Prishtinë, 8 gusht 2019 – Ne – organizatat e shoqërisë civile – kemi shprehur shqetësimin e thellë ndaj tentativës së Ministres në dorëheqje të integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake.
Në këtë drejtim, kemi kërkuar nga Ministrja në dorëheqje znj. Dhurata Hoxha anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së. Po ashtu, kemi bërë thirrje ish-Kryeministrit, z. Ramush Haradinaj të ndërhy në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian.
Duke parë se asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur, dhe duke njohur faktin që me 9 gusht 2019 MIE ka vazhduar shpalljen e konkurseve për shtatë (7) ditë të tjera kalendarike, sot kemi ndërmarr masa të radhës.
Sot, ne – organizatat e shoqërisë civile – kemi drejtuar letra të veçanta:
- 22 shefave të misioneve diplomatike në Kosovë,
- Mahir Yagcilar, Ministër në dorëheqje të Administratës Publike,
- Eshref Shabani, Kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe
- Fitim Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit.
Në letrat respektive, kemi bërë shpjegimin detaj të shkeljeve konkrete nga ana e MIE-së përkitazi me bursën YCS, respektivisht:
- Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nr. 06/L-003, të shpallur në Gazetë Zyrtare me 13 tetor 2017;
- Rregullores nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, të datës 20 shtator 2010;
- Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 08/94, të datës 10 tetor 2012.
LIGJI PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES FINANCIARE PËR IPA 2016 NDËRMJET REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE BASHKIMIT EVROPIAN, NR. 06/L-003, TË SHPALLUR NË GAZETË ZYRTARE ME 13 TETOR 2017
Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka paraparë obligimin specifik për rekrutimin e bursistëve në shërbimin civil, pas përfundimit të studimeve të tyre.
Në piken 2.2 të Shtojcës I së marrëveshjes, respektivisht fq. 23, në mënyrë shprehimore është cekur se “Për Skemën e Profesionistëve të Rinj, rezultati i pritur përfshin rritje në numrin e kandidatëve të përzgjedhur (të zgjedhur në bazë të mangësive në kapacitetet profesionale administrative të shërbimit civil të Kosovës), të cilët përfundojnë studimet pasuniversitare në universitetet e BE-së në fushat përkatëse dhe më pas punësohen në shërbimin civil”. (Shif shtojcën 1).
Po në të njëjtën faqe, një nga treguesit e vendosur për të matur suksesin e asistencës së BE-së është: “Numri i përfitueseve të YCS të cilët janë punësuar”.
Në këtë drejtim, e sjellim vëmendjen tuaj tek shtojca II: Kushtet e Përgjithshme, neni 18, fq. 42, i cili parasheh të drejtën e Komisionit Evropian për të pezulluar zbatimin e asistencës së BE-së në Kosovë “nëse përfituesi i IPA II shkelë një detyrim sipas kësaj Marrëveshjeje të Financimit”. (Shif shtojcën 1).
Prandaj, konsiderojmë se Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016, si marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, qartazi specifikon obligimin e Kosovës për të siguruar punësimin e bursisteve YCS në institucionet shtetërorë.
RREGULLORJA NR. 02/2010 PËR PROCEDURAT E REKRUTIMIT NË SHËRBIMIN CIVIL, E DATËS 20 SHTATOR 2010
Rregullorja nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, e datës 20 shtator 2010, përcakton rregullat dhe procedurat unike të rekrutimit në Shërbimin Civil të Kosovës, në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
Neni 9, pika 1, përcakton se: “Udhëheqësi i Njësisë në të cilën do të plotësohet pozita e lirë përgatit dhe dorëzon një dosje të rekrutimit te menaxheri i Njësisë së Personelit të institucionit përkatës.” (Shif shtojcën 2).
Për konkurset respektive udhëheqësit e njësive përkatëse në MIE asnjëherë nuk kanë dorëzuar dosjen e rekrutimit, e cila përfshin kërkesën zyrtare për shpalljen e vendeve të lira të punës.
Për më tutje, Departamenti i Administrimit të Shërbimit Civil pranë Ministrisë së Administratës Publike me aktin e miratimit të kërkesës së MIE-së për rekrutim dhe dhënies së autorizimit për publikimin e shpalljes për rekrutim ka shkelur nenin 14 të Rregullore nr. 02/2010 pasi që kërkesa e MIE-së ishte e pakompletuar siç kërkon neni 9, pika 1. (Shif shtojcën 2).
Rrjedhimisht, i gjithë procesi deritanishëm po zhvillohet në kundërshtim me Rregulloren nr. 02/2010.
VENDIMI I QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, NR. 08/94, TË DATËS 10 TETOR 2012
Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 08/94, të datës 10 tetor 2012, ka për qëllim “sistemimin dhe punësimin në Qeverinë e Kosovës të bursistëve të Projektit të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës “Skema e Profesionistëve të Rinj” (Young Cell Scheme)”.
Vendimi parasheh procedurën e konsultimit në mes Ministrisë së Administratës Publike dhe Ministrisë së Integrimit Evropian, para shpalljes së çdo konkursi publik me qëllim të punësimi të bursistëve YCS.
Vendimi i Qeverisë parasheh dy autoritetet që duhet të ndërmarrin veprime konkrete të parapara me Vendim të Qeverisë: (1) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian; (2) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administratës Publike.
Këto dy autoritetet kanë përgjegjësinë e plotë për të siguruar se para shpalljes së çdo konkursi publik ka “…burime të mjaftueshme dhe adekuate njerëzore në kuadër të Skemës YCS”.
Me shpalljen e konkursit publik për pozitat profesionale brenda MIE-së, që do të duhej të plotësoheshin me bursistet nga YCS, dy sekretarë respektiv kanë bërë shkelje të Vendimit të Qeverisë nr. 08/94, pasi që kanë qenë të njoftuar dhe të vetëdijshëm që për pesë pozitat respektive në MIE ekzistojnë “…burime të mjaftueshme dhe adekuate njerëzore në kuadër të Skemës YCS”. (Shif shtojcën 3).
Në përmbledhje, veprimet e Ministrisë së Integrimit Evropian përkitazi me pesë (5) konkurse publike përbëjnë:
- shkelje të një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Republikes së Kosovës,
- shkelje të akteve sekondare të Qeverisë,
- rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve Kosovar, si dhe
- rrezikojnë pezullimin e asistencës së BE-së në vlerë prej 45.5 milion EURO.
Në këtë drejtim, ne – organizatat e shoqërisë civile – ftojmë institucionet përgjegjëse të ekzekutojnë kompetencat e veta dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershëm me qëllim të pezullimit dhe anulimit të pesë (5) konkurseve brenda MIE-së, si dhe të sigurojnë punësimin e bursistëve YCS.
Po ashtu, përtej MIE-së, ftojmë të gjitha institucionet shtetërore që të respektojnë legjislacionin e lartë-cekur dhe të evitojnë shpalljen e konkurseve publike, duke siguruar kështu punësimin e bursistëve nga bursa YCS.
Ne – organizatat e shoqërisë civile – do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet sa i përket bursës YCS dhe do të ndërmarrim masa të tjera proporcionale për të siguruar suksesin e bursës YCS, gjithnjë me theks të veçantë në luftimin e nepotizmit dhe krijimit të një administrate me integritet, të pavarur dhe profesionale dhe në shërbim të qytetarëve.
Mbështetur nga:
Demokraci për Zhvillim – D4D
Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS
Iniciativa për Progres – INPO
Instituti Columbus
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK
Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS
Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP
Instituti për Studime të Avancuara – GAP
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu!