Prishtinë, prill 2022 – Në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të organizuar nga Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), studentët pjesëmarrës në vazhdimësi trajtojnë dhe zgjidhin raste reale të pranuara në Qendrën për Ndihmë Juridike falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD).
Studentët përgjatë këtij aktiviteti kanë mundësi që një rast real ta trajtojnë nga fillimi, të diskutojnë dhe japin ide sesi t’i qasen të njëjtit dhe pastaj të ndarë në grupe edhe ndjekin strategjitë e caktuara dhe zgjidhin rastet, duke praktikuar kështu edhe hartimin e parashtresave të ndryshme nga fusha të caktuara, si civile, administrative, kundërvajtëse etj.
Ky aktivitet për studentët e Klinikës Ligjore mbahet nga trajnuesit e Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së, në këtë rast nga Menaxherja e Programit dhe Hulumtuesja e Lartë, znj. Arrita Rezniqi.
Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga QNJ-IKD, ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD, për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe aftësimin praktik të tyre.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit dhe programit trajnues, ku të njëjtit mësojnë dhe diskutojnë për tema të ndryshme, si dhe vizitat e caktuara nëpër institucione kyçe të sistemit të drejtësisë në vend.
Programi i Klinikës Ligjore të IKD-së mbështetet nga fondet programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).