Simulimi i seancës plenare të Kuvendit: Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së miratojnë rezolutë për luftimin e korrupsionit në Kosovë

Simulimi i seancës plenare të Kuvendit: Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së miratojnë rezolutë për luftimin e korrupsionit në Kosovë

Simulimi i seancës plenare të Kuvendit: Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së miratojnë rezolutë për luftimin e korrupsionit në Kosovë

Prishtinë, 05 dhjetor 2023 – Studentët e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të aktiviteteve të Javës kundër Korrupsion, në sallën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë simuluar miratimin e një rezolute për luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Pas diskutimit nga të gjithë studentët pjesëmarrës, të cilët të martën ishin në pozitë të deputetit të Kuvendit, të njëjtit votuan për miratimin e rezolutës si në vijim:

“Duke vlerësuar rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar dhe jetën më të mirë të qytetarëve të vendit. Si dhe duke ditur në përgjithësi gjendjen e institucioneve shtetërore, nevojën për luftimin e korrupsionit dhe rëndësinë për një shtet funksional ligjor, ne prezantojmë këtë rezolutë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet fuqishëm për përmbushjen e obligimeve në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të veprojë në drejtim të miratimit të amendamentit Kushtetues për përfshirjen e UNCAC në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.
  3. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht në luftimin e korrupsionit në vend, duke filluar nga adresimi i vlerësimit të hapësirave për korrupsion gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve, apo siç njihet “corruption proofing” i ligjeve.
  4. Kuvendi i Republikës së Kosovës në asnjë formë nuk do të bëjë deklarata ndërhyrëse në sistemin e drejtësisë. Madje, për deklarata të tilla eventuale nga Qeveria, Kuvendi këtë të fundit do ta mbajë përgjegjëse.
  5. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përmbushë agjendën e vet në drejtim të fuqizimit të agjencive shtetërore ligjzbatuese, me fokus në ato që luftojnë korrupsionin dhe do të bëjë trajtimin me prioritet të kërkesave buxhetore të sistemit të drejtësisë.
  6. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë përgjegjëse Qeverinë e Republikës së Kosovës për transparencën e saj në raport me mediat dhe publikun. E njëkohësisht do të kërkojë nga Qeveria e Republikës së Kosovës hapjen e të dosjeve dhe të dhënave, në veçanti në raport me punët, kontratat dhe çështjet që ndërlidhen me ndërmarrjet publike.
  7. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet në analizimin dhe harmonizimin e ligjeve ndërmjet vete dhe monitorimin e zbatimit të tyre, në veçanti për plotësimin e nevojave për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe do të angazhohet në adresimin e të drejtave të viktimave të korrupsionit
  8. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë kujdes të shtuar të sigurohet që miratimi i ligjeve të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
  9. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Akademia e Drejtësisë të hartojë kurrikula dhe të ofrojë trajnime të avancuara profesionale për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit. Ndërsa, nga Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon organizimin e fushatave vetëdijesuese, lidhur me veprat penale të kapitullit të korrupsionit.
  10. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ndërmerr masa konkrete në pastrimin e listave zgjedhore nga kandidatët me aktakuza, duke dhënë shembull përmes dekriminalizimit të politikës
  11. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të përmbushë obligimet e veta duke raportuar para Kuvendit lidhur me zbatimin e Strategjisë për Sundim të Ligjit.”

Ky aktivitetet është organizuar në ditën e hapjes së “Javës kundër Korrupsion 2023”, organizuar nga Koalicioni i OJQ-ve Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO) dhe përkrahur nga Byroja për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan.

#bashkekunderkorrupsionit
#unitedagainstcorruption