REAGIM PUBLIK NDAJ SHPIFJEVE TË GAZETËS “KOSOVA SOT”

REAGIM PUBLIK NDAJ SHPIFJEVE TË GAZETËS “KOSOVA SOT”

REAGIM PUBLIK NDAJ SHPIFJEVE TË GAZETËS “KOSOVA SOT”

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj artikullit të botuar në Gazetën “Kosova Sot”, të datës 31 gusht 2015, në ballinë dhe brendi në faqet 4 dhe 5, me mbi titull “Memorandumi mes KPK-së dhe IKD-së ka ngjallur debat në Prokurorinë e Shtetit” dhe titullin “Dyshohet se memorandumi u bë për të favorizuar të preferuarin e Kabashit për kryeprokuror të ri” nga autorja Etleva Skonja.

Ky reagim nuk është publikuar nga Gazeta “Kosova Sot”, duke shkelur të gjitha rregullat dhe procedurat të përcaktuara nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Në këtë të fundit, IKD ka adresuar ankesë kundër “Kosovës Sot” për të ndjekur dhe respektuar të gjitha rrugët për të vërtetuar shpifjet e kësaj gazete. Në vazhdim gjeni reagimin e përgjithshëm të IKD-së rreth artikullit shpifës dhe dokumentet përcjellëse të këtij shkrimi, të cilat mund t’i shkarkoni këtu: artikulli shpifës i skanuar si dhe shpifjet dhe shkeljet konkrete të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Artikulli në tërësi përmban shpifje prej më të ulëtave, pasaktësi, nxjerrje nga konteksti të të gjitha ngjarjeve, keqinterpretim, anshmëri, cilësim, komentim, shtrembërim të informatave, imagjinatë në raportim, konspiracion të qëllimshëm, kompilim të shkrimit, dezinformim të lexuesit dhe manipulim të opinionit.

Shpifjet e paraqitura në  artikull janë të ulëta, të pabaza dhe të paragumentuara që për qëllim kanë diskreditimin e reputacionit të lartë që gëzon IKD si think tank i dëshmuar në fushën e sundimit të ligjit, për qasjen e raporteve hulumtuese/analitike tejet profesionale dhe konstruktive dhe pavarësinë e plotë në ushtrimin e mbikëqyrjes së institucioneve publike me fokus në sistemin e drejtësisë.

Artikulli në secilën fjali i referohet burimeve anonime, duke inskenuar  një realitet të paqenë, dhe me qëllimin e vetëm që të diskreditojë IKD-në dhe lexuesve të kësaj gazete të iu servohen të pavërteta.

Shtjellimi i secilës shpifje në këtë artikull është i pamundshëm në këtë reagim, prandaj IKD do të përgatisë në detaje të gjitha shpifjet për t’i ofruar ato para organeve kompetente.

IKD mbështet fuqishëm dhe inkurajon gazetarinë hulumtuese në të gjitha rastet kur përmes punës profesionale dhe të paanshme zbulohen informacione se është kryer një vepër penale, dhe kontribuojnë në zbulimin e saj. Në rastin e artikullit në fjalë, IKD nuk lejon dhe nuk heshtë përballë shpifjeve dhe spekulimeve, kur bëhet cak i sulmeve të paskrupullta nga një gazetë, e cila përmes artikujve të saj tendencioz, të pabazuar në argumente apo dëshmi dhe të mbështetur në teoritë konspirative të sponsorizuara apo fabrikuara nga individë të caktuar.

Autorja e shkrimit në çdo fjalë që ka ndërtuar në këtë artikull kundër IKD-së ka shpifur dhe ka spekuluar rëndë. Përkundër faktit se autores në përgjigjen e dhënë nga IKD i është shpjeguar se si është respektuar legjislacioni pozitiv dhe Memorandumi i Bashkëpunimit me KPK-në, ajo sërish ka shpifur dhe spekuluar në çdo fjali, duke e marr rolin e gjykatëses, duke “konstatuar”  shkeljet e memorandumit.

IKD i ka ofruar të gjitha argumentet e nevojshme autores së artikullit shpifës, por ato nuk i kanë mjaftuar që ta sheh realitetin siç është,  por ka vazhduar me shpifje dhe spekulime. Ndër dhjetëra shpifje dhe spekulime, duke ju referuar burimeve nga Prokurori i Shtetit, autorja, shpif dhe spekulon rëndë, rreth pretendimeve për përfitime materiale të zyrtarëve të Prokurorit të Shtetit nga fondet e IKD-së. Shpifjet e autores janë të paimagjinueshme, pa asnjë argument, pa asnjë dëshmi se kush ka përfituar, nga kush ka përfituar, sa ka përfituar etj etj… Kjo bie në kundërshtim me të gjitha  standardet profesionale dhe etike të profesionit të gazetarisë dhe shkel Kreun II (Raportimi i së vërtetës) të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Të gjitha mjetet e pranuara për aktivitetet e IKD-së janë mjete që qarkullojnë ekskluzivisht përmes transaksioneve bankare dhe të njëjtat i nënshtrohen auditimit të pavarur të jashtëm në përputhje me ligjin.

Ndër të tjera, autorja e këtij artikulli shpifës, apostrofon z. Kujtim Kërveshi si Drejtor të IKD-së. IKD është themeluar në shkurt 2009 dhe z. Kujtim Kërveshi asnjëherë nuk ka ushtruar funksionin e drejtorit ekzekutiv të IKD-së. Ky është një spekulim i qëllimshëm i autores së shkrimit, duke pretenduar që artikullin e saj ta maskoj përmes burimeve anonime, sikurse në rastin konkret “burime të afërta me KPK-në.”

Autorja e shkrimit vazhdon me shpifje të llojit si “Memorandumi pa konkurs dhe i porositur, u injoruan OJQ-të e tjera”. Me këtë autorja dëshmon se është injorante e fushës së gazetarisë, pasi nuk e ka marrë mundin të bëjë një lexim të thjeshtë të Planit të Veprimit, për të kuptuar të vërtetën ose qëllim të fundit ka që me vetëdije të vihet në  shërbim të qëllimeve për të cilat ka vendosur të shpifë në këtë artikull.

Autorja po ta lexonte nenin 13 të Planit të Veprimit do ta kuptonte se “KPK do të nënshkruaj memorandume të bashkëpunimit me OJQ-të e interesuara dhe me ekspertizë, lidhur me vlerësimin e jashtëm të zbatimit të Planit të Veprimit”. Pra, kësaj thirrje publike përmes Planit të Veprimit i është përgjigjur IKD, si think tank i specializuar dhe dëshmuar në fushën e sundimit të ligjit. Nuk ka pasur asnjë kufizim për asnjë OJQ tjetër për të shprehur interes dhe nënshkruar një memorandum të tillë. Gjithë këto argumente nuk kanë mjaftuar për autoren, e cila ka shpifur dhe spekuluar gjithçka mbi teoritë e konspiracionit vetëm për të diskredituar IKD-në.

Shpifjet e autores vazhdojnë përmes burimit të saj anonim, duke pretenduar në afatet kohore për sigurimin e informacioneve rreth rasteve të korrupsionit nga IKD. Sa për informim të publikut, IKD ka siguruar informacion dhe dokumente në përputhje me legjislacionin pozitiv, Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, i cili mbizotëron çdo memorandum, jo vetëm në KPK por edhe në institucione tjera publike.

Shpifjet vazhdojnë me teori të konspiracionit, pa ofruar asnjë argument dhe dëshmi lidhur me përmbajtjen e raporteve të publikuara nga IKD.  Raportet e IKD-së, janë si rezultat i monitorimit të performancës së sistemit prokurorial, përmes të dhënave të siguruara nga vetë KPK dhe prokuroritë e të gjitha niveleve. IKD në asnjë raport nuk e ka etiketuar apo promovuar ndonjë prokuror të caktuar, sikurse ka informuar publikun dhe qytetarët e Kosovës lidhur me performancën e secilës prokurori, sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor lidhur me të arriturat dhe dështimet e tyre lidhur në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Autorja dhe burimi i saj shpifës, spekulojnë lidhur me publikimin e emrave që kanë qenë subjekt të vendimeve prokuroriale, përderisa do duhej të ofronin argumente dhe dëshmi se në cilin prej 5 raporteve periodike të IKD-së është publikuar qoftë edhe një e dhënë personale e ndonjë personi. Meqenëse nuk ka pasur asnjë mundësi, autorja i’u ka referuar burimit shpifës, edhe pse kjo mund të vërtetohet shumë lehtë, vetëm me një lexim të raporteve periodike të IKD-së.

Autorja, shtetase e Republikës së Shqipërisë, e cila shërben nën petkun e gazetares në Kosovë, dëshmon se nuk ka njohuri bazike për të bërë dallimin e punës që bëhet në monitorimin e zbatimit të Planit të Veprimit nga IKD dhe natyrës së punës në realizimin e emisionit “Betimi për Drejtësi”. Sa për informim të publikut, autores dhe burimit shpifës, në këtë emision, autori i saj, në prill 2014 ka ftuar për debat publik prokuroren Drita Hajdari, e cila është person publik dhe e cila ushtron funksionin e prokurores, që të debatoj rreth luftës kundër korrupsionit në Kosovë. E njëjta, kishte refuzuar që të debatoj, në momentin që ishte informuar se do të diskutohej edhe një vendim i saj i kundërligjshëm, përmes të cilit ajo kishte amnistuar rreth gjysmë milioni euro tatim. Autorja e artikullit shpifës publikimin e emrit të prokurores Drita Hajdari ia atribuon raportit. Sa për informim të publikut, po ripërsërisë se në asnjë raport të IKD-së asnjëherë nuk është publikuar asnjë emër dhe asnjë e dhënë personale e askujt.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova Sot shpif kundër IKD-së. Në të njëjtën mënyrë në vitin 2012, pikërisht autorja Skonja, kishte shpifur në dy artikuj të tërë. Ajo kishte cituar nga një tryezë e IKD-së, pesë (5) pjesëmarrës të tryezës, të cilët i kishte nxjerrë në tërësi nga konteksti, duke shpifur qëllimshëm në tërësi kundër IKD-së. Të njëjtit zyrtarë të apostrofuar në artikujt shpifës, kishin reaguar për shpifjet e kësaj gazetareje – reagime që i posedon IKD – dhe të njëjtat u ishin dorëzuar Kosovës Sot, por që asnjëherë nuk janë botuar.

IKD do të vazhdojë të monitorojë dhe raportojë për të gjitha gjetjet në institucionet publike për të realizuar misionin e saj për respektimin e sundimit të ligjit, pavarësisht shpifjeve dhe spekulimeve të artikujve të Kosovës Sot apo prokurorëve të caktuar, performanca e të cilëve mund të mbulojë faqe të tëra gazetash me shkelje të ligjit dhe dëme që i kanë shkaktuar sistemit drejtësisë dhe buxhetit të shtetit.