Ligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial

Ligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial

Shkarko Dokumentin:
Ligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial

Prishtinë, 27 prill, 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike  ka publikuar raportin “Ligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial (Monitorimi i Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial: Analizë e zbatimit të pakos ligjore të gjyqësorit)”. Raportin voluminoz mund të shkarkohet, ndërsa më poshtë gjeni përmbledhjen ekzekutive dhe rekomandimet e punimit:

PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

Kuvendi i Republikës së Kosovës në maj të vitit 2015 ka miratuar plotësim ndryshimin e pakos së ligjeve të gjyqësorit, me qëllim të harmonizimit të dispozitave ligjore në mes këtyre ligjeve që ndërlidhet me procesin e emërimit, ri-emërimit, transferimit, disiplinimit dhe shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve dhe dispozitave tjera.  Harmonizimi i dispozitave të këtyre ligjeve ishte caktuar kriter që duhej plotësuar nga Kosova lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjes për Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Edhe përkundër faktit që Kosova kishte arritur që të plotësoj këtë kriter përmes miratimit të pakos së ligjeve, në praktikë gjatë miratimit të akteve dhe politikave të brendshme, Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial kishte devijuar këtë rrugë, duke aplikuar praktika dhe standarde të ndryshme. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vërejtur se ka munguar bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të dy Këshillave gjatë plotësimit dhe ndryshimit të akteve të brendshme në pajtim me pakon e ligjeve të gjyqësorit.

Këshillat përballen me mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale në planifikimin, hartimin dhe miratimin e legjislacionit sekondar.  Këshillat ende nuk kanë arritur të ndërtojnë mekanizma efikas për monitorimin e  zbatimit të politikave të miratuara nga dy Këshillat, legjislacionit primar dhe sekondar nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial.

Përfundimisht pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës në aspektin kushtetues dhe ligjor mund të konsiderohet i pavarur nga dy pushtetet tjera. Kjo pasi në fund të shkurtit 2016, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka votuar ndryshimet kushtetuese për sa i përket shumicës së anëtarëve të KGJK-së që përzgjidhen nga vetë gjyqësori. Ky rekomandim, ishte adresuar vazhdimisht nga IKD dhe organizata ndërkombëtare, për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor. Pavarësisht këtyre hapave të rëndësishëm në drejtim të rritjes së pavarësisë të sistemit gjyqësor mbetet të shihet nëse do të ketë vullnet politik të aprovohen kërkesat buxhetore për të mundësuar funksion efikas dhe efektiv të gjyqësorit.

Edhe sa i përket pavarësisë së sistemit prokurorial është shënuar një avancim në drejtim të pavarësimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për KPK-në, nga 1 janari 2016, përfaqësuesi i pushtetit ekzekutiv, Ministri i Drejtësisë, më nuk është anëtar i KPK-së. Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit, nuk është Kryesues i KPK-së, por vetëm anëtar.

Për shkak të rregullimit të gabuar të dispozitave ligjore në Ligjin për KGJK dhe KPK, Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka mbetur e papërfaqësuar në të dy Këshillat. Këto ligje, ia ndalojnë avokatëve që zgjidhen si anëtarë të Këshillave që të ushtrojnë funksionin e tyre. Kjo praktikisht ka lënë OAK-u pa përfaqësim në të dy Këshillat. Ndërsa, funksionimi në KPK vazhdon pa përfaqësim nga Shoqëria Civile dhe Fakultet Juridike.

IKD ka gjetur se përbërja e KPK-së pjesën më të madhe të vitit 2015, ka qenë në përbërje të kundërligjshme.  Kjo ishte evidentuar edhe në vet raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2015.

KGJK dhe KPK kanë dështuar në masë të madhe të zbatojnë obligimet ligjore në nxjerrjen e legjislacionit sekondar. Pavarësisht një numri të rregulloreve të miratuara nga të dy Këshillat, mungojnë një numër i madh i rregulloreve bazike që mundësojnë funksionimin efikas të sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Ndër rregulloret më të rëndësishme ndërlidhen me transparencën dhe llogaridhënien e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Bartësit dhe përfaqësuesit e të dy Këshillave theksojnë se mungesa e  legjislacionit  sekondar ka krijuar vështirësi në praktikë dhe këto vështirësi kanë qenë konkrete si dhe kanë krijuar mundësi reale për krijimin e praktikave jo të mira, madje në disa raste edhe me standarde të dyfishta.

Një numër i Rregulloreve, Planeve të Veprimit dhe Vendimeve kanë probleme serioze për shkak se kanë devijuar nga fryma e legjislacionit bazik dhe standardet e praktikat më të mira ndërkombëtare. Në këtë drejtim, vlen të theksohet Rregullorja për Emërimin e Kryeprokurorëve, e cila ka devijuar nga Ligji për KPK-në dhe Ligji për Prokurorin e Shtetit, duke ngatërruar kompetencat e këtyre dy institucioneve të pavarura Rrjedhimisht, Kryeprokurori i Shtetit është fuqizuar me kompetenca të cilat janë ekskluzivisht të KPK-së. Ngjashëm është vepruar me Planin Strategjik dhe Planin e Veprimit për Ngritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Lorrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, përfshirë Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme. Ky plan tejkalon kompetencat ligjore dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe si i tillë duhet të rishikohet me urgjencë në mënyrë që sistemi prokurorial të ushtroj funksionet në përputhje me ligjin dhe të mundësojë arritjen e rezultateve në luftimin e korrupsionit.

Në lidhje me funksionimin dhe llogaridhënien e gjyqësorit si një dimension i rëndësishëm që lidhet edhe me parimin e pavarësisë së tij, Raporti i Progresit vazhdimisht, ka kërkuar nga sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial të bëjë më shumë për të siguruar funksionimin dhe llogaridhënien e tyre. Mekanizmat aktual  të llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial deri më tash nuk janë dëshmuar si efikas dhe efektiv. Në kuptim të efikasitetit dhe efektivitetit të këtyre mekanizmave, IKD ka vërejtur një shkëputje në mes të KGJK-së dhe Gjykatave si dhe KPK-së dhe Prokurorive. Kjo shkëputje ka pamundësuar zbatimin e obligimeve të ndërsjella, rrjedhimisht duke mos u mbajtur askush llogaridhënës. Ende nuk ka asnjë rast kur ndonjë Kryetar Gjykate apo Kryeprokuror është degraduar për performancë të dobët, mungesë të rezultateve dhe mos zbatim të akteve të Këshillave. Sa i përket llogaridhënies së Këshillave, për dallim prej KGJK-së, e cila ka miratuar Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore të Anëtarëve të vetë, KPK asnjëherë nuk e ka miratuar një rregullore të tillë lidhur përgjegjësinë disiplinore për anëtarë të KPK-së. Në praktikë mungesa e kësaj rregulloreje ka imunizuar anëtarë të caktuar të KPK-së gjatë vitit 2014 dhe 2015, për të cilët ka pasur akuza publike për shkelje dhe cënim të imazhit të sistemit prokurorial.

IKD gjithashtu ka gjetur se KGJK dhe KPK kanë dështuar në mënyrë të vazhdueshme në kryerjen e obligimeve dhe kompetencave kushtetuese lidhur me mbikëqyrjen dhe kontrollin e gjykatave dhe prokurorive. Të dy Këshillat nuk kanë ndërtuar mekanizma efikas për të ushtruar kontroll mbi gjykatat dhe prokuroritë. Kryetarët e Gjykatave dhe Kryeprokurorët e Prokurorive nuk kanë kryer obligimin për të raportuar para Këshillave lidhur me menaxhimin dhe administrimin e gjykatave dhe prokurorive sipas legjislacionit në fuqi. Tek në fund të vitit të vitit 2015, Kryetarët e Gjykatave Themelore kanë raportuar para KGJK-së, por raporimi ka qenë formal dhe aspak llogaridhënës.

Përderisa gjatë vitit 2015, nuk ka pasur ngritje të llogaridhënies, ka pasur amnisti dhe promovim të shkelësve potencial të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale. Kjo është mundësuar përmes neneve 15 dhe 16 të Ligjit për KGJK dhe KPK gjatë procesit të ndryshimit dhe plotësimit të këtyre ligjeve. Me këtë rast, IKD ka reaguar publikisht që kjo amnisti ka prodhuar pasoja negative dhe të pariparueshme për sistemin e drejtësisë. Këto dispozita kanë shkurtuar minimalisht mundësinë e hetimit disiplinor nga Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD), e cila është kufizuar në shkeljet e supozuara që janë të vjetra vetëm deri në dy vjet. Rrjedhimisht, kjo ka prodhuar amnistinë e përgjithshme për një kategori të gjykatësve dhe prokurorëve që kanë qenë duke u trajtuar nga ZPD.

Transparenca dhe llogaridhënia në sistemin gjyqësor dhe prokurorial ende mungon. Kjo ka të bëjë me mungesën e vullnetit të KGJK-së dhe KPK-së për të miratuar Rregullore lidhur me Kualifikimin dhe Klasifikimin e Dokumenteve në KGJK dhe Gjykata, si dhe Rregulloren për Komunikim me Median dhe Publikun. Sistemi gjyqësor tanimë ka një numër më të madh të zëdhënësve, por të njëjtit e kanë të vështirë të jenë transparent, përderisa ka mungesë të rregullave për klasifikimin e dokumenteve.

IKD ka gjetur se nuk janë aplikuar praktika dhe standarde uniforme të bazuara në parimin e konkurencës dhe të bazuar në meritë gjatë procesit të transferimit apo avancimit të gjykatësve dhe prokurorëve.  Transferimet deri më tash janë realizuar kryesisht në bazë të kërkesave individuale të paraqitura nga gjykatësit apo prokurorët. Mungesa e rregullave dhe procedurave, ka rezultuar në praktikë me mos zbatim të dispozitave të Ligjit për KGJK dhe KPK, lidhur me caktimin dhe avancimin e gjykatësve dhe prokurorëve, me mungesë të llogaridhënies dhe ndërhyrjeve politike si dhe po ashtu me krijimin e praktikave selektive dhe me standarde të dyfishta lidhur me transferimin dhe avancimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Kjo problematikë është theksuar në Raportin i Progresit për vitin 2015, ku janë shprehur shqetësimet lidhur me emërimet e kontestuara dhe se mandatet e paqarta në KGJK, KPK  dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Një çështje tejet e rëndësishme që nuk është adresuar në pakon e ligjeve të gjyqësorit në Kuvendin e Kosovës, ndërlidhet me mbrojtjen gjyqësore për gjykatësit dhe prokurorët si dhe palët e tjera kur janë subjekt i vendimeve të Këshillave dhe potencialisht me këto vendime atyre i shkelen të drejtat e tyre. Kjo zbrazëti juridike ishte theksuar në Raportin e Progresit, duke iu referuar procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, ku është kërkuar që gjatë plotësim ndryshimit të këtyre ligjeve, “të prezantohen mjetet e duhura ligjore kundër vendimeve të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor për të shmangur që mundësia e vetme kundër këtyre vendimeve të jetë Gjykata Kushtetuese”.

Sidoqoftë, edhe përkundër këtij shqetësimi të ngritur dhe kërkesës së paraqitur nga Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit, gjatë plotësimit ndryshimit të ligjeve për KGJK dhe KPK, kjo çështje edhe pse nga Ministria e Drejtësisë ishte propozuar në draftligje, nuk kishte gjetur përkrahje nga Kuvendi i Kosovës.

Aspekt tjetër i rëndësishëm është mungesa e debatit në mesin e anëtarëve të dy Këshillave. IKD gjatë monitorimit të takimeve të KGJK-së dhe KPK-së, ka vërejtur se mungon debati profesional dhe i arsyeshëm në procesin e bërjes së politikave dhe marrjes së vendimeve.

REKOMANDIMET

IKD duke pasur parasysh të gjitha obligimet e pazbatuara nga pakoja e ligjeve të gjyqësorit si dhe obligimet e reja, të cilat kanë dalë si rezultat i plotësim ndryshimit të pakos së ligjeve të gjyqësorit, nxjerrë një varg rekomandimesh konkrete për Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin e Republikës së Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës. Përpilimi i këtyre rekomandimeve është bërë si rezultat i hulumtimit ligjor dhe standardeve ndërkombëtare që ndërlidhen me pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit. Zbatimi i këtyre rekomandimeve konkrete do të ndikojë në rritjen e pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë dhe gjithashtu do të mundësohet zbatimi efikas dhe i efektshëm i pakos së ligjeve të gjyqësorit. Në vazhdim IKD ka paraqitur rekomandimet specifike për secilin institucion.

 

  1. Ministria e Drejtësisë të inicoj amandamentimin e nenit 105 paragrafi 1 dhe nenit 109 paragrafi 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me mandatin fillestar për gjykatës dhe prokurorë. Rekomandohet të hiqet mandati fillestar dhe emërimet të jenë të përhershme me rastin e dekretimit të gjykatësve dhe prokurorëve.
  2. Ministria e Drejtësisë rekomandohet që përmes plotësim ndryshimit të parasheh dispozita kalimtare lidhur me trajtimin e lëndëve që janë aktualisht në punë në ZPD. Përmes ndryshimeve duhet të adresohet çështja e afateve kohore të trajtimit të rasteve nga ZPD, Komisionet Disiplinore dhe Këshillat, të cilat duhet të përshtaten me kontekstin dhe specifikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kufizimi i përcaktuar prej një viti, duhet të rishikohet dhe ky afat të zgjatet në së paku dy vite. Duke pasur për bazë resurset aktuale të ZPD-së dhe numrin e madh të lëndëve në këtë zyrë, IKD rekomandon që “procedura disiplinore ndaj gjykatësve dhe prokurorëve nuk do të fillohet dhe zbatohet në Komisionin Disiplinor të KGJK dhe KPK, pasi që të kaloj afati dy (2) vjeçar nga njoftimi i pranuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, për shkeljen e supozuar dhe gjashtë (6) vite nga dita shkeljes së supozuar”.
  3. Sa i përket afatit kohor për trajtimin e rasteve të dorëzuara nga ZPD, IKD rekomandon që Komisioni Disiplinor të përfundojë rastin si shkallë të parë brenda afatit prej gjashtë (6) muaj. Ndërsa, në rastet e ankesave, KGJK dhe KPK rekomandohet që trajtimin e këtyre rasteve ta përfundoj brenda afatit kohor prej tre (3) muajve.
  4. Ministria e Drejtësisë rekomandohet të përcaktojë dispozita ligjore në të gjitha rastet e iniciuara nga ZPD për shkelje të supozuara ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, duhet të përfundohen për të vërtetuar shkeljet dhe për të mbajtur përgjegjës. Në rastet kur këta gjykatës apo prokurorë bëjnë kërkesë për dorëheqje, e njëjta nuk duhet t’iu aprovohet deri në përfundimin e procedurave të iniciuara disiplinore. Sikurse në rastet kur gjykatësi dhe prokurori ka dhënë dorëheqje dhe ka informacion tek ZPD se të njëjtit kanë mundur të kryhen shkelje disiplinore, të njëjtit duhet të ndiqen për të vërtetuar shkeljet e supozuara dhe t’u shqiptohen masa disiplinore.
  5. Çështja e pavarësisë së ZPD-së duhet të adresohet me urgjencë në mënyrë që të garantohet funksionimi i pavarur i kësaj zyre, përmes së cilës do të mundësohet rritja e llogaridhënies së bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale dhe ngritjes së besimit të publikut në këto institucione.
  6. Plotësim ndryshimi i ligjeve të lartëpërmendura duhet të siguroj mbrojtjen efektive gjyqësore lidhur me vendimet e dy Këshillave (KGJK dhe KPK) në të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me vendimet që ndërlidhen me disiplinimin, emërimin, ri-emërimin, propozimin për shkarkim, vlerësimin dhe transferimin e gjykatësve dhe prokurorëve.
  7. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të shpreh vullnetin e plotë për të amandamentuar Kushtetutën lidhur me nenin 105 (1) dhe 109 (5) lidhur me mandatin fillestar për gjykatës dhe prokurorë. Komisioni i Venecias rekomandon që gjykatësit dhe prokurorët të emërohen me mandat të përhershëm deri në pensionim.
  8. Duke pasur parasysh sfidat dhe pengesat me të cilat është ballafaquar sistemi gjyqësor në zbatimin e Planit Strategjik 2007-2012, dhe mungesës së vullnetit për të zbatuar obligimet dhe përgjegjësitë që kanë dalë nga ky plan, është e domosdoshme që KGJK në bashkëpunim me Gjykatën Supreme dhe Kryetarët e Gjykatave të ngritin nivelin e koordinimit, bashkëpunimit dhe llogaridhënies në zbatimin e objektivave që dalin nga Plani Strategjik i Gjyqësorit të Kosovës 2014-2019.
  9. Koordinatori i caktuar nga KGJK për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik rekomandohet të përgatisë raporte dhe të raportojë rregullisht në KGJK lidhur me zbatimin e Planit Strategjik. KGJK rekomandohet që raportimet e Koordinatorit të caktuar për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik t’i shqyrtojë me seriozitet në mënyrë që të njëjtat të prodhojnë efektet e duhura për të arritur objektivat e përcaktuara me plan.
  10. KGJK rekomandohet që të ketë prioritet miratimin e Rregullores për Klasifikimin dhe Kualifikimin e Dokumenteve në Sistemin Gjyqësor të Kosovës. Plotësim ndryshimi i ligjit për Gjykatat parasheh se gjykatat publikojnë aktgjykimet e plotëfuqishme në faqë zyrtare të internetit në  afat orej 60 ditësh nga data e arritjes së plotëfuqishmërisë së aktgjykimit, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.  Më qëllim të zbatimit të këtij obligimi dhe obligimeve tjera lidhur me dokumentet tjera në sistemin gjyqësor, KGJK duhet të bëjë miratimin e rregullave, kritereve dhe procedurave lidhur me kualifikimin dhe klasifikimin e dokumenteve. Kjo do të lehtësonte komunikimin mes sistemit gjyqësor me media, publikun dhe palët e interesuara sikurse do të rristë nivelin e sigurisë së dokumenteve dhe kufizimin e qasjës në këto dokumente të personave të paautorizuar.
  11. Rekomandohet përgatitja e udhëzimeve për zbulimin e informatave në mënyrë që të rritet komunikimi aktiv dhe gjithëpërfshirës mes Këshillave dhe publikut, dhe i njejti të jetë i bazuar në ligj. Rekomandohen trajnime specifike për çështje të marrëdhënieve me publikun për anëtarët e Këshillit, gjykatësit, zëdhënësit dhe personelin mbështetës. Klasifikimi dhe kualifikimi i dokumenteve dhe informacioneve në sistemin gjyqësor duhet të jetë në harmoni me obligimet që dalin nga ligji për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.
  12. KGJK rekomandohet që të ketë prioritet miratimin e Rregullores për Komunikim me Publikun dhe Mediat.  Miratimi i kësaj rregulloreje duhet të përcaktoj procedurat, kriteret dhe mënyrën e bashkëpunimit mes KGJK-së, Gjykatave me publikun, mediat dhe palët e interesuara.
  13. Rekomandohet  të bëhet zhvillimi i kapaciteteve për planifikim strategjik dhe menaxhim, duke krijuar Zyrën për Planifikim Strategjik në KGJK ose të paktën të caktojë zyrtarë për zbatimin e këtyre aktiviteteve, siç përcaktohet në Planin Strategjik të Gjyqësorit 2014-2019.
  14. KGJK të ndërtoj mekanizëm për të obliguar Kryetarët e Gjykatave që të raportojnë para Këshillit sipas obligimeve që dalin nga ligji, të ushtrojë mbikëqyrje efektive, respektivisht të mbajë përgjegjës Kryetarët e Gjykatave Themelore në rastet kur nuk respektojnë obligimet për raportim në KGJK në baza periodike.
  15. KGJK rekomandohet të miratoj Rregulloren për Publikimin e Aktgjykimeve. KGJK ka nxjerrë një Udhëzim Administrativ, por i cili nuk plotëson nevojat dhe kërkesat e ligjit dhe standardeve ndërkombëtare për rregullimin e çështjes së publikimit të aktgjykimeve. Prandaj. IKD rekomandon miratimin e Rregullores, e cila duhet të përcaktoj procedurat që duhet të zbatohen nga të gjitha gjykatat gjatë zbatimit të këtij obigimi, duke përfshirë përgjegjësitë e zyrtarëve dhe afateve që do të caktohen dhe respektohen në implementimin e obligimeve që dalin nga ligji.
  16. KGJK duhet të krijojë infrastrukturë dhe resurse të nevojshme njerëzore dhe profesionale për të mundësuar publikimin e aktgjykimeve/vendimeve përfundimtare të Gjykatave të të Kosovës, në përputhje me obligimet ligjore. Kujdes të shtuar duhet kushtuar mbrojtjes së të dhënave personale, krijimit të infrastrukturës adekuate, trajnimit dhe specializimit të zyrtarëve përgjegjës.
  17. KGJK rekomandohet të miratoj Rregulloren për Gjykatën Supreme rreth menaxhimit, caktimit të gjykatësve dhe caktimit të kolegjeve dhe kryesuesve të kolegjeve.
  18. KGJK rekomandohet të miratoj Rregulloren për Gjykatën e Apelit rreth caktimit të gjykatësve në Departamente për të siguruar efikasitet në trajtimin e lëndëve, caktimin e udhëheqësve të departamenteve sipas nevojës dhe që siguron se secila lëndë i caktohet kolegjeve.
  19. KGJK rekomandohet të miratojë Rregullore për Procedurën e Përzgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të Kryetarëve të Gjykatave.
  20. KGJK rekomandohet të ndryshojë dhe plotësojë Rregulloren aktuale për Vlerësimin e Performancës së Gjykatësve.
  21. KGJK rekomandohet të miratojë Rregullore për Rregullat dhe Procedurat që Qeverisin Ankesat ndaj vendimeve të KGJK-së rreth zhvendosjes së përhershme apo transferimit kundër vullnetit të Gjykatësve që tejkalojnë periudhën gjashtë (6) mujore.
  22. KGJK dhe KPK duhet të ndryshojnë dhe plotësojnë Rregulloren e KGJK-së për Funksionimin e Zyrës së ZPD-së ku përcaktohet në mënyrë të qartë çështja e mandatit të Drejtorit të ZPD-së, e cila rregullore do të jetë në fuqi deri në miratimin e ligjit të veçantë për Zyrën e Prokurorit Disiplinor.
  23. KPK rekomandohet të rishikojë Planin Strategjik për Bashkëpunim Ndër-institucional në Luftën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit 2013-2015. Rishikimit të planit strategjik duhet të i paraprijë analiza dhe vlerësimi i riskut lidhur me veprat penale karaktersitike,  duke paraparë objektivat  dhe rezultate të matshme dhe  pritshme, mbi të cilat prokurori i shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë dhe agjëncitë tjera që zbatojnë ligjin do të drejtonin aktivitetet dhe veprimet e tyre në parandalimin dhe luftimin efikas dhe të suksesshëm të kriminalitetit.
  24. KPK rekomandohet të rishikojë Plani Strategjik (2016-2018) dhe Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, përfshirë Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme.
  25. KPK rekomandohet të miratojë Rregulloren për Klasifikimin dhe Kualifikimin e Dokumenteve në Sistemin Prokurorial të Kosovës. Klasifikimi dhe kualifikimi i dokumenteve dhe informacioneve në sistemin prokurorial duhet të jetë në harmoni me obligimet që dalin nga ligji për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.
  26. KPK rekomandohet të miratojë Rregulloren për Komunikim me Publikun dhe Median. Miratimi i kësaj rregulloreje do të përcaktonte procedurat, kriteret dhe mënyrën e bashkëpunimit mes KPK-së, prokurorive me publikun, mediet dhe palët e interesuara.
  27. KPK rekomandohet të miratojë Rregullore për Procedura Disiplinore efektive (për prokurorë, anëtarët e KPK-së). KPK në pajtim me plotësim ndryshimet e LKPK, rekomandohet të ndryshoj Rregulloren për Komisionin Disiplinor të KPK-së për prokurorë, përbërjen e Komisionit Disiplinor, trajtimin e lëndëve disiplinore nga Komisioni Disiplinor dhe KPK, në afate të arsyeshme kohore, etj.
  28. KPK rekomandohet të miratojë Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore të Anëtarëve të KPK-së. Miratimi i kësaj rregulloreje ka rëndësi të veçantë për ngritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së anëtarëve të KPK-së gjatë ushtrimit të funksioneve dhe përgjegjësive të tyre sipas ligjit dhe akteve të brendshme të KPK-së.
  29. KPK rekomandohet të miratojë Rregulloren për Standardizim lidhur me Ligjërimin e Prokurorëve. Pjesëmarrja e prokurorëve në aktivitetete të jashtme profesionale, duke përfshirë ligjërimin në universitete publike apo private duhet të jetë i bazuar në rregulla dhe procedura të miratuara në KPK, me qëllim të ruajtjes së imazhit të sistemit prokurorial karshi publikut.
  30. KPK rekomandohet të miratojë Procedurat Standarde të Veprimit lidhur me evitimin e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit nga anëtarët e KPK-së. Perceptimi  dhe besimi i publikut, prokurorëve dhe stafit mbështetës në vendimet e miratuara nga KPK gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre është i një rëndësie të veçantë.  Andaj, KPK dhe anëtarët e KPK-së duhet të zbatojnë standarde të larta profesionale dhe të evitojnë çdo situatë nga e cila mund të fitohet perceptimi i publikut, medias apo qytetarëve se vendimet e tilla janë të  bazuara apo mund të ketë perceptim se janë të bazuara në interesa personale apo pasurore.
  31. KPK rekomandohet të miratojë Rregullore për Rregullat dhe Procedurat që Qeverisin Ankesat ndaj vendimeve të KPK-së rreth zhvendosjes së përhershme apo transferimit kundër vullnetit të Prokurorëve që tejkalojnë periudhën gjashtë (6) mujore.
  32. KPK duhet të miratojë Rregullore të veçantë për bashkëpunëtorët profesional dhe praktikant në Prokurori.