Reagim ndaj Kosova Sot

Reagim ndaj Kosova Sot

Reagim ndaj Kosova Sot

9 nëntor 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj artikujve të botuar në Gazetën “Kosova Sot”, të datës 7 nëntor 2012, në ballinë dhe brendi në faqet 8 dhe 9, me titull “Hadërgjonaj: Dyshohet se kërkohen fonde për punësime fiktive në Gjyqësor” nga autoret Etleva Skonja dhe Gita Lushi, si dhe artikullit të datës 8 nëntor 2012, të botuar në ballinën dhe në brendi në faqen 5, me titull “Gjyqësori dështon në menaxhimin e buxhetit”, artikull në të cilin nuk figuron emri i autorit.

IKD për pesë muaj ka zhvilluar hulumtim dhe analizim të detajuar të mbi 60 dokumenteve të ndryshme dhe mbi 30 intervista me të gjithë hisedarët kyç. Puna kërkimore është përmbledhur në analizën prej 40 faqeve “Pavarësi e Gjyqësorit në Kosovë: Analizë e Pavarësisë Financiare Institucionale dhe Individuale”, që është publikuar me 6 nëntor 2012 në tryezën “Pavarësia Financiare e Pushtetit Gjyqësor”. Në këtë tryezë, IKD ka ftuar hisedarë të ndryshëm ashtu që të diskutoj hapur të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të IKD-së. Ky ka qenë një forum shumë i dobishëm pasi që hisedarë të ndryshëm kanë lavdëruar punën serioze që është bërë nga IKD dhe kanë shfaqur interesim për marrje parasysh të rekomandimeve të raportit dhe tryezës.

Tryeza dhe raporti analitik është nxjerrë në tërësi nga konteksti në dy artikujt e botuar nga “Kosova Sot”. Artikujt në tërësi përmbajnë shpifje prej më të ulëtave, pasaktësi, nxjerrje nga konteksti të të gjithë ngjarjes, keqinterpretim, anshmëri, cilësim, komentim, shtrembërim të informatave, imagjinatë në raportim, konspiracion të qëllimshëm, kompilim të shkrimit, dezinformim të lexuesit dhe manipulim të opinionit.

Artikujt përmbajnë pasaktësi të skajshme duke nxjerrë tërësisht nga konteksti deklarimet e pjesëmarrësve, sikurse rasti i zonjës Safete Hadërgjonaj, e cila në titull dhe në tekst nxirret nga konteksti dhe shkruhet se ajo “dyshon se kërkohen fonde për punësime fiktive në Gjyqësor”, apo zoti Kujtim Kërveshi, i cili përkundër faktit se për 10 minuta fjalim kishte qëndrime të njëjta me ato të IKD-së, në artikuj është vendosur krejtësisht me qëndrime të kundërta ndaj IKD-së.

Artikujt janë aq shpifës saqë në to përmbajnë fjali të situatave të imagjinuara nga artikullshkruesit, duke paraqitur para lexuesve veprime dhe situata të paqena, krejtësisht të pavërteta, por të ndërtuara mbi teorinë e konspiracionit. Artikulli shpif rëndë kur aludon se përfaqësuesi i IKD-së ka kërkuar prej njërit prej folësve kritik që të dal jashtë për të biseduar. Ky realitet imagjinar i artikullshkruesit është shpifje e ulët, me qëllim të denigrimit të bashkë-autorit të raportit dhe IKD-së. Tutje, artikujt cilësojnë se prezantimi i raportit ka rezultuar në një blof, pra cilësohet se IKD ka mashtruar opinionin për qëllime të caktuara, që është një shpifje e rëndë që tenton të manipuloj opinionin publik dhe diskreditoj punën e pavarur dhe profesionale të IKD-së. Për më tepër, duke nxjerrë jashtë kontekstit, artikujt kanë bërë cilësime dhe komentime pa asnjë argument, sikurse: “janë përjetuar me shqetësim”, “Ky reagim, i cili nuk pritej nga organizatorët”, “i ka vënë në vështirësi ata”, “ka ndikuar dukshëm në disponimin e organizatorëve”, etj.

Këto cilësime dhe komentime të gjendjes emocionale momentale, artikullshkruesit nuk kanë as thirrje dhe as të drejtë që t’i bëjnë, aq më tepër kur bëhet raportim nga një ngjarje. Abetare e gazetarisë. Artikujt joprofesional përmbajnë pasaktësi elementare, duke ngatërruar në tërësi akronimet duke e bërë IKD-në, herë KDI e herë IDK. Panelistë dhe pjesëmarrës të cituar dhe përfolur në këto artikuj kanë përcjell në IKD reagimet për nxjerrje nga konteksti dhe keqinterpretimi. Të bashkangjitur keni një dokument të detajuar me disa shkelje tjera të artikujve.

Është e pakuptimtë sesi të gjitha mediat e pranishme në tryezën e IKD-së kanë raportuar në mënyrë tejet korrekte, duke iu përmbajtur elementeve të saktësisë dhe balancimit të ngjarjes, përfshi këtu televizionet, radiot, gazetat e përditshme si dhe portalet, përjashto këtu vetëm Gazetën “Kosova Sot”, e cila e ka parë ngjarjen ndryshe me qëllime të këqija ndaj IKD-së, duke shtrembëruar të vërtetën, dezinformuar dhe manipuluar qëllimshëm opinionin publik.

IKD konsideron se arsyeja e kësaj sjelljeje të autoreve të gazetës “Kosova Sot” qëndron në faktin se ka muaj të tërë që përfaqësuesit e IKD-së nuk prononcohen për këtë gazetë. Arsyeja e mos prononcimit për këtë gazetë janë pikërisht shtrembërimi i prononcimeve dhe nxjerrja në tërësi e tyre jashtë kontekstit. Përndryshe, IKD në të gjitha rastet ka qenë e qasshme për gazetarët edhe për ata të “Kosovës Sot”, deri në momentin kur gazetarja Etleva Skonja ka filluar të nxjerrë nga konteksti prononcimet e IKD-së dhe ka filluar t’i vendos ato në shërbim të artikujve të ndryshëm për gjyqësorin, që në rastet kur është cituar IKD kanë përmbajtur pasaktësi dhe cilësime të palejueshme në kundërshtim me etikën e gazetarisë. Prandaj, duke mos dashur të shfrytëzohemi dhe të vihemi në shërbim të artikujve tendencioz dhe joprofesional, kemi vendosur të mos i përgjigjemi gazetares Etleva Skonja.

Sa për informimin tuaj, IKD është themeluar në vitin 2009, dhe nga ajo kohë është shndërruar në një ndër organizatat kyçe të shoqërisë civile të cilat japin kontributin e tyre në sundimin e ligjit në Kosovë. IKD reputacionin e saj si organizatë profesionale e pavarur dhe e paanshme e ka ndërtuar ndër vite duke pasur kujdes të veçantë për kualitetin e publikimeve dhe aktiviteteve tjera që ka ndërmarrë kjo organizatë. Aktivitet e IKD-së kanë mbështetur procese të ndryshme në reformat në fushën e drejtësisë në Kosovë dhe kanë shërbyer për organet e ndjekjes që të iniciojnë hetime. Stafi i IKD-së, i specializuar në fushën e drejtësisë dhe politikave publike, në mesin e të punësuarve ka profesionistë të fushës së medias po ashtu të specializuar në fushën e drejtësisë, të cilët për punën e tyre edhe janë shpërblyer me çmime gazetareske, pikërisht për storie hulumtuese për veprimtari korruptive në sistemin gjyqësor të Kosovës, duke qenë vazhdimisht kritikët më të mëdhenj.