WFD dhe IKD: Partitë politike të mos përfshijnë persona që kanë probleme me ligjin në listat e kandidatëve për zgjedhje

WFD dhe IKD: Partitë politike të mos përfshijnë persona që kanë probleme me ligjin në listat e kandidatëve për zgjedhje

WFD dhe IKD: Partitë politike të mos përfshijnë persona që kanë probleme me ligjin në listat e kandidatëve për zgjedhje

Prishtinë, 4 shtator 2019 – Fondacioni i Uestminsterit për Demokraci (WFD) në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën, kanë mbajtur tryezën e diskutimit me temën “Çfarë kandidatë ofrojnë partitë politike në zgjedhje!”.

Qëllimi i tryezës ishte ngritja e vetëdijes së qytetarëve dhe partive politike rreth mospërfshirjes së personave që janë nën hetime, me aktakuzë apo me aktvendime gjyqësore si kandidatë për deputetë në zgjedhjet e këtij viti.

Fitim Mulolli, Drejtues i WFD-së në Kosovë, tha se dekriminalizimi i partive politike duhet të ndodhë për disa arsye, duke nisur nga fakti se partitë politike janë përfaqësues të vullnetit të popullit dhe bartës të proceseve shoqërore të çdo vendi demokratik dhe si rrjedhojë veprimet e politikanëve në çdo nivel duhet të jenë të dinjitetshme, me integritet dhe të përgjegjshme, pasi që sipas tij prania e personave që kanë probleme me ligjin reflekton negativisht mbi tërë Kosovën dhe qytetarët e saj. Tutje, sipas Mulollit, kur personat me prapavijë korruptive ose penale marrin poste vendimmarrëse, ata menaxhojnë me shuma të mëdha të mjeteve të mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kosovës, çka paraqet një rrezik të madh për keqpërdorimin e taksave të qytetarëve. Si arsye të tretë, Mulolli e përmendi aspektin ndërkombëtar apo integrimin evropian dhe marrëdhëniet me jashtë, për çka tha se prania e personave që kanë probleme me ligjin në institucionet më të larta politike si Kuvendi dhe Kabineti Qeveritar i japin një imazh shumë të keq Kosovës ndërkombëtarisht.

Betim Musliu, hulumtues i lartë në IKD, tha se trendi i kandidatëve që kanë pasur probleme me ligjin është rritur vitet e fundit.

“Trendi i këtyre kandidatëve të cilët kanë pasur probleme me ligjin në zgjedhjet e vitit 2010 ka degraduar dhe është rritur në vazhdimësi, si në zgjedhjet e vitit 2014 po ashtu në ato të fundit të vitit 2017, ku një numër bukur i madh i tyre kanë arritur të jenë pjesë e listave të partive politike dhe të njëjtit janë votuar nga qytetarët dhe janë zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës. Degradimi ka vazhduar në pushtetin ekzekutiv ku përzgjedhja e ministrave e zëvendësministrave është bërë edhe prej njerëzve që kanë pasur aktakuza e dënime”, tha Musliu.

Sipas Musliut, sistemi i drejtësisë në Kosovë akoma nuk i përshtatet nevojave të qytetarëve për ta bërë gjykimin në bazë të provave dhe dënimeve, e jo agjendave të caktuara.

Sipas WFD dhe IKD, janë tri mënyra kryesore se si duhet zgjidhur kjo problematikë, e të cilat janë të njohura ndërkombëtarisht: përmes kornizës ligjore, përmes përjashtimit institucional dhe përmes rregullave dhe politikave të partive politike.

Pjesëmarrësit në tryezë u dakorduan se Kosova ka nevojë për sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë, por të njëjtat nuk arrihen me propozimin e kandidatëve që kanë probleme ligjin, me theks të veçantë atyre që kanë të bëjnë më krim të organizuar, korrupsion e shpëlarje parash.

Në këtë drejtim, ata u kanë bërë thirrje partive politike që të mos përfshijnë persona që kanë probleme me ligjin në listat e kandidatëve për zgjedhje.