6 nëntor 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) sot ka mbajtur tryezën “Pavarësia Financiare e Pushtetit Gjyqësor”. Pjesëmarrës në panelin e moderuar nga z. Adem Gashi, ishin z. Enver Peci, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, znj. Safete Hadërgjonaj, Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, z. Daut Xhemajli, Ministria e Drejtësisë, dhe z. Betim Musliu, Instituti i Kosovës për Drejtësi. Gjatë kësaj tryeze Betim Musliu nga IKD ka prezantuar raportin: “Pavarësia e Gjyqësorit në Kosovë: Analizë e Pavarësisë Financiare Institucionale dhe Individuale”. Musliu tha se ky raport është rezultat i nevojës për studim të thellë të problemit të mungesës së efikasitetit në pushtetin gjyqësor ndër vite, kryesisht për shkak të mungesës së resurseve financiare e njerëzore.
“Kjo analizë është ndërtuar, duke parë mungesën e resurseve të ndryshme që ndikojnë në efikasitetin e gjyqësorit dhe shqyrtimin e përmbushjes së këtyre kushteve kundrejt standardeve ndërkombëtare dhe evropiane sikurse që janë Parimet Themelore të Kombeve të Bashkuara për Pavarësinë e Gjyqësorit, Rekomandimit të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës për Gjykatësit, Kartën Evropiane të Statutit të Gjykatësve, dhe dokumenteve tjera relevante”.
Musliu tha se efikasiteti, paanshmëria dhe pavarësia e gjyqësorit nuk janë qëllim në vete por paraqesin kusht themelor për të siguruar se të drejtat dhe liritë e individëve realizohen, zbatohen dhe mbrohen në kohë të arsyeshme nga gjykata dhe gjykatës të pavarur dhe të paanshëm. “Cenim i pavarësisë së Gjyqësorit konsiderohet çdo veprim i Ekzekutivit apo Legjislativit i cili minon efikasitetin e punës së gjyqësorit si pasojë e resurseve të mangëta që ndahen për gjyqësorin. Prandaj, buxheti për gjyqësorin, i cili vazhdimisht është shkurtuar nga dy pushtetet e tjera, duhet të rritet dhe propozimi i buxhetit për gjyqësorin duhet të ndryshoj me ligj, në mënyrë që propozimi të bëhet drejtpërdrejt në Kuvend, pa ndërhyrjen e Qeverisë”.
Kryesuesi i KGJK-së, z. Enver Peci tha se gjetjet e raportit janë reale dhe se përkrahja e nevojshme financiare do të kontribuonte në përmirësimin e kushteve të përgjithshme të punës dhe në pavarësinë më të madhe të gjyqësorit. “Ne e dimë se ka probleme për shkak të buxhetit të vogël të Kosovës, por pushtetet tjera duhet të kuptojnë më mirë nevojat e gjyqësorit, në mënyrë që të ndërtohet një sistem gjyqësor efikas, në shërbim të qytetarëve për qasje sa më të mirë në drejtësi dhe në zgjidhjen e rasteve të tyre”. Peci tha se tani gjyqësori ka hyrë në një reformë, ku parashihet të bëhet ristrukturimi i gjykatave aktuale.
“Të gjitha këto procese të rëndësishme duhet të përcillen me përkrahje të nevojshme financiare, në të kundërtën do të vështirësohet procesi i reformës dhe do të vihet në pikëpyetje suksesi i pritur”. Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, znj. Safete Hadërgjonaj, nuk është pajtuar me disa konstatime të raportit, duke insistuar se ndarjet buxhetore për gjyqësorin nga Kuvendi, bëhen varësisht sesi gjyqësori arrin t’i arsyetoj kërkesat e veta buxhetore. “Edhe KGJK si çdo institucion tjetër trajtohet si duhet në Komisionin për Buxhet dhe të gjitha ato kërkesa të cilat arsyetohen si duhet përkrahen. Në këtë rast KGJK gjithmonë është përkrahur në kërkesat e tyre të arsyeshme.
Por, ka nevojë që KGJK të ngritë kapacitetet e veta në mënyrë që planifikimet dhe shpenzimet t’i bëjnë siç duhet dhe jo siç kanë vepruar deri më tash, sepse nuk ka pasur planifikime dhe shpenzime si duhet”. Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Daut Xhemajli, tha se Ministria e Drejtësisë vazhdimisht është munduar të luaj rolin e vet në hartimin e politikave dhe ligjeve në përkrahje të gjyqësorit që të ofrohen shërbime sa më të mira për qytetarët. “Ne vazhdimisht jemi munduar të ndihmojmë gjyqësorin. Aktualisht janë duke u bërë investime të shumta dhe këtu duhet të përmendim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, të cilin e financon Qeveria e Kosovës së bashku me Komisionin Evropian. Pra, këto janë investime për të krijuar kushte sa më të mira të punës për gjyqësorin”. Pjesëmarrës të shumtë në këtë tryezë kanë zhvilluar debat të gjerë mbi gjetjet dhe rekomandimet e raportit të IKD-së, ndërsa përfaqësuesit e të tria pushteteve kanë mirëpritur ato dhe janë zotuar se ato do të reflektohen në punën e tyre.