Çagllavicë, 5 qershor – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Demokracia në Veprim, kanë organizuar të enjten në Çagllavicë tryezën “Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014”, ku të ftuar ishin të gjithë akterët e institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe mediave.
Z. Betim Musliu moderator i tryezës, tha se qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe sensibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet parlamentare 2014.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se Prokurori i Shtetit është shumë proaktiv, pasi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe ka krijuar PSV. Ajo theksoi se parimi kryesor që del nga PSV-të është arrestimi dhe ndalimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. Pula tha se janë caktuar mbi 100 prokuror dhe mbi 300 punonjës staf mbështetës në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që bie ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Ajo ka inkurajuar të gjithë qytetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve në polici dhe prokurori, pasi siç tha ajo, institucionet e drejtësisë do të jenë kujdestarë gjatë gjithë procesit zgjedhor për të garantuar se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë me votën e qytetarëve.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha tha se të gjithë duhet ta dinë se policia në bashkëpunim me prokurorët do të veprojnë me urgjencë për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate secilit keqpërdorim të zgjedhjeve. “Policia e Kosovës e ka arritur shkallën më të lartë të organizimit operacional dhe është thellë e inkuadruar në të gjitha sferat që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Ne i kemi përfunduar të gjitha vlerësimet e sigurisë sa i përket gjendjes së përgjithshme të sigurisë në vend dhe jemi direkt të inkuadruar në të gjitha këto procese për përmbushjen e mandatit tonë për siguri. I kemi krijuar të gjitha pikat e kontaktit dhe do garantojmë liri të plotë të lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe do të mundësojmë realizimin e së drejtës së cdo votuesi, për të votuar pa asnjë presion, frikë apo ndikim. Ne do të aplikojmë modelin e zero tolerancës për secilin shkelës të ligjit. Bazuar në neutralitetin tonë politik, do të vazhdojmë bashkëpunimin tashmë të planifikuar nga të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit duke mos anashkaluar Eulex-in dhe KFOR-in, me të vetmin qëllim që i gjithë procesi zgjehdor të kalojë sa më mirë”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Imer Beka, tha se kjo prokurori për zgjedhjet parlamentare do të ketë prokurorë kujdestarë, staf mbështetës dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës në çdo vend që përfshin Rajonin që mbulon Prokuroria Themelore e Prishtinës “Sipas instruksioneve të koordinatorëve ne kemi hartuar një orar pune për ditën e zgjedhjeve. Prokuroria jonë mbulon një regjion të gjerë dhe në të gjitha këto vende do të kujdestarojnë nga dy prokurorë. Ne do të japim një listë me emrat e të gjithë prokurorëve dhe vendet se ku do të kujdestarojnë, për të ditur se cili prokuror ku është. Falë edhe përvojës së fituar vitin e kaluar në zgjedhjet lokale 2013, ne arritëm të marrim një vlerësim shumë të mirë dhe një notë kaluese. Ne edhe këtë vit jemi të gatshëm dhe dëshirojmë që vota e secilit qytetarë të shkojë aty ku ata dëshirojnë.”
Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nebojsha Boriqiq, tha se Memorandumi i Bashkëpunimit në mes institucioneve të drejtësisë krijon një bashkëpunim të ngushtë të këtyre institucioneve dhe parasheh të gjitha masat që duhet të merren me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave penale kundër të drejtave të votimit. “Roli i Këshillit Gjyqësor është që të gjitha rastet e pranuara që kanë të bëjnë me keqpërdorim të zgjedheve të trajtohen si lëndë me prioritet”.
Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, znj. Javorka Prlinqeviq, tha se kjo prokurori do të jetë kujdestare gjatë tërë procesit të votimit dhe numërimit të votave. ”Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’i angazhojë 22 prokurorë të cilët do të jenë në stacione policore së bashku me Policinë e Kosovës. Mes tjerash, prokurorët do të jenë përgjegjës për parandalimin e veprave penale në lidhje me të drejtën e votimit. Kjo prokurori ka realizuar me sukses punën e saj në zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe të njejtën gjë do ta bëjë edhe në këto zgjedhje dhe përvoja që e kemi mbledhur në zgjedhjet e kalauar na ka forcuar edhe më shumë”.
Xhemail Peçani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se KQZ përkundër kohës së shkurtër për organizimin e këtyre zgjedhjeve ka arritur që të përmbush të gjitha detyrimet ligjore, duke bërë gati të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve me 8 qershor. Pasi që kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në ditën e zgjedhjeve, Z.Peçani tregoi se KQZ është në fazën përfundimatre të përgatitjes së materialit të nevojshëm zgjedhor dhe i gjithë plani operacional i hartuar është në fazën e implementimit.
Mulë Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tha se ky institucion ka kapacitete për të përballuar fluksin e ankesave që mund të vijnë në lidhje me zgjedhjet parlamentare 2014.
Pjesëmarrësit tjerë në tryezën e diskutimeve, që ishin kryesisht nga shoqëria civile dhe mediat ishin shumë aktiv për tu informuar me rolin e institucioneve të drejtësisë. Njëherësh ata ngritën disa shqetësime në lidhje me mos pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive politike nga radhët e komunitetit serbë, pavarësisht se ata e kishin konfirmuar pjesëmarrjen.
Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Organizimi i tryezës në Çagllavicë poashtu është përkrahur edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Tryeza qendrore dhe e fundit do të mbahet të premtën në Prishtinë.