Roli i sistemit të drejtësisë në vend në dhënien e leksionit përballë abuzueseve të votave në zgjedhjet e 2010-tës

Roli i sistemit të drejtësisë në vend në dhënien e leksionit përballë abuzueseve të votave në zgjedhjet e 2010-tës

Në Radio Televizionin e Kosovës u mbajt debati për të diskutuar për rolin e sistemit të drejtësisë në vend në dhënien e leksionit përballë abuzueseve të votave në zgjedhjet e 2010-tës. Në këtë debat morën pjesë përfaqësues nga organet e rendit, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, Kryetari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka dhe  Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Gjatë debatit, Betim Musliu nga IKD ka adresuar çështjen e zgjedhjeve të kaluara, në të cilat politika e ndjekjes dhe dënimeve, sipas tij, nuk ka qenë adekuate në ndjekjen dhe dënimin e manipuluesve të zgjedhjeve të vitit 2010. 

Musliu ka analizuar qasjen e institucioneve të drejtësisë, përkatësisht të prokurorëve, të cilët janë nxituar në ngritjen e akuzave të drejtpërdrejta, por nuk janë fokusuar fare në zhvillimin dhe hetimin e elementeve të krimit të organizuar në zgjedhjet e 2010-ës. Sipas tij, akuzimi i mbi 1500 personave dhe përfshirja e 5.000 komisionerëve në manipulimin e zgjedhjeve për të cilët ekzistojnë prova të pakontestueshme që kanë manipuluar, dëshmon se prapa këtyre manipuluesve kanë ekzistuar organizatorë, shtytës dhe financues që të kryhen këto krime të zgjedhjeve. Musliu ka theksuar se pa ndjekjen dhe dënimin e organizatorëve të krimeve të zgjedhjeve, asnjëherë nuk do të zvogëlohen dhe nuk do të ndalen manipulimet e votave në Kosovë. Për të gjitha manipulimet, Musliu ka akuzuar drejtpërdrejt partitë politike, pasi komisionerët janë përfaqësues të tyre. Ai ka kritikuar ashpër edhe politikën e dënimeve nga Gjykatat Komunale, të cilat kanë shqiptuar kryesisht gjoba, ndërsa ka lavdëruar korrektimin e këtyre dënimeve nga Gjykatat e Qarkut, të cilat i kanë konvertuar me burgim efektiv. 
Musliu ka përshëndetur rolin proaktiv të Kryeprokurorit të Shtetit dhe institucioneve të drejtësisë për zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat janë dukë hartuar një Memorandum Bashkëpunimi në mes vete. 

Musliu ka kërkuar që këto institucione të jenë proaktive dhe të punojmë më shumë në parandalimin e krimeve të zgjedhjeve, dhe poashtu ka kërkuar krijimin e Procedurave Standarde të Veprimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, përmes zbatimit të së cilave reagimet e këtyre institucioneve do të ishin shumë më efikase në parandalimin dhe luftimin e çfarëdo krimi të zgjedhjeve. 
Musliu ka thënë se IKD do të bashkëpunoj ngushtë me të gjitha këto institucione të drejtësisë që të ofrohet ndihmë për të luftuar sa më efektshëm krimet e zgjedhjeve. Ai poashtu ka njoftuar se IKD do të monitoroj aspektin e ndjekjes penale të veprave penale kundër të drejtave të votimi dhe do të monitoroj punën e institucioneve të drejtësisë rreth ndjekjes dhe dënimit të këtyre veprave.