Prishtinë, 29 korrik 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, ka pritur në vizitë ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, znj. Carin Lobbezoo dhe përfaqësuesen e ambasadës, znj. Venera Ramaj, zyrtare e lartë për sundimin e ligjit.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, respektivisht rishikimin funksional të sundimit të ligjit, procesin e vetting-ut, Ligjin për Konfliktin e Interesit, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin e organizatave civile në Kosovë.
Gjithashtu, është diskutuar lidhur me përfundimin e projektit “Avancimi i të drejtave të pandehurve në procedurë penale”, i cili është zbatuar nga IKD në bashkëpunimin me CLARD, Fair Trials Europe dhe Komitetin e Helsinkit, mbështetur nga Ambasada Holandeze në Prishtinë përmes Projektit MATRA.
Qëllimi i këtij projekti ka qenë promovimi i të drejtave të të pandehurve për një proces gjyqësor të drejtë në Kosovë. Përmes këtij projekti është themeluar Paneli i Ekspertëve Ligjor në Kosovë (LEAP Kosova), anëtar i Rrjetit të Ekspertëve Ligjor Evropian të Fair Trials.