IKD reagon ndaj ndërhyrjeve të politikanëve në komentimin e vendimeve gjyqësore

IKD reagon ndaj ndërhyrjeve të politikanëve në komentimin e vendimeve gjyqësore

IKD reagon ndaj ndërhyrjeve të politikanëve në komentimin e vendimeve gjyqësore

Prishtinë, 3 janar 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon fuqishëm ndaj ndërhyrjeve të politikanëve në vendimet gjyqësore, përmes komentimit të tyre.

Një ndërhyrje e tillë në pavarësinë e gjyqësorit, po shpërfaqet sot, me rastin e shpalljes së aktgjykimit në rastin e njohur si Pronto. Këtë qasje të politikanëve, IKD e vlerëson të papranueshme dhe ndërhyrje të politikës në gjyqësor.

IKD rikujton se edhe në regjimet më diktatoriale, gjykatat janë munduar që të zhvillojnë procese gjyqësore dhe që të akuzuarit t’i dënojnë mbi bazën e provave dhe fakteve, duke siguruar procedurë të rregullt.

Praktika e sotme e reagimeve të politikanëve është e papranueshme, ku po shpërfaqen  kërkesa të politikanëve që të shqiptohen dënime përmes presionit publik.

IKD vlerëson se ky diskurs i politikanëve paraqet ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është tejet e rrezikshme, është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe e gjithë personave apo zyrtarëve që e kanë sjellur shtetin në këtë gjendje.

IKD vlerëson se është e papranueshme dhe e pakuptueshme se si këta politikanë nuk janë në gjendje ta kuptojnë rrjedhën e rastit Pronto dhe se cili po dëshmohet se ka qenë qëllimi final.

IKD pa e paragjykuar epilogun e këtij gjykimi, vazhdimisht ka kritikuar qasjen e Prokurorit të Shtetit, e cila ka qenë selektive në këtë rast në hetimin dhe ndjekjen e protagonistëve të aferës së përgjimeve Pronto. Prokurori i Shtetit është dëshmuar se ka pasur mungesë guximi për ta trajtuar këtë rast, në të cilin ka pasur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe i cili rast ka përfunduar me ngritjen e një aktakuze, në të cilën prokurorja nuk e ka propozuar asnjë dëshmitar që paraqet apsurd të llojit të vet.

Politikanët duhet ta kuptojne se janë politikanë dhe nuk janë OJQ, prandaj komentimet e tyre ndaj vendimeve gjyqësore duhet të ndalen përgjithmonë.

Raportet ndërkombëtare në vazhdimësi kanë kritikuar ndërhyrjet në drejtësi përmes komentimit të vendimeve gjyqësore nga ana e legjislativit dhe ekzekutivit. Është për keqardhje që kjo traditë po vazhdon edhe në legjislaturë e shtatë.  Një qasje e tillë e zbeh besimin e publikut dhe faktorit ndërkombëtar lidhur me qëllimin e drejtë për të pastruar sistemin e drejtësisë nga politika dhe grupet e interesit dhe promovimin e reformave të proklamuara gjatë fushatës elektorale të 6 tetor 2019.