Retorika në luftimin e korrupsionit: Raport i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë

Retorika në luftimin e korrupsionit: Raport i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë

Shkarko Dokumentin:
Retorika në luftimin e korrupsionit: Raport i monitorimit të trajtimit të rasteve  të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë

Përmbledhje ekzekutive

Retorika në luftimin e korrupsionit asnjëherë nuk ka munguar nga të gjithë drejtuesit e institucioneve, sidomos drejtuesit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Megjithatë, korrupsioni në Kosovë është endemik dhe Kosova vuan nga mungesa e vullnetit për të luftuar korrupsionin. Vullneti i vetëm për ta luftuar korrupsionin me sukses, kanë mbetur politikat në letër. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kanë miratuar Planet e Veprimit për të trajtuar me prioritet absolut lëndët e korrupsionit. Sidoqoftë, gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) tregojnë se KPK dhe KGJK kanë vazhduar shkeljen e afateve të përcaktuara për trajtimin e lëndëve të korrupsionit dhe përmbushjen e obligimeve të planeve të veprimit. Mekanizmat e themeluar për të përmbushur obligimet apo monitoruar zbatimin e planeve nuk i kanë marr seriozisht planet e veprimit të Këshillave. Komisionet Mbikëqyrëse të KGJK-së dhe KPK-së lidhur me trajtimin e lëndëve të korrupsionit nga gjykatat dhe prokuroritë, nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre për të raportuar sipas afateve të përcaktuara në Planet e Veprimit. Për të mundësuar një monitorim të aktiviteteve në luftën kundër korrupsionitm nevojitet transparencë dhe llogaridhënie publike, gjë të cilën e kanë proklamuar vazhdimisht të dy Këshillat. Madje, të dy këto institucione kanë miratuar rregullore dhe strategji për të ngritur transparencën dhe llogaridhënien publike. Megjithatë në praktikë ka probleme serioze për t’u qasur në dokumentet publike. IKD gjatë kësaj periudhe raportuese gjashtë mujore, ka adresuar 70 kërkesa për qasje në dokumente publike rreth aktiviteteve në luftën kundër korrupsionit. Sistemit gjyqësor i janë drejtuar 28 kërkesa, prej të cilave IKD ka pranuar 25 përgjigje pozitive, ndërsa në 3 kërkesa nuk ka pranuar përgjigje. Sistemit prokurorial i janë adresuar 42 kërkesa, prej të cilave pozitivisht iu është përgjigjur 24 kërkesave, në 17 kërkesa nuk kanë kthyer përgjigje, kurse në 1 kërkesë kanë refuzuar të japin të dhënat e kërkuara. Vlen të theksohet bashkëpunimi i Sekretariatit të Këshillit dhe Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive, kur bëhet fjalë për kërkesat për të dhënat statitikore për rastet e korrupsionit, të cilat janë ofruar në kohë reale. IKD vlerëson këtë bashkëpunim të çmuar.

Zbatimi i politikave të sistemit prokurorial dhe luftimi i korrupsionit

Zbatimi i politikave të sistemit prokurorial – KPK, Komisioni Mbikëqyrës i saj për monitorimin e lëndëve të korrupsionit, dhe Prokuroritë nuk kanë arritur të përmbushin obligimet e përcaktuara me Planin e Veprimit. Përkundër obligimit që prokuroritë deri më 30 qershor 2016 të zgjidhin të gjitha rastet e vjetra deri në vitin 2010, një obligim i tillë nuk është përmbushur. Më 30 qershor 2016, kanë mbetur në punë 29 raste të pazgjidhura të korrupsionit me 75 persona të përfshirë që i takojnë periudhës nga vitet 2002 deri 2010. Komisioni Mbikëqyrës i KPK-së lidhur me trajtimin e lëndëve të korrupsionit nga prokuroritë, ka qenë i obliguar të raportojë në KPK çdo tre muaj, por në gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, i njëjti Komision nuk ka raportuar asnjëherë para KPK-së. Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike ka përmbushur obligimin për të raportuar rreth monitorimit të rasteve që ndërlidhen me krimet ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Por, ka dështuar të ofroj informacion para KPK-së lidhur me sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurisë së fituar përmes veprave penale kundër korrupsionit. KPK ka dështuar të zbatoj rekomandimin e IKD-së që të rishikojë planin strategjik dhe planin e veprimit për rastet e korrupsionit për t’i harmonizuar në pajtim me ligjet e aplikueshme dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit më 29 prill 2016, ka nxjerrë Udhëzim me numër A.nr.258/2016, përmes së cilit ka obliguar të gjithë prokurorët e shtetit që brenda afatit prej tre (3) muajve nga dita e pranimit të kallëzimit penal, të nxjerrin Aktvendim për fillim të hetimeve nëse i njëjti kallëzim penal nuk është hudhur. Ky Udhëzimi ishte nxjerrë nga Kryeprokurori nga takimi i kolegjiumit të të gjithë Kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive të Republikës së Kosovës. IKD vlerëson se ky Udhëzimi është i kundërligjshëm sepse cenon  parimet dhe standardet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale.

KPK deri më tani nuk kanë marrë asnjë veprim ndaj askujt për të mbajtur përgjegjës apo llogaridhënës lidhur me dështimet në zbatimin e politikave për luftimin e korrupsionit. IKD vlerëson se kjo dëshmon kultivimin e kulturës së pandëshkueshmërisë të instaluar në sistemin e drejtësisë.

Performanca e sistemit prokurorial në trajtimin e rasteve të korrupsionit – Promovimi i politikave për ta luftuar korrupsionin dhe dështimi për t’i zbatuar ato në praktikë e ka shndërruar dukurinë e luftimit të korrupsionit në një retorikë të përditshme. Gjetjet e monitorimit të IKD-së, tregojnë se Prokurori i Shtetit (PSh) në gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, ka përfunduar me numër më të madh të rasteve të pazgjidhura të korrupsionit se sa që kishte në punë në fillim të vitit 2016. Megjithatë, PSh gjatë kësaj periudhe raportuese ka arritur të zvogloj numrin e personave që kanë qenë subjekt të veprave penale të korrupsionit në raport me numrin e personave që kishte në fillim të vitit 2016. PSh më 1 janar 2016 kishte 538 raste të pazgjidhura me 1640 persona të përfshirë. Numri i rasteve të korrupsionit më 30 qershor 2016, është rritur në 582 raste, ndërsa numri i personave është zvogluar në 1511.

Prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe raportuese është PTh në Prishtinë, e cila gjatë kësaj periudhe raportuese, ka zgjidhur gjithsejt 76 raste me 302 persona të përfshirë në rastet e korrupsionit. Prokuroritë gjatë kësaj periudhe raportuese, kanë pranuar në punë 254 raste të reja me 477 persona të përfshirë në to. Gjatë të njëjtës periudhë kohore, prokuroritë kanë zgjidhur 222 raste me 627 persona të përfshirë. Edhe në këtë periudhë raportuese paraqitet si karakteristikë mënyra e zgjidhjes së rasteve nga prokurorët.

Nga rastet e zgjidhura ndaj 627 personave, prokurorët ndaj 303 personave kanë hudhur kallëzimet penale, ndaj 143 personave kanë pushuar hetimet, ndaj 180 personave kanë ngritur aktakuza dhe ndaj 1 personi rastin e kanë zgjidhur në mënyrë tjetër. Në përqindje rezulton se prokurorët në rastet e zgjidhura të korrupsionit ndaj 374 personave apo ndaj 71.13 % të personave i kanë mbyllur rastet, ndërsa ndaj 28.87% kanë ngritur aktakuza. Rrjedhimisht, ndaj 23% të personave janë pushuar hetimet, ndërsa ndaj 48% të personave janë hudhur kallëzimet penale. Nga këto raste me 627 persona, PSh rastet e ndaj 56 personave të paraqitur me kallëzim penal nga AKK,  ndaj 31 personave janë hudhur kallëzimet penale, ndaj 15 personave janë pushuar hetimet dhe vetëm ndaj 9 personave janë ngritur aktakuza.

PSh ka zgjidhur rastet ndaj 314 personave në bazë të kallëzimeve penale të paraqitura nga PK, ku ndaj 101 personave janë ngritur aktakuza, ndaj 158 personave janë hudhur kallëzimet penale dhe ndaj 55 personave janë pushuar hetimet. Nga tabela vërehet se 67% të kallëzimeve penale të zgjidhura në rastet e PK-së janë mbyllur nga PSh, ndërsa vetëm 33% kanë përfunduar me akt akuzues. Këtë problematikë e ka ngritur IKD vazhdimisht në të gjitha raportet periodike të monitorimit të rasteve të korrupsionit. Deri më tash ka munguar vullneti i sistemit prokurorial që të merret me trajtimin e kësaj problematike për t’i dhënë zgjidhjen e duhur. Zyrtarët e PK-së e bëjnë përgjegjës PSh-në për hudhjen e këtyre kallëzimeve penale, pasi sipas tyre, çdo veprim hetimor i PK-së ndërmirret në bashkëpunim me prokurorët dhe kallëzimet penale të PK-së, ngrihen me rekomandim të prokurorëve.

PSh gjatë kësaj periudhe raportuese ka treguar efikasitet të lartë në ngritjen e aktakuzave për korrupsion, duke përfshirë edhe aktakuza ndaj profilit të lartë. PSh ka publikuar informacion lidhur me ngritjen e aktakuzave në 17 raste të korrupsionit ndaj 149 personave të akuzuar për vepra penale të korrupsionit. Profili i pozitave të personave ndaj të cilëve janë ngritur aktakuzat, përfshinë: Ish-Kryetar të Gjykatës Kushtetuese, ish-Deputet, ish-Ministra, Kryetar Komune, Kryetar dhe Anëtar të Bordeve Rregullative, Sekretar të Përgjithshëm, 44 mjekë, Drejtor të Prokurimit, Drejtor të Operatorëve Ekonomik, etj. Sipas aktakuzave të ngritura nga Prokuroritë del se me këto vepra penale, dëmi i shkaktuar kap vlerën e mbi 825,000.00 euro, përderisa, në këto aktakuza nuk ka informacion nëse prokuroritë kanë paraqitur kërkesa për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë së fituar me vepër penale. Prokuroritë me efikase gjatë kësaj periudhe kohore janë, PSRK me pesë raste, prej të cilave dy raste ndaj 43 personave të ngritura nga prokurorët e EULEX-it dhe tre raste ndaj 8 personave të ngritura nga prokurorët vendorë. Karakteristikë e këtij gjashtë mujori është një aktakuzë e ngritur nga një prokuror i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ndaj 64 personave.

Përkundër miratimit të politikave në luftimin e korrupsionit, trendi i lëndëve të pazgjidhura të korrupsionit në sistemin prokurorial vazhdimisht ka shënuar rritje. Në janar 2016, prokuroritë kanë pasur në punë 538 raste të pazgjidhura të korrupsionit me 1640 persona, ndërsa më 30 qershor 2016 kanë mbetur 582 raste të pazgjidhura me 1511 persona. Kjo dëshmon për mungesën e vullnetit dhe përkushtimit të sistemit prokurorial në zbatimin e politikave për luftimin e korrupsionit.

Fenomen shqetësues mbetet parashkrimi i rasteve të korrupsionit në prokurori. IKD në kuadër të monitorimit, ka analizuar aktet prokuroriale që përfshijnë vendimet e prokurorëve për hudhjen e kallëzimeve penale dhe vendimet për pushimin e hetimeve. Prej gjithsej 223 vendimeve të analizuara, IKD ka identifikuar 20 raste të arritjes së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale dhe 127 raste të shkeljes së afateve ligjore me rastin e vendosjes së lëndëve të korrupsionit nga prokurorët. Këtu përjashtohen PSRK dhe PTh në Ferizaj, të cilat nuk e kanë respektuar Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike, duke mos i ofruar aktet prokuroriale të rasteve të korrupsionit, sikurse i kanë ofruar për tri vjet rresht.

Niveli i llogaridhënies në sistemin prokurorial mbetet shqetësues. Deri më tani, si rezultat i gjetjeve nga raportet e IKD-së janë mbi 253 raste në të cilat ZPD ka zhvilluar hetime preliminare. Prej tyre në 25 lëndë janë zhvilluar hetime disiplinore, ndërsa 9 lëndë janë dërguar në Komision Disiplinor. Derisa aktualisht janë me dhjetra lëndë në hetime preliminare, në fazën e vendosjes gjenden 29 lëndë. Si rezultat i kësaj pune, ZPD tashmë po sfidohet në punën e saj për shkak të zhvillimit të hetimeve në rastet e gjetjeve nga raportet e IKD-së. Këto gjetje vazhdimisht trajtohen me prioritet nga inspektorët e ZPD-së, të cilët tashmë hasin në vështirësi në sigurimin e dosjeve dhe informacioneve për shkak se prokuroritë/prokurorët nuk përgjigjen në kohë. Gjithashtu, sipas ZPD-së, pas veprimeve të ndërmarra bazuar në gjetjet e raporteve të IKD-së është vërejtur se, ka filluar të përmirësohet puna për rastet e ngjashme (të gjeturat në raporte) përkatësisht të ngritët llogaridhënia. Sikurse,sipas ZPD-sw janë shënuar raste kur bartësit e funksioneve janë nervozuar me gjetjet e IKD-së dhe veprimet e ZPD-së, saqë kanë shkuar deri në atë masë sa që kanë tentuar të bëjnë veprime hakmarrëse ndaj stafit të ZPD-së, vetëm pse janë rekomanduar në Komision Disiplinor. IKD vlerëson se kjo qasje e prokurorëve është tejet shqetësuese dhe përbën në vete keqpërdorim të detyrës dhe sjellje të pahijshme profesionale dhe etike.

Zbatimi i politikave të sistemit gjyqësor dhe luftimi i korrupsionit

Përmes Planit të Veprimit, KGJK ka përcaktuar afatet kohore lidhur me vlerësimin e zbatimit të planit nga Komisioni Mbikëqyrës i KGJK-së. Vlerësimi i parë i zbatimit të planit do të duhej të bëhej në muajin nëntor të vitit 2015, kurse vlerësimi i dytë në janar të vitit 2016. Për shkak se dy ish-anëtarëve të KGJK-së, iu kishte skaduar mandati në Këshill, Komisioni për një kohë kishte mbetur me vetëm një anëtar. Në mbledhjen e mbajtur më 6 prill 2016, anëtari i vetëm i këtij Komisioni, ka raportuar para KGJK-së, raporti i të cilit ishte diskutuar por nuk ishte votuar nga KGJK. Kjo pikë e rendit të ditës ishte shtyrë për takimet e radhës të Këshillit. Më 27 prill 2016, KGJK ka marr vendim për themelimin e Komisionit ad hoc për zbatimin e planit të veprimit në përbërje: Agim Maliqi, zv.Kryesues i KGJK-së, Raima Elezi dhe Nebojsha Boricic të dy anëtarë të KGJK-së. Edhe përkundër obligimeve të përcaktuara me këtë Plan të Veprimit, Gjykatat dhe KGJK kanë dështuar të realizojnë obligimet e tyre të vlerësimit sipas afateve kohore të përcaktuara në Planin e Veprimit. Përderisa plani i veprimit kishte përcaktuar se vlerësimi i parë i zbatimit të Planit të Veprimit do të realizohet në takimin e parë me Kryetarët e Gjykatave dhe Komisionit në javën e parë të muajit nëntor 2015, kurse vlerësimi i dytë i zbatimit të Planit të Veprimit të realizohet në takimin e dytë të muajit janar 2016. KGJK me afërsisht gjashtë muaj vonesë ka miratuar raportin e dytë lidhur me zbatimin e planit të veprimit.

Monitoruesit e IKD-së, prej 1 korrikut 2015 deri më 30 shtator 2016 kanë monitoruar 1382 seanca gjyqësore, ku përfshihen 977 raste të korrupsionit me 2500 persona. Në fokus të këtij raporti janë rastet e korrupsionit të monitoruara në gjashtw mujorin e parë të vitit 2016, ku janë monitoruar749 seanca gjyqësore, ku përfshihen 564 raste të korrupsionit me 1386 persona.

IKD gjatë monitorimit ka gjetur në shumë raste parregullësi, duke përfshirë mos respektimin e afateve ligjore në trajtimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, si zvarritjet në polici, prokurori dhe gjykata. Nga 749 seanca të monitoruara, 590 prej tyre janë mbajtur, ndërkaq si pasojë e mosplotësimit të kushteve ligjore për mbajtjen e seancave 159 prej tyre janë shtyrë. Arsyet e shtyrjes janë të ndryshme, duke filluar prej mungesës së të pandehurve, mosdorëzimit të shkresave shkresave të lëndës nga Prokuroria, mungesës së prokurorëve, trupit gjykues, avokatëve, palëve të dëmtuara dhe kërkesave të palëve në procedurë.

IKD gjatë monitorimit të rasteve të korrupsionit në Prokurori dhe Gjykata ka vërejtur në praktikë fenomenin e zvarritjes së dërgimit të aktakuzave nga prokurorët në Gjykata. IKD ka identifikuar shtatë (7) raste të korrupsionit ku prokurorët kanë ngritur aktakuzat, ndërsa janë vonuar prej 13 deri në 400 ditë për t’i dorëzuar të njëjtat në Gjykatë. IKD vlerëson se kjo më së paku përbën neglizhencë të prokurorëve, e cila duhet të hetohet nga mekanizmat e llogaridhënies.

Derisa, politikat e KGJK-së obligojnë gjykatësit të trajtojnë me prioritet lëndët e korrupsionit, në praktikë kjo nuk po respektohet. Në këtë periudhë raportuese, nga 17 aktakuzat e ngritura për veprat penale të korrupsionit, 8 raste janë trajtuar nga gjykatat, ndërsa 9 raste janë në pritje. Në këto raste caktimi i seancave nuk është bërë në përputhje me obligimet ligjor, por vazhdimisht janë shkelur afatet ligjore.

Prej 749 seancave gjyqësore të monitoruara nga IKD, ku përfshihen 269 raste të korrupsionit, të cilat janë analizuar për këtë periudhë raportuese, Gjykatat kanë shpallur 93 aktgjykime për rastet e korrupsionit. Pothuasje në secilën fazë të procedurës penale, nuk respektohen afatetligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Koha më e shkurtë e trajtimit të rastit të korrupsionit nga koha e paraqitjes së kallëzimit penal deri në shpallje të aktgjykimit është 68 ditë, përderisa rasti që ka marr më së shumti kohë deri në shpallje të aktgjykimit është 4257 ditë apo mbi 11 vjet e gjysmë. Ndërsa, kohëzgjatja prej ngritjes së aktakuzës deri në shpalljen e aktgjykimit, në rastin më të mirë të monitoruar, ka marrë marrë kohë 27 ditë, ndërsa rasti që ka marr më së shumti kohë është në 3816 ditë apo mbi 10 vjet.

Profili i 630 personave të akuzuar në këto 269 raste të korrupsionit të monitoruara nga IKD gjatë kësaj periudhe është i kryesisht i ulët dhe i mesëm dhe një numër i kufizuar i personave të akuzuar i takon profilit të lartë. 398 persona i takojnë profilit të ulët, 208 persona i takojnë profilit të mesëm dhe 24 persona i takojnë profilit të lartë.

IKD gjatë monitorimit të 93 aktgjykimeve të shpallura në shkallë të parë nga Gjykatat, vlerëson se politika e dënimeve në rastet e korrupsionit është e butë. Gjykatësit kanë shqiptuar 93 aktgjykime ndaj 160 personave të akuzuar. Prej tyre gjykatësit kanë dënuar me burg efektiv 25 persona (apo 15.62%) ndaj 28 personave kanë shqiptuar dënime me kusht (apo 17.5%),ndaj 12 personave kanë shqiptuar dënime me gjobë (apo 7.5%) ndërsa kanë liruar 95 persona  (apo 59.37%) me aktgjykim lirues, refuzues dhe për shkak të parashkrimit. Prej këtyre rasteve ku janë shpallur aktgjykimet janë përfshirë të gjitha profilet ku 93 persona i takojnë profilit të ulët, 61 persona profilit të mesëm dhe 6 persona i takojnë të profilit të lartë. Prej 6 personave të profilit të lartë, 4 prej tyre janë liruar, ndërsa 2 janë dënuar me nga 3 muaj burgim efektiv.

Edhe në rastin e gjykatave përqindja e personave ndaj të cilëve shqiptohen aktgjykime liruese kalo nw 59.37%.  Kjo është dëshmi se kualiteti i ndjekjes penale është shumë i ultë. IKD vazhdimisht në raportet e saj ka raportuar se një shkallë kaq e lartë e hudhjes së kallëzimeve penale dhe e aktakuzave, në praktikë dëshmon më shumë persekutimin se sa luftimin apo ndëshkimin e kryesve të veprave penale të korrupsionit.

IKD pa dashur të komentoj meritën e vendimmarrjes në rastet gjyqësore të korrupsionit, vlerëson se praktika e tillë ndëshkimore, duke shqiptuar dënime të buta me burg apo dënime me kusht dhe me gjobë, përçon mesazh negativ tek qytetarët dhe publiku. Këto dënime të buta assesi nuk mund të arrijnë qëllimin, qoftë atë të karakterit preventiv apo ndëshkimor.

IKD gjatë monitorimit në këtë periudhë raportuese ka gjetur se prokurorët në raste shumë të rralla zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me kërkesat për sekuestrim apo konfiskim ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit. Sistemi prokurorial nuk posedon të dhëna se sa prej pasurive të sekuestruara apo konfiskuara janë si rezultat i veprave penale të korrupsionit.

Këto rezultate në ndjekje dhe gjykim të korrupsionit, kanë ndikuar në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Sipas Pulsit Publik të UNDP-së, rezulton se kënaqshmëria e qytetarëve me punën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në muajin prill 2016 ka shënuar pothuajse rënien më të madhe të të gjitha kohërave, duke rënë në 18.4% për gjyqësorin dhe 16.9% për prokuroritë. IKD vlerëson se drejtësia që ndahet legjitimohet përmes besimit të qytetarëve në vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve dhe mungesa e besimit dhe kënaqshmërisë me punën e tyre reflekton drejtësinë që ndajnë këto institucione.

Për më tepër shkarkoni raportin në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.