Prishtinë 29 shkurt, 2024 – Të premten e javës së kaluar, më 23 shkurt 2024, IKD i është drejtuar Minsitrit të Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati me një kërkesë për kthimin e ligjshmërisë dhe zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues sipas Ligjit për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre.
Kjo kërkesë ka ardhur si rezultat i analizës së bërë nga IKD përkitazi me situatën e qytetarëve të vendit, pensionistëve, të cilëve përkundër punës disavjeçare dhe arritjes së moshës së pensionimit, është duke iu mohuar e drejta në pensionit bazik, si rezultat i keqkuptimit dhe keqinterpretimit të ligjit nga ana e Departamenteve të Pensioneve të MFPT-së. Sipas ligjit dhe vendimeve të gjykatave të rregullta, përfshirë vendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, vendime këto të formës së prerë, secilit qytetar të Republikës së Kosovës, i njihet e drejta për pension bazik dhe për ata që kanë plotësuar kriteret për përfitimin e të drejtave dhe beneficioneve të përcaktuara me Ligjin për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, u takon të jenë përfitues edhe nga ky ligj.
Edhe përkundër këtij fakti, fatkeqësisht, Departamentet e Pensioneve në MFPT po ua mohojnë këtë të drejtë që ligji ua njeh të gjithë qytetarëve dhe që lidhur me këtë çështje është ndërtuar edhe praktika gjyqësore. Kjo po bëhet me arsyetimin se nuk u takon të marrin më shumë sesa një pension.
Lidhur me këtë situatë, IKD e ka njoftuar Ministrin Murati, se vetëm brenda dy muajve të fundit IKD, përmes Qendrës për Ndihmë Juridike falas ka pranuar mbi 500 kërkesa nga qytetarët e Republikës së Kosovës, si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe nga komunitetet jo shumicë, prej të cilave deri më tani janë përgatitur rreth 200 padi, të cilat në bazë të praktikës gjyqësore dhe kornizës ligjore, nuk pritet të vendosen ndryshe, përveç se në favor të qytetarëve të vendit, bazuar kështu në legjislacionin pozitiv dhe vendimet e gjykatave të rregullta që e trajtojnë këtë fushë.
IKD po ashtu ka kërkuar që sa më shpejtë të veprohet në drejtim të adresimit të kësaj situate, sepse qasja e MFPT përkitazi me këto raste ka krijuar një situatë të pakëndshme, ku me mijëra qytetarë të Kosovës, të moshave që arrijnë edhe 92-vjeçarë, po detyrohen të enden zyrave të Departamenteve të Pensioneve, po detyrohen të vijnë nga rajone të ndryshme, të thella të vendit, duke krijuar shpenzime të panevojshme, vetëm e vetëm për të kërkuar realizmin e një të drejte që u takon.
Përveç kësaj, IKD e ka njoftuar Ministrin Murati po ashtu për pasojat e rasteve të iniciuara, ku për çdo padi të fituar në Gjykatë, Ministria përveç se do të jetë e obliguar të kompensojë pensionistët për të drejtat e tyre për periudhën në vijim, do të obligohet të paguajë edhe kompensimin në mënyrë retroaktive, shpenzimet procedurale lidhur me lëndët në fjalë, ku përfshihen avokatët për shërbimet e tyre, përfshirë këtu edhe shpenzimet gjyqësore. Ndërsa, duhet ditur se për çdo rast do duhet të hapet shqyrtim gjyqësor, të dërgohen ftesat për seanca gjyqësore, gjë që, krahas të tjerave, krijon edhe shpenzime të udhëtimit për pensionistët për të udhëtuar në Prishtinë nga çdo cep i Kosovës vetëm sa për të marrë pjesë në seancat gjyqësore në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Andaj, IKD ka kërkuar nga Ministri Murati që të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij si Ministër dhe pa vonesë të kthejë dhe zbatojë ligjshmërinë përmes nxjerrjes së një akti juridik, përmes së cilit obligon Departamentet e Pensioneve të bëjnë zbatimin e duhur të ligjeve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të shmangin interpretimin e gabuar që po i bëhet legjislacionit aktual. Kësisoj, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët e kanë arritur moshën e pensionimit dhe që po ashtu kanë plotësuar kriteret për përfitimin e beneficioneve nga ligji për kategoritë e dala nga lufta, të realizojnë të drejtat e tyre në dy skema pensionale njëkohësisht – atë të moshës, si dhe atë që rrjedh nga Ligji për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre. Nxjerrja e aktit juridik do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe do të ruante dhe respektonte dinjitetin e pensionistëve në Kosovë.
Këtu mund të gjeni letrën e plotë që IKD i ka dërguar Ministrit Hekuran Murati më 23 shkurt 2024.