Studentët e Klinikës Ligjore njoftohen mbi instrumentet e mbikëqyrjes parlamentare në Kosovë

Studentët e Klinikës Ligjore njoftohen mbi instrumentet e mbikëqyrjes parlamentare në Kosovë

Studentët e Klinikës Ligjore njoftohen mbi instrumentet e mbikëqyrjes parlamentare në Kosovë

Prishtinë, 18 tetor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur një ligjëratë me studentët e Klinikës Ligjore, ku janë trajtuar instrumentet e mbikëqyrjes parlamentare sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit. Ligjërata dhe trajnimi janë mbajtur nga Melos Kolshi (Hulumtues në IKD) dhe Naim Jakaj (Hulumtues i Lartë në IKD). Studentët u njoftuan me  instrumentin e Pyetjeve Parlamentare, me Interpelancat Parlamentare, Çështjet Urgjente, Komisionet Hetimore, Dëgjimet Mbikëqyrëse, Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe të vendimeve, raportimin e organeve të pavarura. Përveç kësaj, studentët u njoftuan edhe me detyrimin e organeve shtetërore që kanë përballë deputetëve sipas Ligjit për Detyrat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Gjatë ligjëratës, studentët patën rastin të shikojnë video ilustruese për secilin prej këtyre instrumenteve, duke u njohur më nga afër dhe praktikisht me mënyrën se si funksionon mbikëqyrja parlamentare në Kuvend të Republikës së Kosovës. Bashkëbisedimi u zhvillua në mënyrë interaktive, ku të gjithë studentët ishin aktivë dhe kontribuan me pyetje dhe komente mbi temën e trajtuar.

Poashtu në ligjëratë, studentët u njoftuan edhe me disa praktika konkrete të mbikëqyrjes parlamentare që kanë ndodhur në Kosovë, duke përfshirë interpelancat dhe komisionet hetimore të formuara për çështje të rëndësishme shtetërore. Përmes këtyre rasteve, ata kuptuan më mirë se si funksionojnë këto mekanizma në praktikë dhe rolin e tyre në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies brenda institucioneve publike. Rëndësia e mbikëqyrjes parlamentare qëndron në sigurimin që qeveria dhe institucionet tjera shtetërore veprojnë në përputhje me ligjin dhe interesin publik, duke kontribuar kështu në forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

Përveç kësaj, studentët pjesëmarrës në ligjëratën mbi mbikëqyrjen parlamentare janë gjithashtu të angazhuar në aktivitete të tjera akademike dhe praktike, si pjesë e programit trajnues të IKD-së. Ky program ka për qëllim përmirësimin e aftësive profesionale të studentëve, duke përfshirë procesin e monitorimit të institucioneve publike, vizitat në institucione të ndryshme të sistemit të drejtësisë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë në ofrimin e ndihmës juridike përmes Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të IKD-së për të përmirësuar njohuritë e studentëve mbi proceset e drejtësisë dhe mbikëqyrjes parlamentare, duke i përgatitur ata më mirë për sfidat profesionale që do të përballen në të ardhmen.

Aktiviteti është mbajtur në kuadër të mbështetjes nga ana e Rockefeller Brothers Fund  dhe zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së që financohet nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).