale të punëtorëve, të planifikuara për miratim prej vitit 2021, nuk janë miratuar, siç janë: Projektligji i Punës, Projektligji për Inspektoratin e Punës, Projektligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Jakaj poashtu kritikoi ashpër tërheqjen e njëanshme të Qeverisë nga kontratat kolektive me sindikatat, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë të të drejtave sociale dhe një çështje të rëndë që cenon sigurinë dhe stabilitetin e dialogut social.
derisa ngriti shqetësimin për mungesën e Këshillit Ekonomiko-Social, një organ kyç për dialogun social dhe mbrojtjen e punëtorëve në sektorin publik, tha se përgjegjëse për mosformimin e KES është Ministria e Financave.
Jakaj shpjegoi gjithashtu se mungesa e Këshillit Ekonomik Social po pengon mundësinë e punëtorëve për të negociuar kushtet e punës dhe për arritjen e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive.
“Formimi i KES-it është një domosdoshmëri për të garantuar dialogun mes punëtorëve dhe Qeverisë dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre, dhe për të nisur negociatat drejt Kontratës Kolektive”, tha Jakaj.
Lidhur me këtë hulumtuesi i lartë në IKD përmendi edhe faktin se MFPT është në dijeni të plotë se mandati i KES-it kishte skaduar më 18 prill të vitit 2023, prandaj aktualisht nuk ka dhe vazhdon të mos ketë një KES funksional.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), ka thënë se nga Qeveria Kurti ka një qasje armiqësore ndaj sindikatave.
Ai tha se gjithmonë kanë pritur se një parti që ka orientim social-demokrat do të sjellë ditë më të mira për punëtorët në sektorin publik dhe sektorin privat. Sipas tij, me uljen në kolltuk ndodhë krejt e kundërta.
“Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje të gabuar ndaj dialogut social dhe ka një qasje që merr përmasat edhe armiqësore ndaj sindikatave, veçmas atyre që i sheh si të forta e që është Sindikata e Arsimit”, u shpreh Jasharaj.
Jasharaj tha gjithashtu se ëndrra e ministrit Murati është të shkatërrojë edhe SBASHK-un, por që nuk do ia arrijë dhe se SBASHK është më i fortë se në të kaluarën.
Ndërsa, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i paraqes si kërcënim për institucionet, të drejtat ligjore që iu takojnë punëtorëve.
“Në këtë situatë nuk ka diçka kundër normale. Qeveria do të duhej me u angazhu që me u zbatu këto të drejta dhe jo që me i paraqit si kërcënim për institucionet, të drejtat ligjore që iu takojnë këtyre personave”, tha Shala.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Shala tha se në vend që të flitet për kërkesat e sindikalistëve nëse janë të arsyeshme ose jo, situata ka ardhë që sindikatat po kërkojnë thjesht dialog.
“Ajo çka kisha dashtë me theksu përballë asaj që u fol nga parafolësit është se nga vetë diskutimi i sotëm mundemi me e pa nivelin e trajtimit të sindikatave nga ana e Qeverisë. Përballë nevojës për me folë për kërkesa, nëse ato kërkesa janë të arsyeshme ose jo, ne kemi ra në atë derexhe ku thjesht sindikatat po kërkojnë dialog. Pra, nuk po thonë përmbushe këtë kërkesë-këtë kërkesë. Mirëpo, thjesht dialogu me neve e që është elementi më themeltar, më krucial i lirisë sindikale dhe bashkëpunimit me institucionet publike”, tha Shala.
Shala përmendi edhe mosmiratimin e Projektligji të Punës, atë për Inspektoratin Shëndetësor dhe për Shëndetin në Punë.
“Të gjitha këto tregojnë një qasje shpërfillëse në raport me të drejtat e punëtorëve”, tha Shala, duke shtuar se nuk po i marrin për bazë premtimet, por standardet minimale për këtë fushë.
Hulumtuesi i lartë në IKD, njëkohësisht edhe bashkëautor i raportit, Gzim Shala, rikujtoi se Qeveria ka bërë kërcënime edhe për ndaljen e pagave që sipas tij ka qenë tendencë të ndalojnë organizimin sindikal dhe grevën.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, tha se kërkesë e tyre e përhershme si BSPK është të kenë një dialog social dhe konstituim të Këshillit Ekonomiko-Social dhe të jenë në qendër politikat sociale të të punësuarve në Kosovë.
“Shumicën e mjeteve që i kemi përdorur në formë sindikale është edhe forma e komunikatave që brenda një kohë shumë të shkurtë i kemi bërë diku 50 komunikata, veç njëfarë forme me i bë presion Qeverisë që të kemi dialog social dhe të kemi konstituim të Këshillit Ekonomiko – Social. Këto komunikata shërbejnë si një presion i drejtpërdrejtë ndaj Qeverisë për arsye që ne do të thotë kemi një ambient të mirë për të punësuarit në Kosovë”, tha Hykolli.
Sipas tij, mungesa e Kontratës Kolektive dhe e dialogut social është një dështim shumë i madh i sistemeve në Kosovë dhe për këtë arsye, siç u shpreh Hykolli, duhet të kërkohet përgjegjësi e madhe në këtë drejtim.
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.