Qeveria e Kosovës në tetor të këtij viti kishte miratuar Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, i cili u procedua për Kuvendin e Kosovës dhe i’u shpërnda deputetëve tri ditë pas miratimit, më 1 nëntor 2022.
Këtë vit, ndarjet buxhetore u shqyrtuan me procedurë të veçantë në raport me projektligjet e tjera. Pozitive në raport me trajtimin e Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore të buxhetit vjetor nga ana e Kuvendit ishte edhe përfshirja e të gjitha komisioneve parlamentare për shqyrtimin e tij, përkitazi me funksionet dhe përgjegjësitë e tyre mbikëqyrëse.
Komisionet parlamentare e shqyrtuan buxhetin sipas fushave që mbulojnë. Në këtë shqyrtim, morën pjesë ministritë përkatëse dhe përfaqësuesit e tjerë të organizatave buxhetore. Trajtimi i tillë me rregulloren paraprake ka qenë vetëm në vullnetin e komisioneve përkatëse.
Në mbledhjen e mbajtur më 23 nëntor 2022, në Komisionin për Legjislacion u shqyrtua buxheti për institucionet e drejtësisë.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin: Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, Avni Mehmeti nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), Haki Gecaj nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Yll Buleshkaj nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Enver Fejzullahu nga Akademia e Drejtësisë (AD).
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk parashtroi kërkesa shtesë buxhetore, duke thënë se ato janë trajtuar gjatë komunikimit me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).
Ndërsa, Avni Mehmeti, nga KGjK theksoi se buxheti i miratuar nga ana e Qeverisë nuk përkon me kërkesat buxhetore të cilat janë parashtruar në mënyrë të rregullt tek MFPT.
Lidhur me mosmiratimin e buxhetit sipas kërkesave drejtuar MFPT-së, vërejtje paraqiti Haki Gecaj nga KPK, sipas të cilit buxheti i draftuar nuk i përmbush nevojat dhe objektivat e KPK-së.
Edhe Yll Buleshkaj nga APK, paraqiti kërkesat e institucionit të cilin ai e drejton, duke thënë se në vitin vijues parashihet edhe hartimi i planit të integritetit për gjitha institucionet, duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike. Planifikimi buxhetor nga Qeveria nuk i përmbush nevojat dhe objektivat e APK-së, për këtë arsye ai shtoi se Kuvendi duhet t’i aprovojë për vitin 2023, 15 pozita të reja dhe të rritet buxheti për 149 mijë e 300 euro.
Për fund, Enver Fejzullahu nga Akademia e Drejtësisë i paraqiti shqetësimet e tij në lidhje me buxhetin, sipas të cilit mjetet buxhetore të planifikuara nga ana e qeverisë nuk do t’i përmbushin nevojat dhe do të jetë i pamundur ushtrimi i plotë i mandatit i AD-së.
Sipas deklarimeve në këtë mbledhje, të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë përsëritën kërkesat e njëjta, me shumat e kërkuara para miratimit të buxhetit në Qeveri më 28 tetor 2022.
A janë adresuar kërkesat buxhetore nga Kuvendi i Kosovës?
Tashmë ndarjet buxhetore kanë hyrë në fuqi. Sipas këtyre ndarjeve, rezulton se Kuvendi nuk ka arritur t’i adresojë dhe as t’i pranojë kërkesat e institucioneve të drejtësisë, përkundër faktit se me Rregulloren e re të Kuvendit një gjë e tillë i është mundësuar.
Sipas Raportit me amendamente për Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, të shqyrtuar dhe miratuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, vërehet qartë se propozimet e Komisionit për Legjislacion në lidhje me shtimin e 90 mijë eurove për APK-në dhe 100 mijë euro për AD-në, janë proceduar në seancë plenare pa përkrahjen e Komisionit Funksional.
Komisioni për Legjislacion, nuk kishte bërë asnjë amendament tjetër në lidhje me shtimin e buxhetit për KGjK-në dhe KPK-në.
Kuvendi nuk i miratoi amendamentet nr. 93 dhe 94 të propozuara nga Komisioni për Legjislacion.
Gjashtëdhjetë e gjashtë (66) deputetë morën pjesë në votim: PËR ishin 6 vota, 56 KUNDËR dhe 3 ABSTENIME. Andaj, amendamentet nuk kaluan.
Sipas tabelave buxhetore, rezulton se buxheti mbetet i njëjtë për të gjitha institucionet e drejtësisë. Këshilli Prokurorial i Kosovës do t’i ketë 15,913,983 €, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do t’i ketë 34,155,572 €, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit do t’i ketë 557,844 € dhje Akademia e Drejtësisë 892,367 €.
Buxheti i tillë do të jetë në fuqi deri në një moment tjetër, kur ai do të rishqyrtohet në muajin qershor të vitit 2023.