Prishtinë, 24 dhjetor 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ashpër ndaj praktikës së instaluar nga disa gjykatës në marrjen e vendimeve, të cilat nuk kanë bazë ligjore, duke obliguar mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë seancat gjyqësore që gjatë raportimit personat e akuzuar të mos identifikohen dhe raportimi të bëhet me iniciale.
Një praktikë të tillë IKD e ka hasur së fundi në procesin e monitorimit sistematik të seancave gjyqësore në fushën penale. Në këtë drejtim, vlen të theksohen dy raste të profilit të lartë si: “Rasti i mashtrimit me viza”, ku akuzohet ish-deputetit M.Z dhe dy persona të tjerë për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi si dhe “Rasti i veteranëve mashtrues”, ku akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku dhe 11 persona të tjerë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në këto raste, gjykatësit kanë marrë vendime, të cilat bien në kundërshtim me frymën dhe parimet e përcaktuara në Kushtetutë. Sipas Kushtetutës, gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve. Vendimet e gjykatësve, për të obliguar mediat dhe OJQ-të që të raportojnë me iniciale, cenojnë rëndë parimin e publicitetit të garantuar me Kushtetutë.
Qasja e re e gjykatësve të caktuar në udhëheqjen e seancave gjyqësore në çështjet penale bie në kundërshtim edhe me vet Kodin e Procedurës Penale, i cili përcakton se “Nga fillimi deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues me propozimin e palëve ose sipas detyrës zyrtare, por gjithnjë pas dëgjimit të tyre, mund të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ose nga një pjesë e tij, kur kjo është e nevojshme për: … mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë”. Sipas kësaj dispozite, Gjykata “mund të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ose nga një pjesë e tij”, duke mos e dhënë edhe mundësinë e obligimit për media që raportimi të bëhet me iniciale.
Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale përcaktojnë si rregull që një seancë gjyqësore në çështje penale është publike, dhe vetëm në rrethana të veçanta, mundëson përjashtimin e publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, vetëm në ato raste kur kjo bazohet në interes të drejtësisë dhe si masë është e domosdoshme.
Vendimet e gjykatave për të raportuar me iniciale, po ashtu cenojnë rëndë Lirinë e Shprehjes dhe Lirinë e Medias, të garantuara me Kushtetutë, e cila gjithashtu e ndalon cenzurën dhe nuk lejon askend të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare. Vendimet e gjykatësve për të raportuar me iniciale mund të konsiderohen si cenzurë dhe pengesë për të shpërndarë informacionin, i cili ka interes të veçantë për publikun në Kosovë.
Me anë të këtyre praktikave të kundërligjshme, IKD vlerëson se gjykatësit formalisht kanë vendosur që gjykimet nuk janë të mbyllura, por në esencë i kanë mbyllur gjykimet, duke mos i dhënë mundësi publikut që të informohet për këto raste, ndonëse nisur nga veprat për të cilat akuzohen të akuzuarit, këto gjykime i takojnë profilit të lartë dhe janë të një rëndësie të veçantë për publikun, duke pasur parasysh se janë edhe raste të shënjestruara për të vlerësuar progresin në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
IKD vlerëson se në këto raste, gjykatësit nuk kanë dhënë as edhe një fakt ose provë të vetme për të arsyetuar atë se për çfarë arsye këto raportime do të ndikonin në jetën private të të akuzuarve apo dëshmitarëve. Përkundër kërkesave ligjore dhe standardeve të GjEDNj-së, gjykatësit fare nuk kanë dhënë arsyetim lidhur me peshimin në mes parimit të publicitetit të seancave, përkatësisht interesit të publikut për tu informuar lidhur me këto raste, dhe mbrojtjes së privatësisë së të akuzuarve dhe dëshmitarëve. Po ashtu, gjykatësit nuk kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me atë se kjo masë për të raportuar me iniciale për palët në procedurë është më e duhura apo nëse është e domosdoshme për tu arritur qëllimi i kërkuar. Duke u nisur nga kjo logjikë, shumica dërrmuese e seancave do të duhej të mbaheshin të mbyllura, pasi një numër shumë i madh i të akuzuarve do të jepnin një pretendime të pabazuara, se raportimi i mediave për rastet e tyre do të ndikonte në jetën private të tyre. Sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, mos publikimi i të njëjtave është obligim, pavarësisht asaj nëse ka apo nuk ka një aktvendim të një gjykate të caktuar. Si rrjedhojë, asnjë palë nuk mund të thirret në atë arsyetim.
IKD vlerëson se këto praktika më së paku paraqesin transparencë dhe llogaridhënie të sistemit gjyqësor përballë publikut. Për më tepër, aktgjykime të tilla vetëm sa e minojnë transparencën për publikun dhe paraqesin precedentin më të panevojshëm në sistemin gjyqësor. Aq më tepër kur sistemi gjyqësor, në bazë të raporteve vendore dhe ndërkombëtare, vazhdon të ketë probleme të theksuar për sa i përket transparencës dhe llogaridhënies përball publikut, mediave dhe shoqërisë civile.
IKD ka reaguar në vazhdimësi për disa raste të seancave, në të cilat gjykatësit, kanë ndërtuar praktika të kundërligjshme dhe arbitrare, duke mbyllur seancat në tërësi apo duke detyruar mediat dhe shoqërinë civile që të raportojnë për palë të caktuara me iniciale apo që tu ndalohet fotografimi apo xhirimi në seanca. Të gjitha këto janë përmbledhur në analizën e publikuar “Mbyllja e kundërligjshme dhe arbitrare e seancave gjyqësore për publikun në çështjet penale”.
IKD thekson se dispozitat ligjore si ato vendore dhe ndërkombëtare dhe po ashtu edhe praktika e GjEDNj-së i japin rëndësi jetike proceseve gjyqësore të hapura për publikun dhe palët e interesuara, për të siguruar një proces gjyqësor të drejtë, që qëllim final ka fitimin e besimit të publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave.
IKD bënë me dije se fakti se një gjyqtar i caktuar ka pavarësi në vendosje nuk e bënë atë imun ndaj vendimeve të kundërligjshme për mbylljen e seancave që me ligj janë publike, e aq më tepër ndaj rasteve kur të njëjtit përjashtojnë publikun dhe mediat në mënyrë plotësisht arbitrare, pa marrë asnjë lloj vendimi formal apo i detyrojnë të raportojnë me iniciale pa pasur bazë ligjore.
IKD vlerëson se publiciteti i seancave gjyqësore duhet të kuptohet në atë formë që në asnjë rrethanë nuk e dëmton administrimin e drejtësisë. Në të kundërtën, siç e përcakton edhe praktika e GjEDNj, ajo i mbron palët ndërgjygjëse kundër administrimit të drejtësisë në mënyrë të fshehur dhe është një nga mënyrat me anë të së cilës mbahet besimi në gjykata. Gjyqtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se publiciteti i seancave gjyqësore, sipas GjEDNj-së, është një nga elementet që formëson të drejtën për një proces të rregullt.
Për këto arsye, është kërkesë imediate dhe urgjente që KGJK në bashkëpunim me kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës, të trajtojnë këto raste dhe të marrin masa adekuate që të ndalet ky fenomen. IKD kërkon llogaridhënie për të gjithë gjykatësit që po veprojnë në mënyrë të kundërligjshme dhe njëherësh ju bën thirrje të gjithë gjykatësve që të kuptojnë se transparenca në administrimin e drejtësisë kontribuon në sigurimin e një gjykimi të drejtë, duke krijuar mundësi që mediat të ushtrojnë rolin e tyre që kanë si kontrollues publik.